Patrick Nuo (28 vjeç) është aktualisht anëtar i jurisë në spektaklin televiziv gjerman DSDS. Karrierën e tij muzikore fillimisht e ka bërë mes Luzernit dhe Hamburgut. Aktualisht jeton në Los Anxhelos.

Në spektaklin televiziv „Deutschland sucht den Superstar“ (Gjermania kërkon një yll) pati dy surpriza për publikun gjerman, por veçanërisht për atë shqiptar.

E para: Një nga tre finalistët për titull ishte një djalë me origjinë nga Kosova, Ardian Bujupi. E dyta: Një nga tre anëtarët e jurisë së këtij spektakli, krahas Diter Bohlen-it dhe Fernanda Brandao-s, është edhe Patrick Nuo nga Zvicra, por edhe ai me origjinë nga Kosova. I ati i tij është nga fshati Janosh i Gjakovës, ndërsa nëna zvicerane. Pikërisht për këtë, shou televiziv DSDS është ndjekur me shumë interesim jo vetëm në Gjermani, Zvicër dhe Austri, por edhe nga të rinjtë në Kosovë.

Në një bisedë ekskluzive me DW, Patricku tregon se ka filluar të këndojë qysh kur ishte i vogël, sepse i ati i tij është DJ dhe gjatë gjithë kohës ai është ushqyer dhe rritur me muzikë. Ai u bë i vetëdijshëm se mund të bëhej këngëtar kur ishte 12 -13 vjeç. “Atëherë m’u bë e qartë se muzika është e ardhmja ime“, thotë ai. Patricku u rrit mes traditës shqiptare dhe kulturës zvicerane, një privilegj ky që edhe vetë Patricku nuk e fsheh. “Kam nisur të mësoj gjuhën shqipe kur isha dhjetë vjeç. Vit pas viti kam arritur ta përvetësoj mirë atë dhe të komunikoj në gjuhën shqipe me gjithë të afërmit e familjes së babait tim në Zvicër, Kosovë e kudo ku janë. Pra kjo përvojë nga të dyja kulturat më ka bërë të jem edhe më i pasur në shpirt. Janë gërshetuar kultura luksoze zvicerane me traditën mjaft të pasur shqiptare. Kjo më bën të ndjehem krenar”, thotë Nuo i cili aktualisht ndodhet për herë të parë në karrigen e anëtarit të jurisë në një nga spektaklet mjaft të suksesshme televizive në Gjermani.

Si anëtar jurie në DSDS, përvojë e re

Kjo është edhe përvoja e tij e parë në këtë pozicion. Ai e vlerëson shumë këtë aktivitet dhe angazhimin e të rinjve të talentuar, edhe pse ka shumë raste që kandidatët vijnë vetëm për shou, por kjo, sipas tij, varet nga karakteri i kandidatit. Mendimi i tij është që të rinjtë sjellin një mesazh të qartë në këto aktivitete. ”Ata shpalosin talentin e tyre si këngëtarë duke hapur një dritare të re për të ardhmen”, thekson ai. Si anëtar i jurisë, Patricku vlerëson punën e disa prej të rinjve, të cilët e marrin shumë seriozisht konkurrencën dhe përpiqen të përmirësohen gjithmonë e më shumë për një paraqitje sa më dinjitoze të perfomancës së tyre. “Ata respektojnë shumë kritikat, vërejtjet e jurisë dhe kjo i ndihmon ata që të arrijnë ëndrrat e tyre”.

Nuo: Bujupi ka një zë shumë të mirë, perfomanca e tij ishte në rritje

Edhe për kandidatin kosovar Ardian Bujupi, Patricku jep vlerësimet më të larta, veçanërisht për zërin e tij shumë të mirë që ka ardhur duke u përmirësuar mjaft, si dhe vlerëson punën e tij për një perfomancë sa më interesante. Sipas tij , “ai e ka zërin më të mirë edhe se Sara dhe Pjetri, pavarësisht se ata u klasifikuan për në finale”. Megjithëse në pozitë të vështirë kur përballë kishte kandidatin Bujupi, Nuo nuk ka ngurruar t’i bëjë atij kritika me vend duke u përpjekur të jetë sa më objektiv, sepse, siç thotë ai, “vetëm kështu mund të ndihmohet një i ri për të arritur në krye të klasifikimit”.

Këtë të shtunë (07.05) zhvillohet finalja e spektaklit të tetë televiziv DSDS. Pas kësaj përvoje, Patricku do të vazhdojë realizimin e projekteve dhe planeve krijuese për të ardhmen. Ka nxjerrë tre albume me këngë: 2003 Welcome, 2005 Superglue, 2007 Nuo dhe po punon për albumin e katërt të tij. Megjithëse i është kthyer biznesit televiziv, ai nuk e ndan të kënduarit në skenë me të prodhuarit muzikë, apo të interpretuarit nëpër filma. Ato janë të tëra shumë të rëndësishme, pasi arti dhe muzika janë “jeta e tij” dhe ai me shumë pasion dëshiron që ky art “të prekë gjithë botën”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here