Rona Nishliu këndon “Suus”, një baladë në gjuhën shqipe, në “Eurosong” këtë vit. Ajo është duke parashikuar perfomancën e saj të javës së ardhshme kur do të këndojë para audiencës së madhe. Para se të hyjë në skenë për provën e dytë ajo ka ndarë emocionet e saj për “Eurovision.tv”.

“Shpresoj që do të jap më të mirën nga vetja sot, pasi sikurse edhe në provën e parë, edhe kjo e sotmja është shumë e rëndësishme”, ka thënë Rona Nishliu, kur e takuam në zhveshtoren e delegacionit shqiptar.

“Shpresoj që pas provës së sotme do të jem gati për provën e përgjithshme, me audiencë, pasi është ajo që kam pritur tash sa kohë. Publiku të jep shumë energji dhe për shkak të magjisë që krijon, kjo është shumë e rëndësishme për mua”, ka thënë ajo. Në provën e dytë Rona Nishliu i ka vërtetuar deklaratat e saj. Ajo përfundimisht është e gatshme për provën e përgjithshme, pasi duket shumë e sigurt edhe për vokalin, performancën në skenë dhe komunikimin me kamera. Ajo e ka kënduar baladën e saj dramatike e vetme në skenë, pa mbështetje speciale apo zë të dytë. Skena ishte veshur në të kuqe, me një sfond të errët LED, në të cilin shfaqeshin silueta bardhezi në mesin e këngës. Rona kishte të varur vath dhe qafore shumë të veçantë të enjten.

Në konferencën për media, një gazetar britanik e pyeti Ronën pse kishte zgjedhur të performonte vetëm në skenën e Bakus. “Jam tekstshkruesja dhe historia e këngës sime është e bazuar në eksperiencë personale, kështu që menduam se do të ishte më lehtë të shpreh atë kur jam vetëm në skenë”, është përgjigjur ajo. “’Suus’ do të thotë personale dhe kështu më tingëllon mua. Muzika dhe teksti në veçanti shkojnë përtej kufijve dhe racave. Jam duke kënduar këngën time në gjuhën shqipe, sepse mendoj se është më e fuqishme dhe më origjinale”, i është përgjigjur Rona pyetjes së njërit prej gazetarëve se pse ajo ka vendosur të këndonte në shqip dhe çka do të thotë titulli i këngës. Një gazetar maqedonas gjatë konferencës ka thënë se ndryshe nga artistët e tjerë nga Kosova, Rona ndjek një stil më pak komercial muzikor. Rona Nishliu ka komentuar se ajo është përpjekur të bëjë atë që ndien dhe muzika është pasioni i saj dhe se është e rëndësishme për çdo artist të rritet dhe të ndryshojë gjatë procesit artistik.

“Një performancë që ka vlera është më e mira që mund të kesh. Nëse njerëzit ndiejnë diçka derisa je duke kënduar, ky është komplimenti më i mirë dhe duartrokitjet e audiencës pas performancës janë gjëja më e mrekullueshme”, ka thënë Rona para gazetarëve.

Me këngën “Suus”, e cila është kompozuar nga Florent Boshnjaku, Rona Nishliu ka fituar në edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Triumfi në këtë festival tradicional të këngës shqiptare ia ka mundësuar këngës “Suus” rrugëtimin drejt Bakus, në Azerbajxhan. Rona Nishliu do të paraqitet në gjysmëfinalen e parë më 22 maj, ndërkaq, sipas shortit, ajo këndon e pesta me radhë. Videoklipi i këngës është realizuar nën regji të Bekim Lumit dhe realizim të produksionit “Koperativa”. Rona Nishliu në shkurt të këtij viti kishte incizuar këngën “Suus” në Los Angeles, aty ku dikur kishin incizuar “The Beatles”, Frank Sinatra, Ray Charles. Lady Gaga në ditët e sotme është njëra prej yjeve që regjistron po në atë vend. Tekstin e këngës “Suus” e ka shkruar vetë Rona. Para se të nisej për në Baku të Azerbajxhanit, Nishliu ka organizuar një turne për promovimin e këngës “Suus”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here