Prishja e bashkëpunimit të saj me Big Bastën u bë shkak spekulimesh. E madje, aludime se pikërisht kjo ngjarje lidhej me mosfutjen e saj në finalen e festivalit të Top Fest.

Por ja që dy ngjarjet ecin në dy rrugë të ndryshme dhe nuk kanë asnjë pikë lidhje me njëra-tjetrën. Vetë këngëtarja e suksesshme, Samanta Karavello tregon për gazetën “Mapo” sesi qëndron e vërteta e kësaj historie!

Samanta, këtë edicion të tetë të Top Fest u prezantuat me këngën “Provoje edhe njëherë”. Nuk arritët të ishit pjesë e finales së këtij festivali… U erdhi surprizë ky lajm? Ndiheni e zhgënjyer?

Ishte hera e katërt që prezantohesha në ‘Top Fest’ dhe gjithmonë kur jam prezantuar në këtë festival kam sjellë këngë të rrymave të ndryshme, nga një këngë tek tjetra, si nga ana vokale, ashtu edhe për stilin e këngës apo performancën në skenë. Këtë edicion mendova që të vija me një stil ndryshe në festivalin Top Fest, ku solla këngën “Provoje edhe njëherë”, të realizuar nga Big Basta. Kënga arriti deri në fazën gjysmë finale, ashtu sikurse pati të njëjtin fat edhe kënga “Femër Fatale”, pa mundur të arrinte në finale. Sigurisht që dëshira ime ishte që të ishte pjesë e finales, përveç faktit që në numër ishte hera e katërt që unë merrja pjesë në këtë festival… Nuk mund të them se është një zhgënjim shumë i madh, që të më pengojë për të vazhduar rrugën time të artit, pasi kam rrugë të tjera përpara, por që sigurisht u mërzita nga ky festival, pasi nuk është hera e parë që konkurroj dhe gjithmonë kam ardhur ndryshe në të, që nga kënga e parë që unë u bëra pjesë e Top Fest, “Të dua”, kënga e dytë nga Pirro Çako, që edhe pse nuk arriti të hynte në finale u kthye në një hit, po ashtu “Femër Fatale”, që nuk ka njeri që nuk e ka dëgjuar dhe që nuk e pëlqen, “Provoje edhe njëherë”, sërish një këngë e veçantë, kështu që nuk është hera e parë që ndodh kështu.

Në fakt, Samanta, “gojët e liga” thonë se ka qenë pikërisht prishja e marrëdhënies suaj me Big Bastën, që rrezikoi mosmarrjen pjesë në finale?

Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë. Është shumë qesharake dhe mu duk shumë absurde si shkrim, thjesht është iniciuar prej faktit që miqësia ime me Big Bastën nuk vazhdon, por që nuk është aspak e vërtetë që unë nuk jam në finale prej atyre fjalëve që janë thënë, që ishin shumë të ulëta në fakt. Qesharake, në kuptimin e plotë të fjalës. Në momentin që unë e kam marrë vesh, kam qeshur.

Arsyet e prishjes së marrëdhënies suaj kanë qenë paratë?

Jo aspak! Është pjesa profesionale që ka ndikuar në prishjen e miqësisë tonë, ka të bëjë me këngët, por nuk ka aspak lidhje me pagesat, pasi kjo është gjë shumë e zgjidhshme!

Ka pasur një kontratë me shkrim mes ju të dyve?

Jo aspak! Nuk ka një kontratë, nuk ekziston diçka e tillë.

Me Big Bastën nuk komunikoni fare aktualisht?

Nuk mbajmë më kontaktet që kemi pasur më përpara!

Po pas shkrimit nuk keni komunikuar me njëri-tjetrin?

Jo absolutisht. Di vetëm që nuk është bërë shkrimi prej atij, pasi s’ka sesi të bëhej, kur nuk është një gjë e vërtetë, por që ende nuk e kam zbuluar arsyen pse e kanë bërë këtë shkrim. Ndoshta ka njerëz që nuk duan të më shohin aty ku duhet të jem dhe bëjnë gjëra të tilla!

A mendon se do të ndikojë në karrierën tuaj muzikore kjo ngjarje?

Unë them më pak fjalë e më shumë punë! Sigurisht që nuk u ndjeva shumë mirë, por që jeta vazhdon dhe këto gjëra mua më bëjnë edhe më të fortë, pasi pas kësaj jam bërë edhe më e fortë dhe më ka hipur një dëshirë dhe etje e madhe për të punuar!

Aktualisht po punon për një këngë të re?

Po, po punoj paralelisht për disa këngë të reja. Janë disa autorë me të cilët jam në kontakt, por unë do të përzgjedh një prej tyre. Të shoh se cila prej tyre do të jetë më ritmike dhe do të më pëlqejë më shumë dhe atë dua ta zgjedh për klipin e verës, në mënyrë që të më ngrejë edhe më shumë sesa kam qenë (qesh)! Ilda Lumani /MAPO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here