Sonte në një solemnitet rasti në Bernë futbollisti më i mirë i përfaqësueses së Zvicrës, shqiptari nga Kosova, Xherdan Shaqiri, do të marrë çmimin “Diaspora” për vitin 2012.

Shaqiri nderohet me këtë çmim për kontributin e dhënë në integrimin dhe krijimin e një imazhi më të mirë të Kosovës dhe kosovarëve në Zvicër.
Ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, ka thënë për Albinfo se në solemnitetin e sotëm janë të ftuar mysafirë të shumtë nga Kosova dhe Zvicra.

Në mesin e të ftuarve është edhe ministri i Diasporës së Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, zyrtarë të lartë të Bazelit prej nga edhe vjen Shaqiri, diplomatë të huaj të akredituar në Bernë, si dhe bashkatdhetarë.

Për ceremoninë e ndarjes së çmimit për Shaqirin kanë treguar një interesim të madh edhe mediat zvicerane, thotë Malaj.

Ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, ka përsëritur qëndrimin se pse është zgjedhur Shaqiri që të nderohet me çmimin “Diaspora” për vitin 2012.

“Shaqiri është përfaqësuesi më i njohur i bashkësisë kosovare-shqiptare në Zvicër”, ka thënë Malaj.

Ky futbollist sipas tij është “një shembull i integrimit të suksesshëm” dhe më tutje është një ndërtues i rëndësishëm urash mes dy vendeve. “Falë Shaqirit dhe lojtarëve tjerë me prejardhje shqiptare, si Xhaka, Xhemaili, Behrami ose Mehmedi, kombëtarja e Zvicrës ka mijëra tifozë edhe në Kosovë”, ka thënë Malaj për Albinfo.ch.

Edhe Shaqiri vetë ka shprehur kënaqësinë për çmimin në një prononcim të mëhershëm.
“Kosova është atdheu i babait tim dhe të parëve të mi”, thotë ai duke pohuar se Kosova ka peshë shumë të madhe për të.

Lidhjen e tij me të dy kulturat, Shaqiri e përmbledh me një fjali: “Unë jam i lindur në Zvicër, luaj futboll për Zvicrën dhe e ndjej veten si një zviceran me shumë respekt për Kosovën ose si kosovar me shumë respekt për Zvicrën”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here