Sot është një nga emrat më të pëlqyer të muzikës moderne shqiptare, po si ishte dje? Adoleshenca, ndryshimi që pësoi ajo në këtë periudhë dhe puthja e parë.

Daljet e munguara, shtrembërimi i uniformës dhe shoqëritë. Si u shndërrua Ronela Hajati nga vajza shkatarraqe, me stilin e një metalareje, në atë që është sot.

Dhjetat absolute, kopjet në filozofi, vërejtjet e mësuesve për mungesë vëmendjeje dhe mësimet që ia thoshte çdo mbrëmje të ëmës…Rrëfehet sot Ronela!
Do flasim pak për periudhën e gjimnazit, si ka qenë kjo kohë për ty?
Ka qenë periudha më e bukur mund të them në jetën time. Kam qenë shumë e lumtur, shumë e pafajshme, nga ana tjetër kam qenë tamam si çun kur i thonë, gjithë kohës kisha mendjen për prapësira, isha shumë trazovaçe. Ktheja përmbys gjithë shkollën, ndonjëherë i organizoja të gjithë për të lënë orët e mësimit, por mund të them ndërkaq që më ka shërbyer sepse kam qenë në një shkollë ku uleshim për të studiuar shumë edhe më vlejti shumë për dijet. Plus që në gjimnaz kam pasur një shoqëri që e kam edhe sot e kësaj dite dhe mund të them që është nga shoqëritë më të mira që ngel deri kur plakesh.
Sa orë në ditë mësoje?
Kam pas mësuar shumë. Në orën katër vinim nga shkolla pasi edhe atje studionim, ndërkohë që nga ora 5 e deri në orën 10 e gjysmë të natës unë mësoja. Pastaj nga ora 10 e gjysmë deri në 11 e gjysmë mami më dëgjonte gjithë mësimet dhe pastaj flija.
Ke qenë nxënëse e dhjetës?
Kam qenë super e dhjetave, nuk kam pasur madje asnjë 9 në dëftesë që nga klasa e parë deri në vit të katërt.
Prindërit duket që i ke pasur shumë strikt në këtë aspekt, apo gaboj?
Kanë qenë shumë strikt. Mami im donte që vetëm të mësoja ngaqë është mësuese për vete, nuk kishte ditë që mos më dëgjonte se sa kisha mësuar dhe kur nuk i pëlqente një gjë, unë duhet ta gdhija derisa ta mësoja mirë.
Kishit uniformë në shkollë, e respektoje?
Po, kishim uniformë. Dy vitet e para të gjimnazit kishim këmishë të bardhë me kollare, i bënim ato këmishat me bark jashtë e i lidhnim, çfarë nuk i katandisnim. Pastaj në vitet e tjera kishim disa pulovra më të lezetshme që haheshin pak më shumë dhe mundoheshim t’i vishnim më shpesh.
Të kanë tërhequr vëmendjen ndonjëherë mësuesit në shkollë?
Po, unë për më tepër nuk kam qenë shumë shumë e urtë në klasë, për të mos thënë që nuk kam qenë e urtë fare. Rrija gjatë gjithë kohës duke qeshur, zyshat nuk i dëgjoja shumë gjatë shpjegimit, përveçse në matematikë apo fizikë që janë lëndë që po nuk i kuptove në klasë nuk i kupton dot as në shtëpi, po në lëndët shoqërore unë bëja kërdinë në klasë kështu që sigurisht më tërhiqnin vëmendjen madje më kanë nxjerrë edhe nga klasa, por pastaj ditën tjetër kur më pyesnin në mësim unë isha as kështu që s’kishin ç’të thonin.
Je zënë ndonjë herë me ndonjë mësuese?
Nuk e di, sepse nuk është se kam bërë ndonjë herë ndonjë sherr super të madh që të them që ua si jam zënë me këtë zyshën. Po zakonisht kujtoj që kisha inat kur më hanin notën, e çoja deri në fund, ego gjimnazisti.
Ke kopjuar ndonjëherë?
Po kam kopjuar dhe zakonisht më shumë kopjonim në lëndën e filozofisë dhe për këtë na jepte të drejtë edhe vetë drejtori i shkollës, aty bëhej një kopjim shumë i fuqishëm.
Cila ishte lënda që pëlqeje më shumë dhe cilën prej tyre s’e pëlqeje?
Më ka pëlqyer gjithmonë shumë letërsia dhe fizika çuditërisht dhe ajo lëndë që nuk ka absolutisht lidhje me emrin tim është kimia.
I ke pas lënë orët e mësimit?
Shumë rrallë ndonjë orë të gjashtë o të shtatë.
Dhe ku shkoje?
Duke qenë se ishim kolegj i mbyllur maksimumi shkonim tek kafja e shkollës, ose rrinim mbas mureve se nuk kishim ku të iknim.
Në këtë kohë ti je bërë e famshme, a ndryshove në këtë periudhë?
Në këtë kohë unë fillova të angazhohesha më shumë me muzikën, fillova të dilja nëpër skena dhe më dukej sikur kisha arritur majën. Kjo lidhet edhe me moshën si gjimnaziste, pasi kur je e vogël edhe një arritje e parëndësishme të duket shumë e madhe. Por në atë kohë unë u rrita. Rritesh në përgjegjësi, habitesh, i përjeton më shumë arritjet edhe sukseset, mbaj mend që në atë kohë unë qaja kur fitoja apo humbisja ndonjë sfidë. Ama ka qenë një periudhë shumë e mirë për mua sepse gjatë gjimnazit unë nuk kam qenë nëpër festivale me këngët e mia, por duke marrë pjesë nëpër këto konkurse bëra një shkollë të jashtëzakonshme, që më vlen edhe në ditët e sotme.
Na trego pak për ngacmimet e djemve…
(qesh) Deri në vit të tretë gjimnaz unë kam qenë jo e thjesht, po gati gati e shëmtuar shumë. Vishesha si metalare, mbaja flokë të pakrehur, shumë të gjatë, vetullat pa hequr, nuk lyhesha kurrë, nuk vishesha kurrë bukur, mbaja një bluzë të madhe me Marilyn Manson, një palë conversa jeshile të grisura. Makiazhi nuk konsiderohej, d.m.th ishte tabu, taka s’bëhej fjalë madje taka për herë të parë kam veshur tek “Star Academy”. Pastaj duke marrë pjesë nëpër kompeticione, duke qenë më shpesh në kontakt me ekranin, me kamerën do s’do je i detyruar të mbahesh dhe mua më kapnin më lyenin me zor derisa më hyri edhe vetë në qejf dhe fillova u bëra femër avash avash (qesh).
Puthjen e parë e kujton?
Po ka qenë në vit të tretë, kur konkurroja tek Star-i, mund të kem 17 vjeç.
Po katër ke marrë ndonjëherë?
Vetëm një herë në klasë të pestë dhe thashë me vete nuk do t’i them mamit, isha shumë e mërzitur derisa në orën një të natës u zgjova dhe fillova të qaja, mami e llahtarisur erdhi në dhomë tha ç’ka bërë vaki dhe i tregova që kisha marrë katër në ekonomi shtëpiake.
Cigare ose alkool ke pirë në gjimnaz?
Jo, cigaren e kam provuar por s’më ka tërhequr.
Po jetën e natës e ke pas frekuentuar?
Kurrë, për herë të parë në darkë kam dalë në maturë, për natën e bardhë.
Si e kujton mbrëmjen e maturës?

Shumë e bukur, u rrita në përgjegjësi, tani çelësin e kisha me vete.
Ronela ti je diplomuar për…
Jam diplomuar në fakultetin juridik. Normalisht që do fitoja sepse mesataren e kisha të lartë, në provime i kisha pothuajse të gjitha dhjeta dhe kështu u regjistrova.
E doje këtë shkollë?
E doja, më pëlqente sepse ishte lëndë me shumë fjalë dhe mua s’më pushon goja për fjalë. Kështu për ta filluar e filluam mirë, po si e bitisëm thuaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here