Këngëtarja Rozana Radi nuk ia fali koleges së saj Rezarta Shkurta përleshjen fizike të mbrëmjes së vonë të 5 dhjetorit 2010, ku Radi u shfaq me një sy të nxirë, pas një përleshjeje fizike me kolegen e saj.

Pajtimi mes të dyjave, i kërkuar nga Gjykata e Tiranës, nuk është realizuar për shkak se Rozana Radi, e pyetur nga gjykata në cilësinë e paditëses, nuk pranoi. Ditën e djeshme, Rozana Radi u paraqit në seancën gjyqësore në ngarkim të Rezarta Shkurtës, e akuzuar nga prokuroria për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje” në lidhje me këtë ngjarje.

Burime pranë Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se Rozana Radi i është përgjigjur negativisht pyetjes së trupit gjykues nëse do ta falte Rezarta Shkurtën.

“Dua të ndjek rrugën ligjore”, mësohet të jetë shprehur Rozana. Në vijim, gjykata ka proceduar me marrjen e dëshmisë së saj rreth “përplasjes” së ndodhur mes dy këngëtareve, në dhjetor 2010, pranë Liqenit Artificial. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se dëshmia e të dëmtuarës Rozana Radi ka zgjatur rreth 40 minuta.

Po sipas burimeve, në dëshminë e saj para gjykatës, ajo u ka qëndruar besnike deklarimeve të dhëna përpara prokurorëve gjatë fazës së hetimeve. Në seancën e ardhshme të këtij procesi, pritet të dëgjohet dëshmia e vetë të pandehurës Rezarta Shkurta. Po ashtu, në seancat e ardhshme pritet të paraqiten si dëshmitarë në këtë gjykim edhe këngëtarë të tjerë, mes të cilëve edhe Sinan Hoxha.

Deshmia
Në Prokurori, Rozana ka rrëfyer të gjithë historinë e zënkës së saj me Rezarta Shkurtën, nga lindja e deri në momentin që gjithçka precipitoi në sherr të rëndomtë me përleshje fizike. Sipas Radit, sherri kishte nisur në një program televiziv në Kosovë, të quajtur “VIP shtëpia”.

Referuar deklarimeve të Radit, debati ka filluar për arsye të kota dhe ka degjeneruar më vonë deri në fyerje familjesh dhe personale midis njëra-tjetrës. Po sipas saj, në vijim ato janë ritakuar në një festë pas përfundimit të “Këngës Magjike”. Pak ditë më pas, e ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit, pyetjes së Çanit nëse i kishte sheshuar problemet me Shkurtën, Radi i është përgjigjur që faljen e ka institucion.

Por, sipas deklarimit të Radit, pas këtij emisioni, në adresën e saj në Facebook kanë mbërritur fyerje pa fund nga Rezarta Shkurta. Në vazhdën e debatit në Facebook, që sipas Radit është shoqëruar me fyerje të rënda nga ana e Shkurtës, ato kanë lënë një vend për t’u takuar, pranë digës së Liqenit Artificial. “Mora makinën time “Peugeot 206? me ngjyrë gri në bojë qielli dhe shkova në drejtim të vendit ku më tha Rezarta. Isha vetëm dhe po drejtoja makinën time. Ndërkohë që, sapo u shkëmbeva me një benz vishnje që ishte parkuar me drita fikur, më telefonoi Rezarta dhe më tha: “Ndalo se jam mbrapa teje”.

Unë ndalova makinën në cep të rrugës, hapa bllokazhet e dyerve. I thashë Rezartës, që erdhi nga dera e shoferit, që të dilte nga dera e pasagjerit dhe të hipte në makinë, me mundësinë që të bënim një xhiro për të sqaruar problemet. Rezarta nuk pranoi. Hapi derën time, të shoferit normalisht. Unë mendova të dilja nga makina që të flisja me të. Në momentin që po ngrija frenat e dorës, Rezarta m’u hodh sipër duke më sharë, gjuajtur me grushte dhe shkulur flokët.

Në këtë moment, duke qenë se kisha dalë nga një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks, kam ruajtur pjesën e bustit dhe kam lënë fytyrën zbuluar, ku Rezarta më qëlloi më shumë. Pas këtij momenti kam arritur të dal nga dera e makinës dhe në momentin që dola, prapë m’u hodh për të qëlluar. Doli një mashkull nga makina ku ishte Rezarta, benzi vishnje që përmenda, dhe u drejtua menjëherë drejt nesh, duke më kapur mua të dyja duart, ndërsa Rezarta më gjuante në fytyrë.

Pas shumë pak sekondash pashë dritat e policisë që qarkullonin në zonë. Mashkulli që ishte me Rezartën, ishte Ermal Hoxha, burri i saj, të cilin e njihja prej shumë kohësh. Menjëherë ika drejt makinës së policisë dhe i dola para. Nga makina dolën dy policë, të cilët me thanë: “Rozana, çfarë ke?”. U kërkova të më shoqëronin në komisariat mua, Rezartën dhe Ermalin”, ka rrëfyer Radi në Prokurori.

E pandehura
Rezarta Shkurta, e pandehur në këtë gjykim në Gjykatën e Tiranës, është shprehur se marrëdhënia mes saj dhe Rozana Radit ka qenë gjithmonë e pasinqertë. “”Marrëdhënia jonë ka qenë gjithnjë e pasinqertë, sepse Rozana Radi më parë ka qenë e lidhur me bashkëshortin tim të tanishëm. Më pas, ne kemi pasur një mosmarrëveshje në VIP Shpia”, është shprehur Shkurta. Njëkohësisht, ajo është shprehur se nuk ka e ka goditur Radin, por vetëm është vetëmbrojtur, pasi ishte sulmuar prej saj.

Ngjarja
Përleshja fizike mes dy këngëtarëve është shënuar pak orë pas mesnatës së 5 dhjetorit 2010. “Më datë 06.02.2010, rreth orës 03:00, e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi, duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës’, thuhej në kërkesën për gjykim të prokurorisë. Po sipas saj, duke iu referuar provave dhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, rezulton se Rozana Radi është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe Rezarta Shkurta vetë nuk ka pasur asnjë dëmtim./panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here