Adelina u kthye ndryshe në klipin e saj të ri. Gazeta “Game Over” udhëtuar në Paris për ta takuar Adelinën dhe e ka takuar atë në qarkun e shtatë të Parisit. Ajo i priti ata e buzëqeshur. Adelina ishte shumë e lumtur e relaksuar,me një look të një dame të vërtetë që po jeton momentet e saj…

Pas suksesit të remixit “Tribalb” në Zvicër erdhe në Paris. Pse Parisi?

E ke parë dhe vet. Është djepi i kulturës europiane, ku më së paku dihet për shqiptarët dhe kulturën tonë. Posaçërisht muzikën. Ne jemi të bindur që e gjithë bota e di ku është Kosova, në fakt është e dhembshme sa pak dihet në qarqet kulturore për ne. Në fillim mërzitesha kur ngatërronin Albania me Armenia. Por mbaja një repertoar të tërë të perlave tona muzikore në Iphone dhe posa ulesha në tavolinë pa folur asnjë fjalë,lëshoja këngë (qesh). Muzika është gjuhë universale, dhe pasi shkatërroja muhabetin në tavolinë, shpjegoja çfarë është kjo muzikë (qesh).

 

Tingëllon paska nacionaliste për një këngëtare që do të jetë yll ndërkombëtar. Sa

pranohet këtu kjo ?

Çdo artist që ka arritur diçka në jetë, vë etninë e vet para së gjithash. Artisti është promovues, lajmëtar i popullit, i vlerave të popullit të vet. Këtu dhe gjithkund në botë çmohesh për atë që je. Pastaj vije ajo që unë kam humbur shumë materialisht gjatë karrierës sime duke mos bërë kompromis në këtë pikë.

Kënga “I love you more” mbërthen në vete shumë melose, edhe pse dominon zhanri

pop. Një gërshetim i katër melodive dhe gjuhëve ishte një formulë suksesi apo një

sfidë muzikore e radhës nga Adelina?

Sfidë. Nuk ka formulë suksesi për një fillestare. Këtu lindin trendet muzikore të cilat pastaj bartën në tërë Europën dhe më vonë edhe në Amerikë. Kur po bisedoja me realizuesin, pa fund herë i shpjegoja që muzika shqipe përshtatet edhe me zhanret moderne perëndimore, edhe me tingujt lindor. Kënga është një udhëkryq kulturor, ashtu siç jemi vet ne shqiptarët, gjithmonë bashkues të botës perëndimore dhe asaj lindore.

Faudel, një ndër emrat më të shquar të muzikës në Francë, apo si e quajnë ndryshe “Princi i muzikës Rai”. Miliona disqe të shitura, madje dhe aktor. Si u bë, sa ishte e vështirë të punohej me të?

Më pëlqente kënga e tij “Mon Pays” (Vendi im). Flet për faktin që njeriu mund të jetë i lindur kudo, por vendi i tij është aty ku ndjehet i lumtur. Dhe aftësia e tij të gërshetojë dy kultura aq të ndryshme në muzikë-atë lindore dhe perëndimore. Kontaktuam menaxherën e tij, njëherit edhe bashkëshortja e tij. Më lehtë kam punuar me Faudel dhe stafin e tij, sesa me çdo bashkëpunëtor tjetër në karrierën time.

Realizatori i këngës është Fred Château, një emër botërisht i njohur për lansimin e Natasha St Pier, Helen Segara, etj. Si u bë që realizues i këngës të ishte një gjigant

si ai?

Për takimin ishte përkujdesur stafi i Faudel. Tjerat ishin në duar tona. Mikpritja e tij më befasoi, prisja dikë që do mbante hundët në qiell. Edhe anglishtja e tij perfekte gjë që këtu është befasi e këndshme (qesh). Edhe aty njëjte, prezantim i shkurtër i punës sime, prezantimi i idesë e cila e intrigoi dhe aty për aty filluam komponimin. Në një moment u ndal dhe më luti ti këndoja në mikrofon. Fillova të sforcohem dhe po këndoja diçka anglisht, kur më ndërpreu dhe me luti ti këndoj shqip. Prapë fillova të nxjerr gjoja më të mirën dhe në kufje më erdhi zëri i tij: »Adelina, unë dua të dëgjoj ty. Vibrat dhe bërtimat kanë qenë këndim në shekullin 19. Dua personalitetin dhe ndjenjën tende. Jemi shekulli 21, primar është interpretimi skenik, thjeshtësimi i këndimit është gjithçka. Më erdhi si përçmim dhe ia futa thjesht. E këndova vetëm tre herë, me shpresën që do më ndërkrente dhe të hiqja dorë nga kjo aventurë. Atij i pëlqente, mua jo. Në fund më tha : »E di si po ndjehesh, por po të doja kopje amerikane në rrugët e Parisit kanë me miliona. Nëse do këngë popullore shqipe, e bëjmë ndonjëherë tjetër, duam kënge moderne. Do ta jap dhe harroje që do fus efekte kompjuterike në zërin tënd. Pas dy vitesh do të pëlqejë ty më shumë se mua tash». Pas 2 muajve, kur po punonte projektin «Corne d` Afrique » me 60 këngëtar francez për Unicef, e pash në TF1 dhe i shkrova sms: »Urime,ju pash në TV». Ma ktheu : »Faleminderit,..Uh,më fal që paskam harruar. Ke dhe dy këngë gati, eja i dëgjo kur të duash». Unë jam realisht e mrekulluar nga puna me Fredin.

Arrite për vetëm një vit pas largimit nga Kosova, të bashkëpunosh me emra big internacional, madje dhe me Universal Music. A mund të quhet kjo arritje dhe një hakmarrje për zërat që thonin se «Adelina jashtë kufinjëve shqiptar nuk mund të bëj asgjë»?

Nuk arrin askush asgjë po nuk u pëlqye puna e tij. Dhe këndimi natyrisht, pa harruar aparencën e cila luan një rol të rëndësishëm në show biznesin modern. E pëlqyen këngën, klipin, projektin në përgjithësi. Kjo është e tëra. Mund të mos pëlqehej,dhe asgjë në botë nuk do ndihmonte. Nuk mbaj mendjen tek thashethemet kur punoj. Kënaqësia ime është hakmarrja më e mirë. Dhe dhurata më e çmuar për ata që i dua e më duan…

Klipi është pëlqyer shumë, na trego diçka për realizimin.

Në fillim donim të bashkëpunonim me një produksion tjetër, por në momentin që më arriti sinopsisi, nuk e shihja vetën aty. Ishte i infuencuar nga klipe që kam realizuar në të kaluarën, me ekzagjerime «lady gageske » në llok dhe skena të errëta. Menjëherë e kam hedhur tutje. Pastaj kaluam te Mazava. Më pëlqeu ngjarja shumë dhe fillova të punoj në dukjen, aktrimin, karakterin që duhej të transmetoja. Në fillim mu duk klip panoramesk, shumë i mbushur me pamje nga Parisi. Por kur lexova që Adele po planifikonte të realizonte klip me pamje nga Parisi, as që mendova më, u gjuajta në punë menjëherë (qesh). Ekipi ishte një ushtri e tërë, bëmë audicionin për figurantat, zgjedhjen e lokacioneve dhe lejet per xhirim nga Komuna që zgjatën një shekull për mua, përzgjedhjën e stilistes, grimerit, floktarit, fotografit, kamerave, etj. dhe një mori detaje tjera që po merrnin shumë kohë. Në fakt unë po mësoja si është të punosh profesionalisht. Pastaj 3 ditë dhe 3 natë xhirim intenziv. Vetëm shkuarja e ekipit nga Montmarte deri te Alexander III ishte 4 orë me vetura. Pastaj montazhi…Po të mos ishte durimi dhe pozitiviteti i Valerie (realizatorja e Mazava Productions) unë sigurt e di që do ndërpreja xhirimet. Nga gjithë ato të mira, fillova të llastohem (qesh). Në fakt, ata vazhduan punën menjëherë, une ika në pushime. Isha lodhur shumë, por edhe e kënaqur.

Kthimi yt cilësohet më i fuqishëm se kurrë, edhe pse nuk ke qenë aktive në mediume shqipe. Si arrin të jesh në maje për kaq shumë vite, madje duke qenë dhe këngëtarja më e paguar?

Unë nuk kam ikur kurrë. Thjesht, nuk mund të arrija të jem dhe në mediume. Anash fakti

që mediume të caktuara tentonin të deformonin punën time, pastaj kurrë nuk i iknin më dot, neglizhonin tërësisht. Punohej në lansimin e «Tribalb Rmx» që duhej të prekte house kompilacionet më të famshme në botë, lansimin e albumit «Best Of» në portalet më të mëdha ligjore në gjithë botën, në lansimin e DVD «Fenix » në tregun zvicran, në turne tre vjeçare ku më e pakta kisha koncerte dy herë në muaj, punohej dhe në këngën këtu. Nuk mund të klonohem në pesë-gjashtë Adelina, nuk kam teori ti arrij dhe mediumet. Ndihmë e madhe është stafi i Iliada Entertainment dhe Xpert Events. Ata për të cilët veproj, fansat i mbaj të informuar non stop për të gjitha që po bëj. Nuk është klipi kthim, por nejse, kështu vlerësohet tek ne (qesh). Nuk preferoj të flas për pagesat, është një moskulturë gati e turpshme. Jam në maje të kurorëzimit të një karriere 25 vjeçare, sepse ëndrrat më të guximshme i realizoj me vullnetin e një optimisteje gati fëmijërore dhe këmbëngulësinë e çeliktë të një femre që qëndron me dy këmbë në tokë.

Dukesh shumë e lumtur…

Unë jam realisht e lumtur. Jo për sukseset në karrierë, ato janë produkt i kësaj lumturie që po e jetoj. Jam e lumtur në çdo aspekt jetësor, karriera kurrë nuk ka qenë prioritet imi. Gjithmonë kam besuar dhe vazhdoj të besoj që njeriu duhet të besoj në Zot dhe në vetën për të arrirë lumturinë konstante. Profesioni im është muzika dhe pas 25 vitesh unë them që jam mjeshtër i punës sime. Nuk kam më sekonda për botërat e vockla. I kam dhënë vetës urdhër tjetër në dekadën e re dhe po e zbatoj.

Edhe pse nuk mungon këndimi shqip, pse kënduat anglisht ketë herë ?

25 vite kam shkelur çdo podium,e rrahur çdo zhanër dhe temë në gjuhën shqipe. Pa

përmendur që jam e para shqiptare që ka kënduar anglisht, kur isha 13 vjeçare në albumin, “S`kam adresë e po bie shi”. Elita e këngëtarëve botëror këndon anglisht, është gjë normale. Dhe nëse vazhdoj këtu, do të jenë në gjuhën angleze, kryesisht besoj. Edhe pse, kur e mendoj më mirë, çdo rresht i kënduar në këtë këngë kur përkthehet në shqip është kuptimplotë. Çdo këngë e imja ka shumë kuptime. Dhe çdo këngë e imja do të ketë shumë kuptime, pavarësisht gjuhës në të cilën do këndohet.

Nuk ke fshehur kurrë admirimin për veprën e Ismail Kadare. Meqë jemi këtu, ke takuar Kadarenë?

Kadarenë e takoj sa herë dua,në librat e tij. Parisi është i madh, kurse respekti im për njeriun Kadare edhe më i madh. Ofendimi më i ultë që do mund t`ia bëja shkrimtarit Kadare është ti « parkohem » tek dera duke dhunuar privatësinë. Jeta private është e shenjtë. Meqë ra fjala, e kam takuar shumë moti në Prishtinë, ishte me zonjën e tij. Atëbotë kisha lexuar vetëm dy vepra të tij, prandaj kisha «guximin e injorantit »të flisja me të për letërsinë në Kosovë dhe të bëja foto. Tash turpërohem nga sjellja ime. Nëse duhet ti them gjë, ia them publikisht. E tëra që mund të them është se i jap të gjithë nobelistët e letërsisë për një faqe të librit : “Letërkëmbim i zymtë”. (Me shkurtime nga Game Over)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here