roselagjylbeguMë në fund një këngëtare, e cila ka marrëdhënie të mira me paparacët. Në një rrëfim për veten, Rosela Gjylbegu zbulon se është mes atyre pak këngëtareve që nuk akuzon  paparacët si armiqtë më të mëdhenj të VIP-ave.
Në kohën kur ke marrë  pjesë tek “Ethet” të pakta ishin kompeticionet e këtij lloji. Si shiheshe nga  moshatarët e tu?
Nuk e di. Kam qenë e vogël për të kuptuar se  ç’ndodhte rreth nesh. Ne mbanim shumë regjim të fortë dhe ishim të kufizuar në  gjërat që bënim, sepse duhet të kujdeseshim për zërin. Vetëm pas përfundimit të  “Etheve” kur unë u ktheva në Shkodër dhe më pritën në një mënyrë të jashtëzakonshme e kuptova rëndësinë e spektaklit. Njerëzit më ndalnin dhe më kërkonin autografe, kuptova rëndësinë dhe peshën e publikut. Janë përjetime të  papërsëritshme, momente të paharrueshme. Krejt ndryshe nga talent shout e ditëve të sotme.

Kur një këngëtare ka një karrierë relativisht disa vjeçare me siguri ka pasur edhe momente jo të mira, për ju kur mund të ketë qenë ky rast?
Kur një këngëtare e nis rrugëtimin e saj me sakrifica dhe me  shumë punë duke u përpjekur t’i ngjisë shkallët një e nga një sigurisht nuk e ka aspak të lehtë. Ky profesion si çdo tjetër i ka të dyja anët e medaljes, por kur  vërtet e ke pasion diçka, beson te ajo që bën dhe ke fatin të punosh me profesionistë nga të cilët mëson, atëherë gjithçka vjen natyrshëm. Edhe suksesi.

Keni pasur ndonjëherë frikë se mund të dështosh si  këngëtare?
Unë e kam nisur karrierën në muzikë nëpërmjet një  kompeticioni, ndër të parët e këtij lloji në Shqipëri. Më besoni të marrësh  pjesë në një sfidë aq të madhe në moshën 15-vjeçare, duke i kapërcyer të gjitha  fazat njëra pas tjetrës i kupton më mirë vlerat dhe talentin. Në momentin që unë  i kam dhënë provat që kam një talent dhe ndjeva përkrahjen e njerëzve, fitova  besimin në vetvete, motivimin, por edhe shumë përgjegjësi. Kur kapërcen një  sfidë duhet të punosh fort që të mbash këtë nivel që ke arritur dhe kjo është më  e vështira. Sigurisht që mund të kem pasur frikë në fillimet e karrierës, por me  punë, me kohë, me thjeshtësinë për t’i bërë gjërat si duhet jam përpjekur të jap më të mirën.
Ke menduar ndonjëherë të heqësh dorë nga kënga për të  bërë një punë tjetër?
Unë e kam shprehur  gjithmonë, muzika për mua ka qenë pasion e kështu do të mbetet. Unë kam marrë një tjetër formim dhe drejtim profesional. Për momentin arrij t’i ndërthur të dyja formimet e mia dhe shpresoj t’ia dal për një kohë të gjatë sepse nga muzika nuk kam për të hequr dorë kurrë. Muzika më plotëson. Pa të jeta ime nuk do të kishte kuptim.
Sa të rëndësishëm kanë qenë njerëzit me të cilët keni punuar dhe çfarë roli kanë pasur ata në suksesin tuaj si këngëtare?

Së pari rolin më të rëndësishëm në të gjithë formimin tim si artiste dhe si
individ e kanë dhënë prindërit e mi. Pa familjen time unë nuk do të isha këtu ku
jam, ndaj iu jam mirënjohëse për gjithçka. Për sa i përket anës profesionale kam
qenë me fat që kam punuar me më të mirët e muzikës, të cilët më kanë suportuar
shumë. Falë bashkëpunimeve me të tillë artistë kam arritur të krijohem si
artiste.
A është e nevojshme që një këngëtare të bashkëpunojë me të
njëjtët kompozitorë apo duhet të ndryshojë vazhdimisht?

Është shumë
e nevojshme që një këngëtare të gjejë veten, të dijë çfarë i përshtatet dhe në
cilin zhanër ndjehet më mirë. Kjo gjë arrihet pas një eksperience të gjatë. Kur
një këngëtare i di pritshmëritë e veta, atëherë e di se me cilët do të punojë.
Por nuk është e thënë që duhet të jenë të njëjtët bashkëpunëtorë sepse rrezikon
që gjithçka të bëhet monotone dhe të përsërisë veten. Një artist duhet të sjellë
gjithmonë risi brenda kornizës që përfaqëson si artist, por duhet të dijë
gjithashtu të kuptojë ndryshimet.
Çfarë e bën sot një këngëtare të
re më të mirë se një tjetër?

Kjo është një pyetje e bukur, por nuk
më takon mua të flas për veten. Por them që në thelb të çdo artisti duhet të
ketë përmbajtje, formim, thjeshtësi. Të jetë një njeri mbi të gjitha që të dijë
të transmetojë sa më shumë sinqeritet te publiku.
Çfarë mendon se
është cilësia jote kryesore të cilën e vlerëson edhe publiku? Po dobësia jote më
e madhe?

Siç jua thashë më lart nuk më pëlqen të flas për veten.
Ajo që mund të them është se përpiqem të jem vetvetja. Kjo sigurisht ka anët
pozitive dhe negative. Por jo të gjithë e kuptojnë.
Duke qenë se ju
shfaqeni shpesh në televizor ndodh që jeni edhe në objektivin e paparacëve, të
bezdis kjo gjë nga jeta e të qenit personazh publik?

Në momentin që
kthehesh në një personazh publik nuk e shmang dot një gjë të tillë. Personalisht
nuk jam ndjerë e bezdisur dhe kam ndjerë respektin e tyre ndaj meje. Ndoshta
sepse unë përpiqem të jem shumë e matur dhe e kujdesshme.
Po
partneri sa i rëndësishëm është në jetën e një femre?

Është shumë i
rëndësishëm. Është një shtyllë, mbështetje e madhe dhe një shok i përjetshëm jo
vetëm i dashur.
Ju keni në mendje një model mashkulli, i cili mund
të ishte shoku juaj në jetë?

I vetmi model mashkullor që kam në
jetë është ai i të ndjerit babait tim. Ai ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm me
shumë sens humori, me zemër të madhe dhe burim i një energjie të pashtershme
pozitiviteti.
Po nga pamja a mund ta krahasoni mashkullin ideal me
një personazh publik?

Nuk ka njeri ideal, askush prej nesh nuk
është perfekt, por është e rëndësishme që secili të gjejë gjysmën tjetër
perfekte për të plotësuar njëri-tjetrin.
Ju e keni gjetur?

Kjo është shumë personale. Çfarë doja të tregoja e thashë gjatë gjithë kësaj
interviste.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here