Ermalin e takojmë ne kafen e Universitetit ku studion, me një tufë leksionesh në dorë. Kam ngelur mbrapa, -thotë, kam 6 provime.

Po mundohet të kapë kohën e humbur në shkollë, të paktën të mos lë shumë provime. Vështrimi kureshtar i njerëzve nuk i ka munguar asnjëherë, kjo për shkak se ai ka marrë titullin “Misster Shqipëria” 2010 dhe këto vështrimet që i janë “shtuar” nga Big Brotheri nuk i bëjnë përshtypje.

Përpos të qenit i bukur, Ermalin e njohim edhe si pjestar i një grupi të rinjsh të quajtur “Kuvendi Civil”, disa herë ka dalë në konferenca shtypi në mbrojte të interesave të publikut.

Këto ditë emri i tij është bërë më komercial, për shkak të spektaklit ku mori pjesë dhe për shkak të lidhjes që krijoi aty me vajzën nga Vlora, Françeskën. Gjatë 100 ditëve në shtëpi, ishte i sigurtë në vetvete po ashtu edhe në perceptimin që do të krijonte publiku për të. Nuk e kishte parashikuar historinë e dashurisë që iu shfaq befas në shtëpi dhe për më tepër që do të ishte kaq e fortë.

Ermal, tani që jeni jashtë, e prisnit këtë reagim të publikut, si u ndjetë ju?

Unë e dija, që gjatë kohës që isha në shtëpi, se çfarë kisha dhënë dhe se si mund të perceptohej në publik. Ju thosha shpesh banorëve se çfarë grupmoshe mund të ishin simpatizantët e tyre. Nga veprimet që unë bëja e dija se cilët mund të më pëlqenin dhe të më votonin. Fama nuk është se ka ndikuar shumë tek unë, sepse kam qenë i përgatitur pak a shumë dhe nuk më ka ardhë surprizë.

Kjo do të thotë që keni hyrë në shtëpi me një strukturë të mirë-përcaktuar loje?

Isha i përgatitur dhe përpara se të takoja banorët kisha përcaktuar tre synimet e mia. Kisha menduar se nëse do të rrija dy javë, apo një muaj do të argëtohesha, nëse do të qëndroja më shumë se dy muaj do të afirmohesha si person dhe synimi i fundit ishte 100 milionëshi. Normalisht këto synime i kisha përpara se të shihja konkurrentët e tjerë. Pasi pashë konkurrentët synimi im u bë menjëherë çmimi. Me kalimin e kohës e pashë që ishte e kotë, sepse janë disa gjëra që kuptohen brenda shtëpisë dhe ishte e kotë të shpenzoja energjitë për një çmim që isha i sigurt se nuk do ta merrja.

Pse ishit kaq i sigurt se nuk do të fitonit?

Kishte disa arsye pse çmimi duhet të shkonte në Kosovë dhe këtë jua kam thënë banorëve në shtëpi. I kam thënë Liamit gjatë kohës që ishim në burg, që është e kotë të luftonim dhe të grindeshim, pasi çmimin do ta merrte Arbri.

Ju mendoni se Arbri e ka fituar çmimin vetëm e vetëm se është nga Kosova?

Ishin disa komponentë bashkë që e bënin fitues. Normalisht që kishte merita, këtë nuk mund ta mohoj, por ishin edhe disa komponentë të tjerë që e favorizonin. Pas 5 edicionesh “Big Brother” çmimi duhet të shkonte në Kosovë, pastaj ishin votat e Kosovës, ndërsa ne i ndanim votat për 4 banorë, ishte interesimi i medias në vendin fqinj, televotimi kishte rëndësi, e të tjerë komponentë.

Ju erdhi keq që dolët i pesti në renditje?

Unë prisja çdo gjë dhe aty kuptohet gjithçka. Nëse di e kupton situatën. Unë kam bërë siç kam dashur vetë brenda shtëpisë dhe jo duke u instruktuar. Unë e shihja në dhomën e rrëfimit që më thoshin, Ermal qetësohu, ndërsa banorëve të tjerë u thoshin ngacmojeni më shumë. Në dhomën e rrëfimit kur je duke folur, arrin ta kuptosh që ata po të bëjnë qejfin, ndërsa nga ana tjetër ju thonë banorëve të të ngacmojnë. Veç të tjerave në biseda në dhomën e rrëfimit ata të ngacmojnë për banorët e tjerë.

Mos vallë po të ndiqnit “instruksionet” do mund të shpalleshit fitues?

Jo, nuk mund ta bëja diçka të tillë, nuk ishte në natyrën time. Nëse e keni vënë re unë edhe të shtunave nuk është se kam folur shumë, flisja gjatë gjithë javës, ndërsa të tjerët që gjatë javës i zinte gjumi flisnin të shtunën. Unë nuk doja ta bëja këtë lojë. I evitoja gjithmonë komentet për banorët e tjerë, pasi doja të dija nëse ishin ata korrekt për atë që do të nxirrnin të shtunën, apo jo. Doja të dija edhe banorët e tjerë se ku ishin.

Gjatë tre muajve nuk keni qenë asnjëherë në nominim. Është e rrallë kjo në “Big Brother”, madje në 5 edicione keni qenë i vetmi që arriti finalen pa nominim. Mendoni se ju ka penalizuar kjo në njëfarë mënyre?

Jo, nuk besoj se ka pasur lidhje kjo, pasi nominimet në shtëpi bëheshin në këtë mënyrë, nominoheshin ata që i mendoje më të dobët se vetja, që në rast se përballeshe edhe ti në nominim të dilte personi tjetër. Unë ua kam kërkuar disa herë nominimin banorëve, ju kam thënë të më nominonin, por ata nuk e kanë bërë, duke më parë si konkurrent të fortë. Ata nuk më nominonin, sepse më shihnin të fortë dhe do të ishte një nominim i shkuar dëm.

Nuk jeni shqetësuar gjatë lojës për faktin që nuk ishit përballur asnjëherë me publikun?

Unë jua thashë edhe më parë që për të mbijetuar banorët nominonin ata që i shihnin më të dobët se vetja. Mua ata nuk më nominonin edhe pse ua kërkoja. Kështu kanë funksionuar gjithmonë nominimet edhe pse nuk e shprehnin dhe në fund thoshin që kishin arritur deri aty sepse kishin luftuar. Gjatë lojës ata shpreheshin, që ti je më i mirë, ndërsa unë jam kështu, ndërsa në fund e shisnin si luftë personale.

Cilët janë emrat e konkurrentëve që keni vlerësuar dhe vlerësoni nga “Big Brother”?

Vlerësoj Erionin, Françeskën normalisht, Arbrin, por edhe Liamin, pavarësisht se ata bënin lojë, pra ishin të shtirur dhe nuk ishin vetvetja aty.

Do të thuash që ju ishit vetvetja?

Isha, por mund të isha edhe më shumë. Jam kushtëzuar në disa gjëra dhe mendoj se duhet ta kisha lënë veten të lirë në të gjitha, pra në të folurën dhe duhet të bërtisja më shumë.

Ermal, jeni konsideruar si shumë maskilist. Jeni fanatik?

Jo, pse ju kam lënë këtë përshtypje? Kjo është komentuar për shkak se unë në një moment i kam thënë Françeskës të mos flasë, por nuk e kam bërë këtë për maskilizëm. E kam penguar Françeskën të flasë gjatë debateve që kisha me dikë, pasi në publik dukej sikur ai po përballonte disa persona në debat. Dashur pa dashur i jepnim rëndësi atij personi. Ai tjetri mund të thoshte se kishte përballuar shumë mirë dy, apo tre banorë. Nuk doja që të ndodhte kjo. Thjesht e kam bezdi kur komunikoj me dikë që një tjetër të ndërhyjë, por jo se i kam hequr të drejtën e fjalës.

Një nga titujt e gazetave shkruhej se ju do të bashkëjetonit me Françeskën me paratë e saj. E vërtetë është kjo?

Nuk është aspak e vërtetë. Janë shkrime të gazetarëve që nuk e di pse i bëjnë të tilla, kur unë nuk i kam thënë dhe nuk janë të vërteta. Nuk do të bashkëjetoj me Françeskën dhe aq më pak me paratë e saj. Kujdesem vetë për ekonominë time dhe natyrisht që kam edhe mbështetjen e familjes.

Çfarë ju bëri për vete tek Françeska?

Gjithçka më pëlqeu, ishte një vajzë e çiltër dhe pa komplekse, në kuptimin që nuk bënte delikaten. Edhe pse në fillim bënte si koketë, më vonë duke e njohur e kuptova që nuk ishte aspak ashtu. Me kalimin e kohës kaluam në pëlqim dhe dashuria vjen vetvetiu duke qëndruar 24 orë me një femër.

Ermal, cili ka qenë qëndrimi i familjes tuaj për këtë lidhje?

Nuk është se ndikohem shumë nga familja lidhur me këtë pjesë. Ata më njohin dhe e dinë shumë mirë se si jam. Nuk ndërhyjnë në këtë gjë dhe e dinë shumë mirë që unë bëj çfarë të dua.

Jeni shprehur se dëshironi që e ardhmja juaj të jetë televizioni, megjithatë jeni edhe anëtar i “Kuvendit Civil”. Jeni më shumë për politikën, apo televizionin?

Të dyja bashkë. Më pëlqejnë të dyja, pasi të ofrojnë mundësinë të përballesh me realitetin dhe të njohësh shumë njerëz.

Tani çfarë planesh keni?

Po përpiqem të merrem me provimet që kam humbur, të mbaroj studimet universitare dhe ndërkohë do të shoh për ndonjë punë në televizion. Ende nuk kam diçka të qartë për sa i përket televizionit, megjithatë do të shohim ofertat, apo projektet që mund të paraqes unë diku.

Po me Françeskën çfarë planesh keni? Do të bashkëjetoni?

Është pak shpejt për të folur për bashkëjetesë. Do të vazhdojmë lidhjen si një çift normal. Ne shqiptarët e kemi pak gabim konceptin për bashkëjetesën. I keni parë çiftet në perëndim se si janë? Njëri jeton në një qytet tjetër dhe tjetri në një qytet tjetër dhe takohen në fundjavë.

Si e shehni jashtë raportin midis Arbrit dhe Liamit dhe deklaratat e gjithsecilit në “Post Big Brother”?

Unë ua kam thënë gjithmonë që ata ishin miq virtual. Mes tyre nuk kam parë ndonjëherë miqësi, as nga njëri dhe as nga tjetri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here