Një nga këngëtaret më të përfolura së fundmi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ka vendosur të na rrëfejë në këtë intervistë të gjitha të vërtetat e saj lidhur më këngën, jetën, dashurinë…

Rovena Stefa tregon për projektet e rëndësishme, sukseset e vitit që shkoi dhe sqaron të gjitha thashethemet që janë thënë për të. Të gjitha mund t’i zbuloni në përgjigjet e sinqerta që Rovena na ka dhënë…

Rovena ju njiheni si një nga këngëtaret e para që i keni kënduar “Shqipes”. Kohëve të fundit ne kemi parë që mediat tona si dhe shumë këngëtarë të tjerë janë duke bërë të njëjtën gjë. Si mendoni, ata janë bërë më shumë patriotë apo kjo shihet si një mënyrë përfitimi?
Po, është e vërtetë kjo “modë” e të kënduarit të këngëve patriotike nga të gjithë këngëtarët apo jo këngëtarët, të njohur apo jo të njohur, madje deri edhe në vetë televizionet e njohura shqiptare. Rrugët e mia jashtë Shqipërisë u hapen që në vitin 2002 dhe unë pata mundësinë dhe fatin e madh të shoh nga afër vlera të vërteta shqiptare jashtë kufijve. Të mos harrojmë që të gjithë ne shqiptarët e Shqipërisë vijmë nga një periudhë mbylljeje dhe totalitarizmi ekstrem dhe si rrjedhim largimi i atdhedashurisë ishte mëse i kuptueshëm për ato vite. Këto ndjenja të forta patriotizmi që i pashë në “sipërfaqe” të shqiptarëve jashtë kufijve, u përpoqa gjithë këto vite t’i nxjerr në pah përmes këngës sime, qoftë asaj të jugut, ashtu edhe asaj të veriut. Ky fenomen pozitiv ka ndodhur edhe së fundmi edhe me hapjen e rrugës së kombit si dhe komunikimeve të vazhdueshme të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve. Dhe më bëhet zemra mal tek e shoh këtë gjë të ndodhë, por dua të vë theksin mbi të gjithë ata, mediatikë ose jo, që me lupën e tyre zvogëluese janë përpjekur gjithë këtë periudhë të më përcaktojnë si një patriote të tepruar deri edhe nacionaliste, po të njëjtët të cilët sot këndojnë “Xhamadani Vija Vija, është Kosova është Shqipnia”!
Kujt këngëtar i referoheni për këngët patriotike? Duam emra?
E dinë ata vetë…(qesh)
Rovena, nga thashethemet e fundit që kanë qarkulluar për ju, kemi dëgjuar shumë debate për këngën “Dëgjo Rovin”. A mund të na shpjegoni diçka më shumë rreth kësaj?
Kënga “Dëgjo Rovin” ishte prezantuese e albumit me të njëjtin titull që doli këtë verë së bashku edhe me videoklipin e realizuar në bregdetin shqiptar. Sigurisht gojët e liga edhe këtë herë u munduan të hedhin baltë mbi këngën time, me keqdashje duke mos u thelluar në përmbajtjen e tekstit. “Dëgjo Rovin” lindi si ide pas pjesëmarrjes sime në reality show-n “Vip Shpija” në Kosovë, ku shprehja “Dëgjo Rovin”, u shndërrua në hit nga banorët. Ne e lidhëm idenë e “Dëgjo Rovin”, me një tekst ku do të promovonim turizmin shqiptar. Pra në tekst thuhet “hajde shkojna pak në Durr’s të bëjm’ qejf deri n’gusht, pasandej’ shkojna e rrim’ ndaç n’Tiran’ e ndaç n’Prishtin’.” Natyrisht që promovimi i turizmit përmes muzikës është një metodë shumë e zakonshme në vendet e zhvilluara, madje ministritë e këtyre vendeve falenderojnë artistët duke i mbështetur edhe financiarisht  videot e tyre. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta, promovohen video dhe përkrahen edhe nga mediat ato të cilat promovojnë turizmin fqinj. Dhe ju siguroj me keqardhje që kjo gjë ndodh vetëm tek ne.
Rovena,ju kohëve të fundit po qëndroni në Kosovë?
Aktualisht jemi zhvendosur në Prishtinë bashkë me menaxheren time për të ndjekur nga afër përveç muzikës disa projekte të tjera për të cilat do t’ju tregoj së shpejti konkretisht…
Po nga jeta juaj private, ç’keni për të na thënë? Ju nuk është se flisni shumë për të apo jo?
Unë e pëlqej dhe shijoj çdo moment të jetës sime, si atë profesionale ashtu edhe atë private. Unë e dua shumë natyrën me të gjithë elementët e saj dhe anën e saj komplekse, e dua diellin, e dua boren, e dua malin, por mbi të gjitha e dua njeriun!

A ka një mashkull në jetën tuaj? Kemi dëgjuar që është pikërisht një mashkull arsyeja që shkoni kaq shpesh në Kosovë?
Jo, nuk është e vërtetë aspak. Ju tregova edhe më lart se janë disa projekte të tjera, jashtë muzikës për të cilat po punojmë dhe që do t’ju tregojmë së shpejti.
Kush janë më të mirë çunat e Shqipërisë apo të Kosovës?
Ne shqiptarët në përgjithësi i kemi qeniet e mira dhe të bukur jemi si në veri ashtu edhe në jug.
Para pak ditësh doli një shkrim i cili ju quante armike të Big Mamës. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Siç thashë edhe më përpara disa njerëz përpiqen në mënyra të ndryshme të pengojnë punën time dhe të dëmtojnë personalitetin tim. Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë që thuhet pasi unë nuk kam kohë të bëj armiq. Kohën time e shpenzoj për të bërë miq. Si natyrë nuk jam aspak hakmarrëse pasi eci me moton “Sheh Zoti”.
Përfliteni se jeni një nga këngëtaret më të paguara shqiptare. A mund të na flisni për shifra?
(qesh) Faleminderit për kategorizimin…Unë punoj shumë, udhëtoj, krijoj dhe jam gjithnjë në zhvillim artistik. Në showbiz sot çdo gjë blihet edhe shitet me para, ashtu si në çdo fushë të jetës, por ajo që është më e rëndësishmja është që pasioni im i madh është muzika dhe këtë nuk e tjetërson asnjë lloj monedhe!
Rovena si ishte për ju 2011-ta dhe çfarë mendoni se do t’ju sjellë 2012-ta që sapo ka filluar?
Babagjyshi i Vitit të Ri 2011 më solli mjaft dhurata këtë vit dhe kënaqësi shpirtërore të pamasë, e cila nuk ka të paguar. Nga ana profesionale pata shumë aktivitete, një verë plot me koncerte në Rovena Club dhe 3 videoklipe, një album muzikor dhe mjaft xhirime të fundvitit. Por nuk mbaroi me kaq. Ditët e fundit të vitit babagjyshi më solli një Jaguar me të cilin do të përshkoj më shpejt rrugën Prishtinë–Tiranë. Për vitin 2012 u uroj të gjithë shqiptarëve fat, suksese dhe sa me shumë dashuri!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here