Shpesh, në perceptimin tonë, një personazh VIP është imazhi i një njeriu perfekt, i cili ka lindur për të qenë i adhuruar nga njerëzit. Prandaj dhe jeta e tyre, përtej karrierës, është një kuriozitet më vete.

Ne presim të mësojmë dimensionin përrallor të jetës së dikujt që ka fansa pa fund, presim të njohim botën shpirtërore të një artisti, e cila sipas logjikës së njeriut të zakonshëm, duhet të jetë shumë interesante, por mbase kur mësojmë disa të vërteta të hidhura, zhgënjehemi pak.

Ashtu u ndjemë edhe ne teksa modelja nga Kosova, Edita, një 22-vjeçare shumë simpatike, kërkoi të ndante me ne dhe lexuesin tonë disa dëshmi dramatike mbi një copëz jete të saj, e cila lidhet me një personazh shumë të njohur të botës së hip-hopit në Shqipëri. E kemi fjalën për Noizy-n, këngëtarin që për zhanrin që ai lëvron, është bërë shumë i pëlqyer. Në kompeticione muzikore, çmimi i internetit është gjithmonë i tiji. Por mbase këta ndjekës dhe klikues besnikë të tij është mirë që të dëgjojnë edhe historinë e Editës.

Një histori jo si të tjerat, e cila nuk ngjan aspak me flirtet njëjavore që ne kemi publikuar herë pas here për këtë këngëtar. Ka diçka më shumë se kaq…

Edita, ti je një personazh i panjohur në Shqipëri, mund të na tregosh fillimisht diçka për veten?

Unë jam 22 vjeç, jetoj në Prishtinë dhe punoj si fotomodele.

Si dhe kur e ke njohur Noizy-n?

Jemi njohur gjatë kësaj vere nëpërmjet një miku të përbashkët. Më pas, ai ka ardhur në Prishtinë thjesht për të më takuar mua, pra u lidhëm si të dashur.

Si funksiononte lidhja juaj?

Mund të them që nuk ka qenë një lidhje stabël. Unë mendoja se ai nuk më jepte përkushtimin dhe vëmendjen e duhur, sepse në verë kishte dhe shumë koncerte, pra ishte i zënë. Më vonë kuptova se nuk ishte kjo arsyeja, por sepse vetë Noizy nuk ishte një njeri stabël, jo vetëm me të tjerët, por as me veten e tij.

Çfarë partneri ishte Noizy, dukej se kishte rënë në dashuri me ty?

Prej atij njeriu nuk mund të pretendosh dashuri, se ai nuk dashuron as veten e tij.

Pse pranove atëherë të krijosh një lidhje me një njeri kaq problematik?

Problemi është se unë fillova ta njoh më vonë.

Çfarë të zhgënjeu konkretisht tek ai?

Karakteri i tij, mënyra se si është formuar. Ai nuk di të më respektojë jo vetëm mua, por gjithë gjininë femërore. Ai sillej njësoj, si me një femër që kishte pesë minuta njohje, ashtu dhe me një që e kishte të afërt.

Kur u lidhët, ai të premtoi një histori serioze?

Jo.

E megjithatë ti përsëri pate një lidhje intime apo jo?

Po, dhe këtu filloi gjithçka të komplikohet.

Në ç’sens të komplikohet?

Sepse unë ngela shtatzënë.

Si reagoi ai kur e mësoi lajmin?

Nuk donte ta besonte, nuk donte ta pranonte. Këtu filloi edhe shkëputja. S’ma hapte më telefonin, nuk u përgjigjej SMS-ve të mia. Pra, nuk ma varte më, a thua se nuk kisha ekzistuar asnjëherë në jetën e tij.

Çfarë ndjeve kur pe që do ta përballoje e vetme këtë moment?

Si mund të ndihet çdo femër në një rast të tillë, nuk gjej fjalë ta përshkruaj.

Ti çfarë bëre më pas, çfarë vendose për fëmijën?

Ai nuk i doli për zot fëmijës së tij dhe mua nuk më mbeti gjë tjetër, por bëra atë që një njeri me mend në kokë nuk duhej ta bënte kurrë, pra abortova. (qan)

Sa kohë ke që ke abortuar dhe sa javësh ishte fëmija?

Kam dhjetë ditë që kam abortuar, ndërkohë që fëmija ishte gjashtë javësh.

Si u ndjeve pasi e shkëpute atë krijesë nga trupi yt?

Isha në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe po shkoja me këmbët e mia të  bëja një veprim jashtë vullnetit. Nuk do doja kurrë ta kisha bërë…

Nëse Noizy do ta kishte pranuar fëmijën, do ta kishe mbajtur?

Natyrisht që po.

E vuan ende atë moment?

E vuaj shumë dhe besoj se do ta vuaj për gjithë jetën time.

Pse mendon se u largua Noizy nga ti, sepse ai nuk pranon përgjegjësi, apo sepse mund të kishte ndonjë lidhje tjetër?

Ai mund të kishte edhe disa lidhje paralele, se atë tip ka. Noizy është njeri pa ndjenja dhe i papërgjegjshëm me femrat. Por edhe lidhje tjetër kishte. Gjatë kohës që ai më fshihej dhe nuk u përgjigjej telefonatave të mia, unë isha në Tiranë dhe rastësisht u kryqëzuam me makina. Ai ishte me Tunën në makinë. Ai iku me makinë me shpejtësi dhe nuk e kapa dot.

Ti mendon se ai ka një lidhje me Tunën?

Ma merr mendja se po.

Pra ti mendon se ai të la sepse filloi një lidhje me Tunën?

Një fjalë e urtë popullore këtu në Kosovë thotë; “Daullja bie për ata që kanë veshë”.

Pse vendose ta bësh publike rrëfimin tënd?

Sepse më ka lënduar shumë shpirtërisht dhe moralisht, sepse dua t’ju tregoj fansave të tij se kush është Noizy i vërtetë.

Ti si mendon, një njeri që qenka kaq i keq, pse ka kaq shumë fansa?

Unë personalisht nuk jam fanse e tij. Fansat e Noizyt janë kryesisht adoleshentë dhe këtë e kam parë në koncertet e tij. Pra nuk e pëlqen ajo shtresë që ka shije të kultivuara për muzikën. Le ta mësojnë edhe ata se cili është idhulli i tyre në jetën reale, një individ që e shkel me këmbë një femër. Për mua nëse nuk di të respektosh një femër, je askush edhe nëse Zoti të ka dhënë talentin më të madh të botës.

Së fundi, duke patur parasysh se ti po bën një akuzë shumë të rëndë publike, nëse Noizy do të kërkojë provat e abortit, ti i disponon ato?

Po, i kam të gjitha.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here