Radio Televizioni Shqiptar ka ngritur jurinë përfaqësuese të Shqipërisë, e cila do të votojë në natën gjysmëfinale dhe finale të Festivailit Evropian të Këngës, për të gjitha vendet konkurruese në Eurosong.

Juria përbëhet nga Sokol Marsi, Edison Miso, Eranda Libohova, Endri Sina dhe do të mblidhet në RTSH gjatë netëve të Eurosong-ut. Sistemi i votimit do të jetë si çdo vit, pra, juria do të votojë me pikë për të gjitha shtetet pjesëmarrëse (përveç Shqipërisë), në grupin ku merr pjesë dhe Shqipëria, në momentin që EBU hap votimin.

Gjithçka do të jetë përpara kamerave dhe në lidhje me “Eurosong”-un, por ndryshe nga sistemi “shqiptar” i votimit në vitet e kaluara. Edhe pse juri ka pasur edhe në edicionet e kaluara, ajo nuk ka fuksionuar në këtë mënyrë dhe asnjëherë nuk janë ditur emrat e saj.

Për sa i përket votimit të përgjithshëm në Festival, këtë vit si ndryshim nga vitet e mëparshme, tele-votimi apo votimi i publikut do të bëhet ndryshe. Në vitin 2010 dhe 2011, publiku mund të votonte në fillim të spektaklit ndërsa tani, publiku mund të votojë vetëm pasi të gjithë shtetet të kenë performuar. Kështu që pasi publiku të votojë, votat e jurisë dhe publikut do mblidhen së bashku (50:50), duke bërë rezultatet përfundimtare nga 1 deri 12. Sipas EBU, procedura e votimit (1-7, 8, 10 dhe 12 pikë), nuk do të ndryshojë sepse sipas tyre pika e 12-të është si simbol i vetë Eurosong-ut! Festivali Evropian i Këngës 2012 shënon edicionin e 57-të . Ai do të mbahet në Baku të Azerbajxhanit nga data 22 deri 26 maj. Këtë vit do të marrin pjesë gjithsej 43 shtete, në mesin e tyre edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga këngëtarja kosovare Rona Nishliu, e cila do të performojë në shqip me këngën “Suus”. Këngëtarja nga Kosova do të performojë në shqip gjatë natës së parë të festivalit, më 22 maj, së bashku me përfaqësuesit e Rumanisë, Greqisë, Rusisë, Belgjikës, Hungarisë etj. Këtë vit në Eurovizion do të konkurrojnë 37 këngë në dy net gjysmëfinale, 22 dhe 24 maj, ndërsa finalja e madhe do të jetë mbrëmjen e 26 majit.

Suksesi “fillestar” i Ronës…

Të dielën, Nishliu pati provat e para të festivalit të Eurovizionit në Baku dhe ata që ndoqën performancën e saj e vlerësuan maksimalisht. Komenti në faqen zyrtare është: “Rona Nishliu impresionoi çdokënd në arenë me vokalin e saj të fuqishëm. Ka performuar e vetme në skenë (pa ndihmën e asnjë vokali mbështetës), dominuar nga ngjyra e kuqe e ndriçimit. Fokusi ka qenë vetëm këngëtarja, për të vënë theksin te vargjet dhe muzika. Interpretimi i kësaj kënge dramatike ishte bindës dhe mjaft profesional”. “Jam shumë e lumtur që prezantoj vendim tim me një këngë, të cilën e dua shumë dhe që ka shumë domethënie për mua”, është shprehur vetë Nishliu, ndërsa nuk ka “rrëfyer” për sa i përket veshjes së saj gjatë performancës. Një detaj që do të mund të mësohet më 17 maj, gjatë provës së dytë përpara festivalit. Edhe pas kësaj prove, Rona do të dalë sërish para medies së atashuar pranë Eurovisionit. Për të mbështetur Rona Nishliun, në Baku ndodhet edhe autori i këngës, Florent Boshnjaku. Për regjistrimin e “Suus” është punuar në studiot e “Ocean Way Recording” dhe “Capitol Records” në Los Anxheles, ndërsa përpunimi i këngës u bë në studion muzikore “Sterling”, në Nju-Jork.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here