Sheila Haxhiraj është vajza simpatike, e cila fitoi edicionin e parë të shout të talenteve “X Factor”. Ajo ende nuk ka lançuar një këngë të vetën, por thotë se do të vijë me surpriza të reja për publikun shumë shpejt.

Edhe pse shumë e re në moshë, Sheila qëndron me këmbë në tokë. Ajo pranon se tanimë jeta i ka ndryshuar, por për të qenë një sukses absolut në këtë treg duhen shumë komponentë të tjerë. Një nga më të rëndësishmit veç talentit duket se është dhe fuqia ekonomike e një artisti të ri.

“Për të qenë e suksesshme në tregun shqiptar, duhet të jesh e kompletuar, të këndosh dhe të performosh njëkohësisht, por më e rëndësishmja të jesh i fuqishëm ekonomikisht”, – thotë ajo pasi një këngë dhe klip i bukur kushtojnë jo pak.

Sheila, me çfarë je marrë pas mbarimit të “X Factor”?

Sezoni veror ka qenë i ngarkuar me një tur koncertesh nëpër qytete të ndryshme, organizuar nga stafi i “X Factor”. Së shpejti do të jem prezente në disa evente, së pari në koncertin e madh organizuar nga “Tv Klan” me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë e më pas në të tjera evente, të cilat dua t’i lë surprizë.

Ke pasur kërkesa për bashkëpunime në studio muzikore në Shqipëri?

Po, padyshim që kam patur disa oferta nga kompozitorë të ndryshëm për bashkëpunim.

Çfarë mendon se arrite të fitosh si e para e talenteve të këtij shou?

Duke qenë se ky ishte “X Factor” i parë në Shqipëri, solli risi për publikun shqiptar dhe mendoj që unë si fituesja e parë e këtij audicioni do të kujtohem gjithmonë si e tillë. Njëkohësisht m’u realizua dëshira për t’u promovuar në muzikë në një format gjigant si “X Factor” dhe m’u hapën dyert për t’u realizuar edhe më tej, dhe pse jo, për të qenë e suksesshme.

Si të ka ndryshuar jeta pas fitores së këtij spektakli?

Jeta ime tani është më e organizuar për shkak të impenjimeve të ndryshme që unë kam. Tanimë jam bërë një personazh i njohur publik, ku njerëzit më shohin, më flasin dhe më komplimentojnë dhe padyshim kjo gjë më jep kënaqësi.

Si është jeta e një të riu pasi del nga këto talente? Kush e ka marrë përsipër menaxhimin tënd si këngëtare?

Unë mendoj që është një arritje e madhe për çdo të ri. Kushdo që e ëndërron fitoren dhe suksesin. Momentalisht unë kam një kontratë me produksionin e “X Factor” dhe për një vit jam nën menaxhimin e tyre.

Kur do të realizosh diçka tënden, një këngë apo një klip?

Tani po punoj për të realizuar këngën time të parë. Shpresoj shumë që të jetë hit i këtij sezoni.

Çfarë do u sugjeroje konkurrentëve të sivjetshëm në këtë shou?

Së pari të kenë besim në vetvete për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Të jenë korrektë dhe të punojnë shumë. Çdo gjë arrihet vetëm me punë.

Çfarë duhet për të pasur sukses në tregun shqiptar sipas teje?

Për të qenë e suksesshme në tregun shqiptar duhet të jesh e kompletuar, të këndosh dhe të performosh njëkohësisht, por më e rëndësishmja të jesh i fuqishëm ekonomikisht.

Në ç’kuptim të jesh i fuqishëm ekonomikisht?

Të kesh shumë lekë për të investuar për këngën, klipin, prezantimin skenik etj.

A është bukuria një faktor tepër i rëndësishëm për të pasur sukses?

Unë mendoj që bukuria nuk është primare për të qenë i suksesshëm, por është një plus për të qenë më i kompletuar në fushën e artit.

A ju bezdisin tani më shumë vështrimet e meshkujve kur jeni në vende publike?

Varet (qesh)

Ju pëlqen të jeni në qendër të vëmendjes?

I tried to pay attention but attention paid me (qesh).

Mendon se fama shpesh të rrezikon jetën tënden?

Të jesh i famshëm është diçka që e dëshirojnë të gjithë, por padyshim edhe kjo ka koston e vet, pasi në njëfarë mënyre të komplikohet jeta. Duhet të jesh i kujdesshëm në detaje, në çdo moment.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here