Këngëtarja Rosela Gjylbegu sapo ka lançuar këngën e saj më të re, bashkëpunim me Sinan Vlasalliun. Kënga, një baladë dashurie vjen e mirërealizuar dhe ajo që bën përshtypje është pamja e Roselës.

Duhet thënë se kësaj kënge të bukur nuk i ka munguar edhe një klip po aq profesional. Kënga titullohet “Formula e lumturisë” dhe për këtë “formulë” por edhe për shumë gjëra të tjera Rosela flet në këtë intervistë. Rosela rrëfen projektet që do të pasojnë këtë këngë, por edhe lidhjen e saj me politikën dhe pse nuk e sheh veten pjesë të saj.

Megjithëse dëshira për pushtet jo vetëm në muzikë por edhe në vendimmarrje nuk duket se është aq e fshehur tek këngëtarja e talentuar, e cila lidhur me këtë pjesë citon se “kush nuk do dëshironte të kishte pushtet! Jetës nuk i dihet asnjëherë!”. Por derisa ajo ditë të vijë fansat do të kenë mundësi të shijojnë gjithnjë e më shumë këngët e bukura të Rosela Gjylbegut, e cila duke buzëqeshur thotë se ndihet ende adoleshente.

Rosela, sapo keni lançuar këngën tuaj më të re, bashkëpunim me Sinan Vlasalliun. Si erdhi ky bashkëpunim?

Kumbari i këtij bashkëpunimi ishte menaxheri im në fakt, i cili e propozoi këtë ide dhe sigurisht ishte një kënaqësi. U përpoqëm të bënim një punë të mirë.

Përse pikërisht një këngëtar si Sinan Vlasalliu për këtë këngë?

Kjo sepse ai është ndër më të suksesshmit në gjithë trevat shqiptare. Ka një eksperiencë shumëvjeçare dhe vokalet tona përshtateshin mes tyre.

Cilat kanë qenë komentet që keni marrë jo vetëm nga fansat por edhe nga kolegët tuaj?

Sigurisht shumë urime të mira e të vërteta. Kam ndjerë një mbështetje shumë të madhe tek të gjithë. Jam shumë e lumtur që po pritet kaq mirë. Faleminderit të gjithëve.

Bëhet fjalë për një baladë mjaft të ndjerë dashurie. Ju vetë, a e keni gjetur formulën tuaj të lumturisë?

Për këtë duhet pyetur autori, Ilir Berani (qesh). Ky është thjesht një titull.

Teksti i këngës flet për dy njerëz që ndahen edhe pse duhen. Mendoni se ata që duhen nuk ndahen kurrë apo…

Unë mendoj që dashuria triumfon në një moment apo në një tjetër.

Cilat janë projektet e tjera që do të pasojnë në muzikë pas kësaj kënge?

Jam në punë e sipër për materiale të reja muzikore. Uroj të arrij t’i lançoj në kohë, pasi nuk varen të gjitha nga unë.

Keni ardhur me një pamje për t’u admiruar në këtë klip. Meritë e kujt është kjo Rosela?

Faleminderit! Kjo është meritë e stafit të regjisorit të klipit, Alexandër, të cilët u përkujdesën me aq shumë dashuri që çdo gjë të ishte e kuruar në detaj.

Veç muzikës dhe asaj që ju jepni në skenë, shpesh emri juaj bëhet pjesë edhe e politikës. A ndjeheni në fakt pjesë e saj?

Jo. Nuk e besoj se emri im është bërë pjesë e politikës. Unë jam artiste. Të them të drejtën, nuk e kam menduar politikën si pjesë të së ardhmes sime. Pastaj bindjet apo preferencat janë personale siç do njeri.

Dikur keni thënë se do të donit t’i ngjanit Jozefina Topallit. A do të dëshironit që një ditë të kishit pushtetin që ajo ka në vendimmarrje?

E kam për kënaqësi kur ma bëjnë këtë kompliment, sepse unë e admiroj znj. Topalli dhe i jam shumë mirënjohëse që më ka bërë pjesë të stafit të saj. Eh kush nuk do dëshironte të kishte pushtet! Jetës nuk i dihet asnjëherë!

Rosela, a e ndjeni veten shpesh atë vajzën adoleshente të “Etheve”?

Po unë vazhdoj të jem adoleshente (qesh)…

Kujt ia dedikoni suksesin tuaj, punës apo fatit?

Familjes sime mbi të gjitha, por edhe gjithë atyre që kanë besuar e më kanë mbështetur në çdo hap të punës sime.

Rosela, artist lind apo bëhesh?

Unë mendoj që artist lind, por s’mjafton me kaq, duhet shumë punë për të krijuar personalitetin tënd artistik.

Ndjen më shumë keqardhje apo gëzim për krijimtarinë muzikore të ditëve të sotme?

Unë mendoj që ka hapësirë për të gjithë. Nuk më pëlqen të paragjykoj, sigurisht që kam dhe unë rezervat e mia. Po le t’ia lëmë kohës ta tregojë.

Mendon se arti po keqkuptohet dhe po kthehet në diçka që duhet vetëm të shitet?

Fatkeqësisht po, megjithatë unë jam optimiste se gjërat po ndryshojnë……

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here