Rovena Dilo s’dorëzohetKëngëtarja e festivaleve dhe e çmimeve, Rovena Dilo, pikërisht tash e njëzet e pesë vjet u ngrit për herë të parë, si një meteor në skenën artistike, skenike dhe u paraqit në ekranet televizive, si një femër e bukur, e cila, qysh në fillim dëshmoi se shpejt, do të bëhej emër.

Dhe, vitet kalonin, kurse Rovena po ‘piqej’ artistikisht dhe intelektualisht. Ajo, po bëhej një artiste e veçantë dhe me një ego të fortë e shpirt të madh.

Bisedoi: Shaqir Foniqi
Rovena s’dorëzohet për asnjë çast, por duke ruajtur nivelin e saj, ajo po ngritët shkallë-shkallë, deri në piadestal. Pra, Rovena serioze, tashmë është emër serioz dhe këngëtare e formuar, me një shkëlqim bravuroz. Ajo, tashmë konsiderohet artiste klasi të lartë!

Rovena, fillimisht, na përshkruani ecejaken tënde artistike, si fillore, kur fillove…, ndonëse shumë gjëra për ty, tashmë dihen?

Rruga ime është e gjatë. Tashmë po bëhen njëzet e pesë vjet që për herë të parë jam ngritur në skenë. Ishte viti 1999 ku debutova në një shou, si drejtuese e emisionit, “Mbrëmje kulturore”, në krah me Adi Krastën, pastaj angazhimet dhe sukseset erdhën varg e vijë. Më 1993, në Festivalin, “Këngët e stinës”, u paraqita me këngën ‘Nëse natën vij’, ku fitova vendin e dytë. Pastaj pasuan këngët ‘Kam frikë nga dashuria’ dhe ‘Simpati’, nga Alfred Kaçinari, me të cilën u paraqita në “Këngët e stinës 1994”. Më 1996 u angazhova në Festivalin Kombëtar, me këngën e Alfred Kaçinarit ‘Kërkoje fatin tim!’. Ndërsa, më 1997, u paraqita në “Këngët e stinës”, ku kënga ime ‘Hape qiellin për mua’, u shpall kënga e katërt. Më 1998, u paraqita me këngën ‘Qyteti im’. Po në këtë vit, në “Fest ’99” këndova këngën, ‘Fjalë të përjetshme’ të Edmond Zhulalit dhe u vlerësova si interpretuesja më e mirë.

Në, “Kënga magjike ’99”, fitova vendin e tretë të Festivalit dhe çmimin e parë të publikut (ishte një baladë e A.Gjebresë dhe A.Kaçinarit). Po në “Fest ‘99” këndova me Orkestrën ‘Gazzibo’, me muzikë të F.Tudes. Më 2000, me këngën, ‘Ante i tokës’, fitova çmimin e parë në Festivalin kombëtar. Po në këtë vit, në “Kënga magjike”, fitova çmimin e dytë, ndërsa një vit më vonë, çmimin e parë në duet me Pirro Çakon, me këngën ‘Për një çast më ndali zemra’. Pastaj në ‘Kënga magjike’, fitova çmimin e dytë me këngën ‘Antinostradamus’, me muzikë të Pirro Çakos. Albumi im i parë titullohej ‘Ante’ dhe doli në fundvit me 12 këngë, ku për pesë, tekstin e kam shkruar vetë. Bashkë më CD, kisha botuar edhe një libërth, në 16 faqe.

Tashmë dihet mirëfilli se ju e përfillni thënien se arti nuk e duron nxitimin, prandaj dilni para publikut, vetëm kur keni vlera të verifikueshme dhe të dëshmuara. Është kështu?
Në kohën që po jetojmë, aman mjaft me gjëra të tilla. U buuuu, sa shumë shund dhe kiç, çelu tokë. Çdo gjë është komercializuar deri në skajshmëri dhe më nuk dihet ç’bëhet, këtu tek ne dhe,tek ju, atje? Zot bëje mirë.
Poashtu, cilësoheni si artiste e sfidave, të cilat, sikur ju motivojnë që të shpërtheni plot art dhe emocion?
Ah, sa sfidat më kanë përcjellur në jetë, e besa ende vazhdojnë të më përcjellin, por kam qëndruar, jam mbajtur Rovenisht dhe nuk jam dorëzuar për asnjë çast, anipse një këngë imja quhet ‘Dorëzohem’ dhe tjetra, ‘Për një çast më ndali zemra’. Tovena, vazhdoja të punoja më të njëjtin elan dhe fuqi, pa u dorëzuar kurrë, para asnjë stuhie dhe sfide të pritur e të papritur.

Si e kuptoni ju artin, si diçka e brendshme që ‘vret’, apo si një komercializëm, i cili, poashtu vret vlerat dhe krijon një terren devalvues deri në shpërfytyrim?
Unë e kuptoj artin si art. Natyrisht arti i mirëfilltë ‘vret’ nga brenda, sepse ke të bësh më shpirtin. Dhe, rruga e artistit nuk është e shtruar me lule, por, ne artistët, sikur me vetëdëshirë kemi zgjedhur këtë flijim në emër të artit. Unë, nuk pendohem kurrë për këtë flijim dhe sakrificë. Vërtet, tashmë komercializmi na ka ngulfatur në fyt, por unë besoj se kjo shtrëngatë, do të kalojë. Gjërat do të vihen në rend dhe në vend. Do të dihet çka është art dhe çka është e kundërta e tij. Nëse nuk ndodh kjo, vaj halli për neve…

Si i vlerësoni rrjedhat e sotme në muzikë. Ka mbetur ende diçka nga vlerat, apo ato po përballen me patosin ironik dhe po mbijetojnë në sajë të sakrificave të mëdha. Pra, a po e bëjnë grahmën e fundit, edhe ato pak vlera?…
Ndoshta nuk do të thosha se vlerat po e bëjnë grahmën e fundit, ama janë ngulfatur shumë. Por, sikurse e ceka më lartë, kam bindjen se vlerat do të shkërmoqin antivlerat dhe do të dihet të dallohet e mira nga e keqja. Boll më…
Kush është sipas jush fajtori kryesor për këtë që po ndodh me artin tonë muzikor?

Ka shumë faktor. Rrethanat, situata e rëndë ekonomike, tregu, komercializmi dhe (mos)formimi i duhur i shijes së shikuesve. Shteti e ka përgjegjësinë e vet, sepse kudo në botë këto gjëra rregullohen me ligj. Kultura duhet të ruhet institucionalisht dhe jo privatisht. Çdokush mund ta provojë vetën, por duhet të jetë një komision, si një lloj filtri për të thënë: ky bën, ky nuk bën, kjo vlen,kjo nuk vlen…
Kënga juaj ‘Dorëzohem’, nuk besoj se flet se ju, tashmë jeni dorëzuar. Egoja juaj e fortë, nuk e pranon dorëzimin, apo jo?
Jo, jo, kënga nuk ka të bëjë fare më mua. Unë nuk e njoh dorëzimin, pra kurrë në jetë nuk e kam ngritur dhe as që do ta ngris flamurin e dorëzimit. Jam karakter që luftoj deri në fund dhe nuk e njoh falën kapitullim. Mos qofsha Rovenë, nëse e bëj këtë. Ti, Shaq, më njeh! “Shija e durimit është e hidhur, por përfundimi i tij është i lumtur”!

o
Kohëve të fundit jeni zbuluar edhe si kërcimtare mahnitëse, në spektaklin e TV, Vizion Plus “Dancing with the star”, ku po paraqiteni mjaft bindshëm dhe e sigurt në një garë të fortë. Cili ishte motivimi juaj që të bëheshit pjesë e këtij Spektakli?
Qysh si fëmijë kam patur afinitet edhe për kërcim dhe besoj se kjo po vërehet edhe në ekran. Unë, kërcej bashkë me Eltionin dhe deri më tashti jam e kënaqur me atë që kemi treguar. Varet nga votat tuaja se kush do të triumfojë. Po përgatitemi shumë dhe kjo ka bërë që të humbas edhe në peshë, sepse të ushtrosh nga tre-katër orë në ditë dhe të kërces, nuk është edhe aq lehtë. Unë, shpesh polemizoj edhe me jurinë, sepse e kemi edhe mundësinë dhe të drejtën të mbrojmë paraqitjet tona. Deri më tashti gara është korrekte dhe lë të fitojë, ai çift që e meriton. Zaten, vetë gara është një pasion…

Ajo që bie në sy është edhe niveli juaj i lartë, i ‘polemizimit’ me anëtarët e Jurisë, ku shpesh dilni bindëse dhe fitimtare? Është kjo një aftësi juaja shtesë, duke qenë edhe një femër e formuar intelektualisht?
Mbase është pikërisht që thoni ju. Jam kategorike që të mbrojë atë që mund ta mbrojë dhe kur kam të drejtë. Natyra e spektaklit, disi ta ofron këtë mundësi, prandaj, ne, në njëfarë mënyre jemi avokator të vetvetes, por në fund vendos juria dhe ne duhet t’i bindemi. Por, megjithatë, janë votat e shikuesve në fund që e përcaktojnë fituesin.

Perlat tuaja kanë mbetur si shenja kohe dhe një arti suprem. Mbase, pjesë e suksesit janë edhe tekstet e zgjedhura si dhe e kompozitorëve?
Arti, për aq sa është komplet, poaq është edhe kompleks. Është punë ekipore dhe, poqese diku nuk funksionon, i tërë projekti dështon. Unë, kam patur fatin e mirë që të punoj me kompozitorë të mirë, tekstshkrues, prandaj finalja del e përkryer. Jam e kënaqur që këngët e mia po e përballojnë kohën. “Ars Longa, Vita brevës”, thonë latinët e vjetër. Pra, arti është i gjatë, jeta është e shkurtër!
Kur jemi tek tekstet, ju shkruani edhe vet tekste, e veçanërisht poezi. Madje, po përgatisni një vëllim poetik. Prej nga ky shpërthim elitar shpirtëror?
Sikurse ju thashë, për shumë këngë, tekstet i kam shkruar vet. Poashtu, sikurse ju thashë, poezinë e kam hobi dhe, tashmë do të dalë më një vëllim poetik, sepse konsideroj se poezia, si një lëng i shtrydhur i zemrës, do të flas me zemër dhe poezitë janë njëfarë eliksiri shpirtëror. Të shoh, si do të priten nga lexuesit. (Kam dëshirë që ju miku Shaq, t’ i lexoni dhe vlerësoni), para se ta shohin dritën…

Bie ne sy edhe veshja juaj me shije bukurie. Kush po kujdeset për të gjithë pamjen e jashtme, në mënyrë që të reflektoj (edhe) pamjen e një bote të madhe tuajën, të brendshme artistike?
Sado që në shikim të parë duket formë, pamja e jashtme, doemos krijon njëfarë disponimi të brendshëm. Kryesisht vet kujdesëm për vetën time, por e kemi edhe stafin profesionist të “Dancing…”
Dhe, pyetja rutinë, që zakonisht bëhet në fund. Kur do t’iu shohim në Prishtinë?
Kurdo që marr ndonjë ftesë serioze!

Faleminderit për intervistën ekskluzive për lexuesit e Telegrafit?
Faleminderit juve Shaqir, që saherë vini në Tiranë, më sillni pak Prishtinë, në ditët e mia Tiranse. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here