Këngëtari i ish-grupit “Ritfolk” e ndan karrierën mes këngës, aktorit dhe regjisurës. Ai do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, ndërkohë që ngjitet çdo natë në skenën e Teatrit Metropol për të interpretuar në dramën “Vdekja dhe Virgjëresha”.

Në skenën “Çehov” të Teatrit Metropol, Paulina Salas kërkon hakmarrje. I shënjuari i saj quhet Dr.Roberto Miranda.

Në mes të të dyve qëndron Gerardo Escobar, bashkëshorti i Paulinës në skenë. “Vdekja dhe Virgjëresha”, drama e vënë në skenë në kuadër të Festivalit të të Rinjve nga regjisori Kliton Hoxha, ka ngjitur në skenë një treshe, që me sa duket regjisori i ri ka dashur t’i pleksë në situata të qena apo të paqena (spektatori mundohet ta kuptojë, por mbetet disi e mjegullt në fund). Ata janë Enkela Braho në rolin e Paulinës, Saimir Braho në rolin e Dr. Roberto Miranda dhe Neritan Liçaj në rolin e Gerardo Escobar. Nëse spektatori është i njohur tashmë me talentin e aktores Enkela Braho, po edhe aq me profesionalizimin e Neritan Liçajt, ajo që çudiste më shumë ishte padyshim, Saimir Braho që kishte hequr “petkun” e këngëtarit për të veshur në këtë dramë “petkun” e aktorit. Por Saimiri po i shkëmben herë pas here të dyja, edhe aktorin, edhe këngëtarin. Ai ka luajtur edhe tek pjesët teatrale si “Policet”, “Kthesa”, “Antigona” etj. Por këto kohë po i bën paralelisht të dyja. Ndërkohë që çdo ditë vrapon për të bërë provat në RTSH për Festivalin e 50-të të Këngës, ku tashmë ai është bërë një pjesëmarrës thuajse i përvitshëm, më pas po turravrap ia beh në Teatrin Metropol, ku për dy ditë me radhë u shfaq drama “Vdekja dhe Virgjëresha”. Këngëtari i ish-grupit “Ritfolk”, siç dhe ka mbetur në kujtesën e të gjithëve, e ndan karrierën mes këngës, aktorit dhe regjisurës.

Ndërkohë që ethet e Festivalit shtohen çdo ditë e më shumë, Saimir Braho surprizon duke u ngjitur në skenën e Teatrit Metropol me një rol të vështirë, siç ishte ai i Dr. Roberto Mirandas në dramën “Vdekja dhe Virgjëresha”. Si mundet Saimiri t’i bëjë të gjitha këto?

Mendoj se ka të bëjë edhe me temperamentin. Në fakt nuk është aspak e lehtë, por të jep shumë po shumë kënaqësi, sepse ti ke mundësi t’u flasësh njerëzve drejtpërdrejt. Në premierën e shfaqjes në sallën “Çehov” të Metropolit ishte akoma më interesante, sepse njerëzit ishin shumë afër, aq afër sa të dukej sikur po bëje teatër mes turmës. Por siç thashë është kënaqësi e madhe kur ti ke mundësi të flasësh direkt me publikun. Unë e kisha provuar në shkollë kur luanim në pjesët e njëri-tjetrit. Unë e kam provuar këtë ndjesi edhe tek muzika, por muzika edhe pse e ka fjalën, ka tingullin primar, dhe kontakti me publikun zgjat vetëm 4 minuta. Tani zbulova se një artist mund të komunikojë me njerëzit edhe për një orë e gjysmë, por duke komunikuar me ta në një mënyrë tjetër siç është teatri, për të shprehur e për të thënë jo vetëm ato që unë ndjej, por edhe mendimet që unë kam, këndvështrimet e mia etj. Por gjithashtu është goxha e ankthshme të shohësh se çfarë mund të ndodhë në një orë e gjysmë me personazhin tënd.

Sa ka depërtuar kënga tek teatri dhe anasjelltas tek Saimir Braho?

Tani për shembull, unë tek kënga kam filluar t’i vë në baraspeshë si tekstin edhe tingullin. Të tillë e kam dhe këngën në Festivalin e këtij viti, është një këngë gjysmë recitative. Në njëfarë mënyre teatri dhe kënga tek unë janë pleksur njëra me tjetrën. Muzika ka marrë pak nga dramaciteti i teatrit, ndërkohë që kënga më ndihmon shumë në teatër sepse dhe aktrimi ka nevojë për vesh muzike për të mbajtur një lloj ritmi të brendshëm. Por duhet kuptuar dhe një gjë, që edhe vetë fjala është muzikë dhe kur vjen si e tillë, ajo përcillet më mirë tek spektatori. Por të dyja, si kënga ashtu dhe teatri kanë shpirtin që i bashkon. Po nuk pate shpirt nuk i bën dot as njërën e as tjetrën. Duhet që gjithçka të të vijë nga shpirti e ta përcjellësh jashtë dhe jo anasjelltas.

Në këtë dramë ju luani në krah të aktorit Neritan Liçaj dhe aktores Enkela Braho, që është dhe bashkëshortja juaj. Sa të ka ndihmuar kjo për të realizuar personazhin tënd?

Është komode të punosh me gruan tënde, të paktën për mua kështu është. Sigurisht që me bashkëshorten i bëjmë vërejtje njëri-tjetrit kur shkojmë me makinë. Po ashtu ndihmë e madhe është të punosh edhe me një aktor si Neritan Liçaj, që me eksperiencën e vet në teatër ka çfarë të të japë. Do doja që Neritani të ishte pak më kritik sepse ka qenë shumë inkurajues për mua. Më ka ndihmuar shumë dhe regjisori Kliton Hoxha, që kishte këndvështrimin e vet për gjërat dhe herë pas here edhe përplaseshim se si t’i realizonim disa aspekte, qoftë të karakterit, qoftë të lojës në skenë.

Përse regjisori, mes dy aktorëve me eksperiencë ju zgjodhi juaj si të tretë?

E kam pyetur dhe unë, por më është përgjigjur: Ti je një njeri që beson tek ajo që bën dhe kjo për mua mjafton.

Si e prite propozimin për këtë rol?

Gjithmonë është ndjesia e dyfishtë: kënaqësia se ti mund të realizosh diçka të re, gjithmonë është lakmuese ideja e diçkaje të re, dhe nga ana tjetër skepticizmi nëse ti je i aftë ta realizosh atë rol sepse ka parametra që nuk varen prej teje. Çdo artist ka limitet e veta dhe nuk mund të bëjë dot gjithçka. Ka që janë shumë dimensionalë, por ka të tjerë që janë të limituar. Kështu që ishte kjo ndjesi e dyfishtë kur më erdhi propozimi për herë të parë.

Si i kapërcyet këto dyshime?

Ajo që më inkurajoi në fakt ishte pasioni i vetë regjisorit për ta vënë në skenë këtë pjesë.

A po kthehet aktrimi në një profesion të dytë për ju?

Teatri, ashtu si dhe muzika, është vështirë të jetë profesion nëse me këtë nënkuptojmë që ti të jetosh me këtë profesion të mbash familjen… Kështu që unë do t’ia lija kohës.

Të kthehemi pak te Festivali i Këngës në RTSH. Me çfarë kënge do të prezantoheni?

Kënga ime titullohet “Ajër”. Është një simfo-rrok. Ajo që dua të them unë me këngën time është një pranim luftarak i realitetit. Domethënë, një aspekt i përballjes së një realiteti jo shumë të ëmbël, siç është ky yni, është protesta dhe rroku e ka këtë në vetvete, është protestues në thelb. Mirëpo ka edhe një aspekt tjetër, të cilin unë e kam zbuluar gjatë jetës sime në këndvështrimin sesi unë e shoh jetën, besimi im që përballja më efikase me realitetin që është më fitimtar se protesta, është pikërisht pranimi i realitetit dhe kjo është një lloj “lufte” që e zhbën realitetin. Realiteti i hidhur e ka qejf protestën sepse e fton në luftë dhe kjo e motivon në një farë mënyre atë. Teksti i këngës sime thotë kështu: Unë do të jetoj, do t’i mbyll sytë e mi këtu, me këta njerëz të shtrenjtë që s’i kuptova kurrë, unë do të vrapoj, do t’i fshij lotët ashtu pa ngut, dikur një fjalë të ngrohtë do ma thonë.

Do të këndoni në Festival 100 % live?

Padyshim që po. Bëra prova në radio dhe pastaj në Pallatin e Kongreseve, por nuk kam dëgjuar ndonjëherë gjatë pjesëmarrjeve të mia të shpeshta në festivale, që nga ’91-shi e këtej, të gjithë orkestrën, bandën e harqeve live, por tashmë e kuruar në një mënyrë ku çdo gjë ishte perfekte. Orkestra e harqeve është shumë profesionale, sidomos për këngën. Nga krahu tjetër, maestro Saraçi e ka transformuar totalisht konceptin e live-it. Ka marrë instrumentistët më të mirë shqiptarë, të përkushtuar, të cilët kanë bërë prova gjatë gjithë kohës dhe me shumë seriozitet. Do ju them vetëm një detaj që më ka mrekulluar: Gjatë provave nuk linin të futej njeri në provat e këngës së radhës. Kur provohej kënga e dikujt, i pranishëm në sallë ishte vetëm kompozitori dhe orkestruesi, asnjë tjetër. Të gjithë të tjerët rrinin jashtë në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe prisnin gjithsecili radhën e vet. Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe, por tregon seriozitet në punë dhe për këtë jam shumë optimist. Sigurisht që të kënduarit live nuk është e lehtë as për këngëtarin. Për mua është maksimumi që është bërë për këtë festival.

Çfarë pretendoni me këngën tuaj në këtë festival?

Të fitoj një këngë për veten time, që njerëzit ta mbajnë mend dhe ta këndojnë herë pas here. Për mua nuk ka qenë asnjëherë me shumë rëndësi çmimi, sepse në fund të fundit kënga është ajo që mbetet. Pas shumë viteve asnjë nuk do ta kujtojë nëse kjo këngë ka marrë çmim apo jo, por me siguri do ta kujtojnë dhe këndojnë këngën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here