Drama franceze “Rust and Bone” është emëruar filmi më i mirë në Festivalin e Filmit në Londër. Filmi flet për marrëdhënien intensive mes një trajnereje balenash dhe një boksieri.

Presidenti i jurisë së festivalit, David Hare, ka thënë se filmi është vlerësuar për “zemrën, dhunën dhe dashurinë”. Aktori kryesor në këtë film, Matthias Schoenaerts, është ngjitur në skenë ta pranojë çmimin në vend të regjisorit Jacques Audiard. Është hera e dytë që ky regjisor ka marrë çmimin më të madh të festivali londinez, pasi në vitin 2009 ishte shpërblyer për filmin e tij “A Prophet”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve të festivalit është mbajtur në “Banqueting House” në qendër të Londrës. Në festivalin që u përmbyll me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të shtunën mbrëma, për arritje në karrierë u nderuan Tim Burton, bashkë me bashkëshorten e tij aktore, Helena Bonham Carter. “Është mirë, sepse nuk do të ketë xhelozi në shtëpi”, u ka thënë gazetarëve Bonham Carter. “Është shumë mirë që të na japin dy çmime në të njëjtën kohë”, ka shtuar ajo.

Burton e ka pranuar trofeun nga aktori Christopher Lee, derisa gruaja e tij nga Trevor Nunn. Sally el Hosaini, regjisor e skenarist i “My Brother and Devil” është nderuar me çmimin për regjisorin më të mirë të ri britanik.

Ben Zeitlin ka marrë çmimin për debutuesin më të mirë origjinal në festival, derisa Alex Gibney ka marrë çmimin për dokumentarin më të mirë për “Mea Maxima Culpa: Silence in the House of God”, që eksploron abuzimet seksuale në një kishë katolike. Aktorët britanikë Tom Hiddleston, Helen McCrory dhe Olivia Colman kanë qenë në mesin e yjeve të pranishëm në këtë eveniment. Festivali nisi javën e kaluar me shfaqjen e animacionit të Burton, të realizuar në teknikën tredimensionale.

Festivali është themeluar nga viti 1957 me qëllimin që audiencës britanike t’i servonte filmat më të mirë të kinematografisë botërore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here