Aida Shtino prej shtatë vjetësh drejton një nga emisionet më të veçantë në vend. “Njerëz të humbur” duket si një film dramatik me histori të dhimbshme, të personave që kërkojnë lidhje me familjarët e humbur.

Kanë kaluar shumë vite punë, por Aida tregon se do të vazhdojë me misionin e saj, sa kohë që në adresë të emisionit të saj do të shkojnë denoncime për njerëz të humbur. “Shpresoj që një ditë të mos ketë më njerëz të cilët mungojnë”, thotë ajo duke shpjeguar se tashmë këta njerëz janë bërë pjesë e jetës së saj.

Veç emisionit, Aida ndan me lexuesin e “Mapo”-s edhe detaje nga jeta e saj si një nënë në karrierë; një femër që çdo ditë duhet të bëjë gazetaren dhe kryefamiljaren. “Për një gazetare femër realiteti shqiptar është pak i egër, por unë besoj se kur duam shumë diçka dhe i vëmë qëllim vetes asgjë nuk është e vështirë”, thotë ajo. Në rinisje të sezonit të ri Aida Shtino është po aq optimiste sa ditën e parë, edhe pse nuk e kishte menduar kurrë që rruga në kërkim të njerëzve të humbur do të ishte kaq e gjatë.

Aida, si ka qenë ky vit në TVSH për njerëz të humbur?

Ka qenë një vit i mbushur me punë, përkushtim dhe emocione të vazhdueshme në kërkim të atyre që mungojnë…

Sa njerëz keni arritur të gjeni në sezonin e kaluar?

Në 44 emisione që kanë shoqëruar gjithë sezonin e kaluar kemi arritur të gjejmë mbi 150 persona dhe në këtë mënyrë numri total i njerëzve të gjetur gjatë 7 viteve transmetim ka arritur në mbi 1600 persona.

Të përjetosh ankthet e familjarëve, por edhe gëzimin kur gjeni dikë që ka humbur… Cila prej tyre ka më shumë peshë te ju emocionalisht, gëzimi apo ankthi?

Janë emocione të forta që të dyja, por sigurisht gëzimi është ai që të ngre peshë, pasi përmbushet në këtë mënyrë misioni ynë.

Çfarë menduat në momentin që e keni marrë përsipër për të bërë një emision të tillë dhe çfarë mendoni pas kaq vitesh?

Në fillim kur e kam filluar, të them të drejtën nuk e kam menduar se do të arrija deri këtu në këto përmasa ku jam sot. Gjërat kanë ardhur natyrshëm dhe tani mbas kaq vitesh mendoj se ky ka qenë misioni im në jetë. E kam bërë me shpirt, sepse kështu e kam ndjerë.

A ka shumë raste të të humburve pas viteve 2000, apo më tepër janë të zhdukurit e fillimviteve ‘90?

Ka raste të të zhdukurve në fillimet e viteve 1990, por fatkeqësisht kemi denoncime edhe mbas vitit 2000, madje edhe kohët e fundit. Fenomeni i personave të humbur është i pranishëm në të gjithë botën, pavarësisht viteve. Njerëzit largohen në rrethana misterioze, pa lënë adresë dhe lënë mbrapa tyre një boshllëk që rëndon mbi familjarët e tyre…

Sapo keni nisur sezonin e ri. Si do të jetë vazhdimësia e tij?

Po. Sapo kemi transmetuar emisionin e parë këtë të mërkurë që kaloi dhe të them të drejtën ka pasur shumë telefonata në studio, njerëz që telefononin nga gjithë bota, informonin, uronin për një fillim të mbarë. Ka qenë një emision i mbushur me surpriza dhe gjithçka zhvillohej live. Gjithçka ishte reale dhe mendoj se kjo është e bukura e këtij emisioni, pasi gjithçka është reale dhe përjetohet shumë emocionalisht. Këtë sezon ne kemi futur një rubrikë të re të quajtur “Mistere të pazgjidhura”, ku futemi pak në botën shpirtërore, filozofike dhe historike të shumë realiteteve të ndryshme. Sigurisht duke i zbuluar ato dhe duke hedhur dritë mbi to. Besoj kjo pjesë që njerëzit do të ndjekin në vazhdim do të jetë diçka e re e sjellë në televizionet shqiptare. Deri atëherë më mirë do t’ia lëmë surprizë publikut për ta ndjekur në vazhdim…

Aida, a mund të mbarojë një ditë emisioni, në sensin që nuk do të ketë më familjarë të humbur?

Shpresoj të ndodhë kjo; që një ditë të mos ketë më njerëz të cilët mungojnë. Njerëz për të cilët familjarët mos të dinë nëse janë gjallë apo jo… Është një ankth pa fund që i shoqëron këta familjarë, duke mos ditur asgjë për ta, por sigurisht edhe për ne, pasi këta persona në njëfarë mënyre janë bërë pjesë e jetës sonë.

A lodhesh ndonjëherë nga puna që bën?

Sigurisht që lodhem, por unë kur punoj nuk mendoj lodhjen por rezultatin. Vetëm kur ne i gjejmë këta persona lodhja barazohet me zero dhe aty zë vend vetëm gëzimi që ndiejmë nga frytet e punës që bëjmë.

Në emisionin tuaj pjesa më e madhe është investigim. Cila është përkrahja më e madhe në këtë drejtim, veç publikut?

Sigurisht në plan të parë është publiku. Puna e palodhur dhe sistematike e gjithë stafit e sidomos e korrespondentëve si edhe një strategji e përcaktuar mirë për rrugët, por edhe mënyrën e kërkimit.

Keni menduar ndonjëherë për arsyen që do t’ju bënte të hiqnit dorë prej “Njerëzve të humbur”?

Nuk e kam menduar, pasi jeta është e gjatë. Nuk e dimë kurrë çfarë mund të sjellë e nesërmja, megjithatë nëse do të kem mjetet e duhura për ta vazhduar këtë punë që bëj sot, sigurisht që nuk besoj se do të hiqja dorë asnjëherë. Nuk jam person që tërhiqem kollaj.

Aida, ju jeni një femër në karrierë, po njëkohësisht edhe një nënë dhe kryefamiljare. Si i alternoni këto fusha të jetës suaj?

Mundohem t’i alternoj të dyja, pasi tashmë di shumë mirë të planifikoj kohën time. Për mua koha është gjëja më e çmuar dhe këtë mundohem ta bëj duke i dhënë kohën e duhur si punës, por edhe familjes sime.

Është e vështirë për një femër në realitetin shqiptar t’i bëjë të gjitha këto?

Në fakt, për një gazetare femër realiteti shqiptar është pak i egër, por unë besoj se kur duam shumë diçka dhe i vëmë qëllim vetes asgjë nuk është e vështirë. Pavarësisht realitetit, çelësi është te rruga që do të zgjedhësh për t’i realizuar qëllimet e tua.

Cila është gjëja e parë që bëni në mëngjes dhe veprimi i fundit përpara se të shkoni për të fjetur?

Gjëja e parë në mëngjes, që bëj pasi çohem nga gjumi, është që të përcjellë djalin tim për në shkollë. Ndërsa në mbrëmje punoj në kompjuter për ditën që do të vijë, duke e planifikuar atë.

Si i ke raportet me djalin, i cili është në moshën e adoleshencës?

Mundohem të jem çdo çast pranë tij në mendime dhe këshilla, pa u bërë e bezdisshme, por duke i lënë edhe atij hapësirë për të krijuar pavarësinë e tij tashmë.

Çfarë mendon ai për punën tuaj?

Tashmë ai ka vite që është mësuar me punën time, madje shpeshherë shumë histori i diskuton me mua.

E sheh shpesh emisionin tuaj?

Po, po e sheh edhe më jep mendimin e tij për çdo rast.

Cilat janë dëshirat që ushqeni për të?

Sigurisht, dëshirat janë të shumta, si çdo nënë për fëmijën e saj. Unë do të dëshiroja që ai për asgjë në botë të mos shkelë mbi parimet e tij.

Aida, ju kanë zhgënjyer ndonjëherë njerëzit që i keni mbajtur afër?

Po. Nëse do të thoja jo, do t’ju gënjeja. Megjithatë, zhgënjimet janë jetësore. Ne jemi qenie njerëzore dhe jo hyjnore.

Cila ka qenë periudha më e vështirë që ju është dashur ta kaloni si femër?

Periudha më e vështirë ka qenë kur më është dashur të jem kryefamiljare dhe të përballoj jetën, duke ruajtur të shenjtë parimet e mia si edhe dinjitetin tim.

I besoni më kollaj një mikeje apo një miku?

Unë besoj te vlerat pozitive të një mikeje apo miku.

Sipas teje, a janë femrat me njëra-tjetrën aq të vështira sa ç’është dhe miti që ekziston lidhur me këtë?

Jo, nuk besoj se femrat janë të vështira, por duhet të gjesh çelësin dhe rrugën e duhur për të mbërritur tek to.

E mendon veten të martuar sërish?

Nuk mendoj asgjë rreth kësaj teme…

Mendon se në Shqipëri ekziston një mentalitet tabu lidhur me këtë temë?

Jo. Nuk mund të them se ekziston një mentalitet tabu, pasi besoj se tashmë gjërat kanë ndryshuar. Çdo njëri nga ne njëherë vjen në këtë jetë dhe mendoj se në jetën e tij nuk duhet të zvarritet, por duhet të jetojë!

Nëse do të shkruanit një libër për jetën tuaj, si do ta kishte titullin ai?

Aida.

Dashuria është një çast apo përjetësi?

Koncepti mbi dashurinë për mua është abstrakt… Ndoshta është vetëm një çast, por që ngelet në përjetësi dhe nuk përsëritet më…

Jonida Hitoveizi Gazeta MAPO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here