‘Shok’ shfaqet në Akademinë e Çmimeve ‘Oscars’Filmi “Shok” me regji të Jamie Donoughue, i cili është në garë për Çmimin “Oscar” në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurt, është shfaqur në Akademinë e Çmimeve “Oscars” në mbrëmjen e së martës bashkë me filmat e tjerë që janë në garë për këtë çmim.

Pasi janë shfaqur filmat para anëtarëve të Akademisë së Çmimeve “Oscars”, zyrtarisht është mbyllur votimi nga anëtarët.

Filmi, i cili flet për luftën e fundit të Kosovës, vjen si rrëfim nga perspektiva e dy shokëve, Petriti (Lum Veseli) dhe Oki (Andi Bajgora). “Shok” është në garë me filmat: “Ave Maria”, “Day One”, “Everything Will Be Okay” dhe “Stutterer”.

Eshref Durmishi, producent i filmit “Shok” për Kosovë, tregon për “Zërin” se të martën janë shfaqur të gjitha filmat e metrazhit të shkurtër, derisa ka thënë se filmi nga Kosova është pritur shumë mirë.

“E kanë përqafuar dhe e kanë pritur shumë mirë filmin”, është shprehur Durmishi për filmin që është pritur me duartrokitje. “Ka pasur duartrokitje kur e kanë marrë vesh se një pjesë e ekipit nga Kosova ishin prezentë në sallë”, ka thënë producenti Durmishi.

Ai thotë se filmi cilësohet si favorit, por kjo varet nga votat e anëtarëve të Akademisë.
“I kam parë edhe filmat e tjerë dhe konkurrenca vërtet është shumë e madhe”, ka thënë Eshref Durmishi, se të gjitha filmat që janë nominuar për “Oscars” në këtë kategori janë fitues.

“Të jesh në mesin e pesë filmave më të mirë në botë është vërtet shumë”, është shprehur Durmishi. Ai ka thënë se kudo që është shfaqur filmi është pritur jashtëzakonisht mirë.

“Vërtet po ndihemi mirë me pritjen që i është bërë filmit”, ka thënë Eshref Durmishi.

Në të njëjtën ditë kur janë shfaqur filmat që janë konkurrent në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë, janë shfaqur edhe filmat konkurrentë në kategorinë për filmin e animuar.

Në një artikull të gazetës “LA Times” janë dhënë vlerësime dhe rishikime se cili film do ta fitojë Çmimin “Oscar” në kategori të caktuara. Për kategorinë e filmave të shkurtër ku është i nominuar filmi “Shok” thuhet se filmi “Ave Maria” dhe “Stutetter” duhet të marrin vota, mirëpo fitues e kanë cilësuar filmin “Shok”.

“Për fitues këtë herë po shkojmë me ‘Shok’, një tregim i miqësisë mes dy djemve kosovarë gjatë luftës në Kosovë.
Përfundimi i këtij filmi të lë një përshtypje të jashtëzakonshme”, thuhet në artikull.

Sipas “Indiewire” filmi “Shok” është pretenduesi për të fituar çmimin për kategorinë “Live Action Short”, po kështu edhe për “Deadline” pretendues në këtë kategori është filmi “Shok”.
Sipas tyre filmi “Shok” do t’i tronditë të gjithë. /zeri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here