Ndërsa mëngjeset e “Wake Up” hynë në javën e dytë, ashtu si të ishte një konkurrent, Ledion Liços, bashkëprezantuesit të këtij emisioni i erdhi një zarf… Në të ai “emërohej” prezantues i “The voice of Albania”, duke i dhënë kështu fund gjithë thashethemnajave e hamendësimeve për emrin e drejtuesit të këtij formati.

Kemi realizuar këtë intervistë me Ledionin, i cili, ashtu si edhe intervista edhe dita e sotme e gjen në Prishtinë, në audicionin që po bëjnë për talentet kosovare.

Ledion, urime për programin e ri “The voice”, që do të prezantoni! Ndryshe nga çdo herë, këtë herë propozimi/ftesa për ta prezantuar ju ka ardhur ‘live’ gjatë emisionit të mëngjesit. Mund të na tregoni si e pritët faktin që u përzgjodhët ju si drejtues dhe aq më tepër si e pritët këtë propozim ‘live’?

Ju falenderoj! E prita siç të gjithë presin diçka të re, intriguese në jetën e tyre. Njeriu, siç thotë i madhi Dritero në një spot televiziv, “po humbi kuriozitetin mbaron”. Unë trembem nga monotonia, ndaj ky propozim erdhi në momentin e duhur. Jam me fat që punoj në të vetmen media në Shqipëri që nuk punon me standardet e këtushme, dua të them, Top Channel, këtë sezon nis jo një, por 3 programe të reja të mëdha, përpos programeve popullore të rikthyer. Sa i përket formës së bërjes publik të lajmit, ishte diçka që e kanë vendosur drejtuesit e televizionit, për të krijuar, mesa-duket, edhe te prezantuesi atë lloj emocioni që do të përjetojnë (natyrisht në doza disafish më të larta) konkurrentët e “The Voice of Albania”. Ishte bukur që lajmin, sihariqin, ta jep një koleg e mbi të gjitha një mik i shkëlqyer. Dhe thonë pastaj që ka xhelozi dhe bërryla!!!

Sa i njohur jeni personalisht me formatin “The voice”?

Fillimisht e kam hasur sa herë interesohesha për bëmat e anëtarëve të jurisë së versionit amerikan, të cilat ‘rastisën’ të jenë disa prej yjeve amerikanë të muzikës, por vetëm kaq! Më vonë, kur filluam të diskutonim seriozisht për instalimin e show-ut në Shqipëri, i hyra kërkimeve seriozisht. Ishte pak e vështirë, sepse ne jemi ndër vendet e para që realizojmë The Voice.

Në këndvështrimin tuaj ka kaq shumë talente për këto programe “zbulimi” të tyre në Shqipëri… Përmendim këtu edhe vetë emisionet që organizohen në Top Channel, si “Albania got’s talent” etj. Besoni se do të ketë të njëjtin sukses që ka pasur në vendet e tjera ky format?

Shikoni, meqenëse përmendet AGT, aty talenti për të kënduar ishte një fraksion i së gjithës, ndaj nuk besoj se ka të krahasuar. Unë jam i bindur, dhe koha e ka treguar këtë, se nëse kërkon, nëse kërkon vërtet, ti do të gjesh atë që nuk ka patur kurrë mundësinë, që kjo i është mohuar, apo që për një arsye apo një tjetër nuk ka qenë në momentin e duhur, në kohën e duhur. Mjaft t’i hedhim një sy listës së audicioneve dhe ti kupton se talent dhe dëshirë ka me bollëk. Unë po të shkruaj nga Prishtina dhe njerëzit nuk pushojnë së ardhuri.

Po fakti që në televizionin Klan do të nisë një tjetër program i njohur dhe mjaft popullor në vitet e fundit, si X-Factor, ju bën të punoni më shumë? Ju tremb konkurrenca? Në krahun tjetër prezantuese do të jetë Alketa Vejsiu. Si ndiheni në këtë “duel” televiziv?

Unë nuk e kam gjykuar kurrë punën time në raport me të tjerët, por me veten! Një program i suksesshëm nuk bëhet vetëm nga një prezantues. E ekipi me të cilin punoj është absolutisht më i miri! Koha do të tregojë rezultatet!

Cila është joshja, ndjeshmëria që duhet të ketë çdo i ri që të konkurrojë në “The voice”, sipas jush?

Nuk dua të tingëlloj banal, por në të vërtetë, ndryshe nga American Idol, X Factor, apo të tjerë formate të ngjashëm, The Voice punton drejt televizionit cilësor. Formati nuk është i bazuar mbi njerëzit që duan të kenë 5 minutat e tyre të famës, apo me ironizimin e konkurrentëve që ‘nuk janë për atë punë’ përmes blobeve. Po kërkojmë për Vokalin, ai që, duhet theksuar, është më i rëndësishmi nëse do të bëhesh këngëtar, më i rëndësishëm se ‘extensionat’, thonjtë e lyer, marka e këpucëve, lëvizjet prej rock-ere apo prej ‘sexy’ në skenë apo kopertina e revistës! Ai apo Ajo që mendon se di të këndojë, vetëm kaq, nëse mendon se ka ‘Vokalin’ duhet të vijë! Tani kur muzika është bërë ekzibicionizëm më shumë seç duhet, ia vlen t’i kthesh sytë nga përmbajtja!

Anëtarët e jurisë janë një pikë e fortë e këtij programi. Janë konkretizuar emrat që do të shohim në juri? Mendoni se edhe juria do të jetë një pikë e fortë konkurrence?

Juria, siç edhe unë, do të prezantohen në një formë origjinale, kur të vijë koha (shumë shpejt). Ajo është një prej pikave kyçe dhe duhet ta dini se konkurrenca nuk është vetëm mes talenteve të reja, por edhe anëtarëve të jurisë, pra te The Voice kemi dy gara paralele, deri në ‘notën’ e fundit.

Për ju vetë, Ledion, çfarë rëndësie merr prezantimi i këtij program? Keni filluar të mendoni për look-un tuaj në këtë program?

Është prioritar për mua, këta 4 muaj, edhe pse duhet thënë se angazhimi im ka qenë gjithmonë i shumëfishtë, dhe jam mësuar të mbaj disa kunguj nën sqetull. Sa për pamjen, ja siç më shihni çdo mëngjes!

Mëngjeset e këtij sezoni të ri të “Wake UP”, si kanë nisur?

Më bëhet qejfi që pas 3 vitesh është ende programi që zgjon shqiptarët! Është një prej punëve më impenjative që më është dashur të bëj ndonjëherë, ama sodisfaksioni që merr është shumë i madh. Nga ana tjetër, më vjen pak keq që këto dy javë në mëngjes, për shkak të aktualitetit, kemi patur pak si shumë halle, ndaj po përpiqemi me Enon të gjejmë anën e lumtur të së përditshmes sonë të përbashkët në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here