Fansat nuk i imagjinojnë më të ndarë që pas famës që morën si duet i suksesshëm me dy klipet e tyre të fundit, “Adrenalina” dhe “Biondina”.

Duke iu referuar impaktit në duet të Sinan Hoxhës dhe Seldi Qalliut, dalja në skenë e Seldit i vetëm në “Kënga Magjike 2011” u shoqërua me komente të tipit: “Seldi ‘tradhton’ Sinanin, pra këndon i vetëm kësaj here”.

Por ndërsa Seldi i rikthehet për herë të tretë konkurrimit te “Kënga Magjike”, me një krijim plot atmosferë të shkruar nga Elgit Doda, nga disa është komentuar thjesht një test artistik, apo një truk për të parë reagimet e publikut, ndërsa jemi mësuar t’i shohim gjithmonë bashkë dy këngëtarët së fundi. I pyetur nga gazeta “ Panorama” se përse vendosi të këndojë i vetëm në “Kënga Magjike”, Seldi pohon se “Arsyeja është vetëm se Sinani është i profilizuar në gjininë e tij muzikore, dhe s’mund të konkurrojë në një festival si “Kënga Magjike”.

Nga ana tjetër, mediat e kanë komentuar Seldin si djaloshi i cili u bë i njohur në “Big Brother”, dhe që më pas i ndodhi të ishte super i përfolur me historinë e mediatizuar dhe këngët luksoze me Sinan Hoxhën, por që tashmë prek i vetëm skenën e festivalit “Kënga Magjike” dhe nuk dihet pse. Në komentet mediatike pas lançimit të këngës së tij të dielën e kaluar në programin “E diela shqiptare” në “Tv Klan”, thuhet se këngëtari Seldi Qalliu këtë herë e ka “tradhtuar” Sinan Hoxhën, duke realizuar këtë këngë solo.

Ai është pranuar në këtë festival për të kënduar një këngë me titull “Kno”, që ishte natyrisht krijim plot ritëm, ashtu siç është profilizuar Seldi të shfaqet në të gjitha këngët e tij solo. Seldi ka sqaruar gjithashtu se “Tashmë dihet suksesi ynë në duet me dy këngët “Adrenalina” e “Biondina”, dhe për këtë arsye ne do vazhdojmë të këndojmë bashkë.

Sapo kemi realizuar klipin tonë të ri, që do të jetë goditja jonë më e fortë në tregun muzikor e kësaj here kënga nuk i dedikohet jo ndonjë zeshkaneje apo biondeje, por titullohet “Kuq e zi” dhe do të karakterizohet nga nota të forta patriotike. Bashkë me ta, në klipin e ri që do të lançohet për festën e 28 Nëntorit, këndon dhe këngëtari shumë i paguar në Kosovë e diasporë, Meda.

Sinani dhe Seldi, çifti më i paguar në koncerte
Një vit më parë, ata arritën të tërhiqnin vëmendjen direkt pas publikimit të këngës “Adrenalina”, një klip që vetëm në dy muaj nga lançimi i këngës në kanalet muzikore dhe Youtube arriti të regjistrojnë plot 3 milionë e 200 mijë klikime, duke u klasifikuar si kënga më e klikuar shqiptare në internet. Por ky ishte vetëm fillimi, sepse pas komenteve në faqet e gazetave për miqësinë e tyre, ata morën një vëmendje tjetër duke përfituar për sa i përket karrierës së tyre. Kështu filluan koncertet e shumta jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme të Europës. Koncerti më i suksesshëm ishte ai në diskotekën e njohur të Zvicrës “Rinora 4”, ku Sinani dhe Seldi arritën të mbledhin 3 mijë veta në një natë të vetme.

Dueti ka qenë një nga “boom-et” e dy këngëtarëve, duke shkaktuar impakt direkt në publik dhe duke rritur interesin e organizatorëve të ndryshëm për t’i pasur në koncertet e tyre, që organizohen në shumë në vende të Europës. Ky popullaritet i ri bëri që dhe pagesa e tyre për koncerte të jetë më e shtrenjtë. Kështu, sipas miqve të tyre këngëtarë, thuhet se Sinani paguhet për një koncert 2500 euro, ndërsa Seldi edhe pse shumë i ri në këtë treg, ka arritur të marrë për një koncert deri në 1500 euro. Pagesat e tyre të majme nuk i kanë penguar që të realizojnë klipe të shtrenjta, që kanë kapur shifrën 10 mijë eurove./panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here