ZanNë shoqërinë shqiptare të kohës sonë po bëhen gjithmonë e më prezentë realitete të reja sociale duke filluar nga Facebook-u i cili ka përfshirë një numër shumë të madh të shoqërisë e deri tek Twitter e Instagram, të cilat po përdoren goxha shumë.

Ky trend është përhapur me të madhe në shoqërinë tonë e më seriozisht është marrë nga këngëtarët të cilët e kanë bërë këtë format formë e vend informimi për çdo hap që bëjnë.

Siç shkuan Tribuna, pavarësisht a flasin për karrierën e tyre apo gjërat që bëjnë gjatë ditës, Adelina Tahiri, Capital T, Zanfina Ismaili, B.b Poqi e Hana Cakuli bëjnë me dije për Tribuna se janë gjithmonë aty me statuse e fotografi të ndryshme për fansat.

Adelina e Capital T shpesh pre e keqpërdorimit

Adelina Tahiri është njëra prej fytyrave publike e cila çdo hap të saj e ndan me fansat e saj. Madje ajo këtë formë e sheh si një mundësi shumë të mirë për të qenë afër atyre që e pëlqejnë punën e saj. “Twitter-in e preferojë më shumë. Në Twitter më duket se jam më afër fansave të mi. Si për nga fotot ashtu edhe për statuset, Twitter-i është më real. Ndërsa Facebook-un nuk e përdori. Aty ka shumë profile të rrejshme në emrin tim, sa që ka ndodhur që të japin njerëzit intervistë në emrin tim”, ka thënë këngëtarja shkupjane.

Edhe Capital T një djalë shumë i pëlqyer nga të rinjtë, veprimet e tij profesionale i ndan me fansat nëpërmjet rrjeteve sociale. Ai edhe pse ka pasur përvoja të pakëndshme me Facebook-un, vazhdon ta përdor pasi që i duket një mënyrë e mirë të informojë njerëzit për punën e tij. “E përdori edhe Facebook-un edhe Twitter-in. E kam fun pag-in tim zyrtar në ‘Facebook’ ku mund të më gjejnë me emrin Capo Social dhe në Twitter me emrin Truth Capo.

Në të dyja jam aktiv në të njëjtën kohë”, ka thënë ai, duke e ndarë me ne edhe një përvojë jo aq të këndshme me rrjetet sociale. “Ka pasur shumë faqe të hapura të cilat e kanë keqpërdor emrin tim. Por tani i kam pastruar të gjitha. I kam bërë kërkesë atyre të Facebook-ut që t’i fshijnë faqet e hapura në emrin tim. Ata ma kanë aprovuar kërkesën dhe tani e kam faqen time zyrtare që ju tregova, ku mund të njoftohen të gjithë fansat me risitë rreth punës time”, ka shtuar më tej këngëtari.

Mani e pashmangshme edhe për Zanfinën, Poqin e Hanën

Në këtë mes të këngëtarëve të cilët përditshmërinë e tyre e ndajnë me fansat është edhe këngëtarja Zanfina Ismaili e cila shihet shpesh duke postuar të reja nga karriera e saj. “Unë më shumë e përdori Twitter-in. Faqe timen zyrtare në facebook nuk kam. Twitter më pëlqen. Është një zgjidhje e mirë për të informuar fansat e mi, rreth punës dhe angazhimeve të mija. Ndërsa kohëve të fundit edhe Instagrami po më pëlqen”, ka thënë Zanfina.

E në këtë temë nuk mund të lihet anash as rok këngëtari ynë B.b. Poqi i cili po ashtu është aktiv dhe mjaft i dhënë pas tyre. “I përdori rrjetet sociale. Çdo risi rreth angazhimeve të mija e publikoj aty. Është një mundësi e mirë kjo. Kisha me thanë marketing pa para”.

Edhe ulqinakja Hana Cakuli është aktive nëpër rrjetet sociale. Ndonëse më shumë e praktikon Facebook-un ajo ka pohuar se i përdor edhe faqet tjera, duke theksuar që informimi është arsyeja pse i përdor ato. “Mendoj se të tria i përdori paralelisht, por pak më shumë Facebook-un, meqë aty komunikoj më tepër dhe me një numër më të madh të fansave”. Hana ka shtuar se: “Informimi është definitivisht arsyeja pse i përdori rrjetet sociale. Aty postoj data, orare, postera në lidhje me atë se kur dhe me kë do të performoj”. Por, as ajo nuk ka mundur t’u ikë keqpërdorimeve të cilat iu ndodhin shumë fytyrave publike në këto llogari.

“Më ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh. Mundohem të mos çaj kokën për ketë. Por sikletosem sa herë që shoh dikë që poston në emrin tim dhe stili i shkrimit dhe drejtshkrimi nuk i ngjajnë aspak mënyrës se si shkruaj dhe shprehem unë. Këtë besoj fansat e mi të vërtetë e dinë dhe dinë ta identifikojnë se cila jam me të vërtetë”, ka përfunduar këngëtarja.

Rrjetet sociale kohës së fundit për pjesën dërmuese të këngëtarëve tanë mbetet këndi më i frekuentuar për lansimin e të rejave muzikore e gjërave që përbëjnë përditshmërinë e tyre. Madje, këto janë bërë një mani e pashmangshme, duke marrë një kohë të konsiderueshme nga përditshmëria e tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here