Ka bërë atë që çdo mashkull do ëndërronte ta bënte, për të kuptuar se ç’ndodh në trurin e djallëzuar të një femre. Edhe pse në jetë është një burrë i martuar, kësaj here është bërë pjesë e klanit të femrave të divorcuara, të cilat jetojnë në një apartament dhe flasin për meshkujt e jetës së tyre. Romir Zalla, aktori i njohur i spektaklit “Portokalli”, luan rolin e gruas së braktisur nga bashkëshorti në komedinë “Klani i të divorcuarave”, me regji të Inis Gjonit. Ai rrëfen për këtë aventurë teatrore, ku luan femrën e zhgënjyer dhe zbërthen sekretet e botës shpirtërore të meshkujve dhe femrave, e disa intimitete në bisedat mes tyre.

 Si u ndjeve si një person i (e) ndarë, ndërkohë që në jetën reale je i martuar?
“Klani i të divorcuarave” është një eksperiencë unike. Të jesh i (e) ndarë ndoshta të jep pak më shumë liri, ndjenjë aventure, shoqëri  të mirë dhe pak humor, por të jesh i (e) martuar, të kesh një familje, kjo është tjetër gjë.
Meqenëse bëhet fjalë për një komedi, cila është fraza më serioze që ti thua në këtë shfaqje?
Ka shumë të tilla në këtë shfaqje. Për shembull: “burrat duhen trajtuar me butësi”, ose “burrat e hajrit janë si makinat me okazion, i kapin shpejt”, ose edhe po të jesh femër shëmtaraqe dhe budallaqe, gjithsesi burrat të kënaqur do të jenë…”
Je i vetmi aktor që luan rolin e një femre, dhe ashtu siç e ka pohuar regjisorja Inis Gjoni, ty t’u kërkua që të mos shtireshe si femër, por të interpretoje karakterin ashtu siç je. Si e përjetove rolin?
Sigurisht që pjesa e vështirë ishte si ta përjetoja rolin e një gruaje të divorcuar. Për shembull, kam kuptuar që femra ka luhatje humori të vazhdueshme brenda sekondës, nuk është e qëndrueshme si një mashkull. Mashkulli është më solid, më me bosht, kurse femrat e tipit Brizhilda mos i paç në shtëpi”.
Kjo është një komedi intime mes femrave të divorcuara. Je njohur me një realitet tjetër femëror, duke hyrë në botën e tyre për rolin. Krahasuar me meshkujt, të duken femrat më me këmbë në tokë, apo gjithmonë në ajër?
Në ajër, dhe lart fare! por, më të ndjeshme, më kërkuese, më energjike. Flas këtu për personazhet e komedisë, se në realitet nuk kam rastisur asnjëherë nga afër me një grup femrash të divorcuara.
Pas kësaj shfaqjeje ke nxjerrë konkluzionin që divorci në realitetin shqiptar që jetojmë, është më shumë dramë apo komedi? Deri ku shkon fantazia e të divorcuarave?
Mendoj se divorci nuk është as dramë, as komedi. Divorci është një realitet, i cili duhet përballuar në mënyrë të njerëzishme e të hapur, me sinqeritet e pa komplekse. Nuk më duket se femrat e divorcuara kanë fantazi perverse, ato thjesht kërkojnë një burrë më të mirë, që të mos bëjnë të njëjtin gabim.
Ti luan me Adriana Tolkën dhe Jonida Vokshin në këtë komedi. Çfarë lloj femrash ishin ato dhe me çfarë syri të shihnin në këtë rol?
Dana dhe Jonida janë partnere shumë komode në punë. Kam mësuar prej tyre, shpesh i kam “përgjuar” dhe “vjedhur” ndonjë detaj femëror për të krijuar një Brizhildë sa më të besueshme për publikun. Nuk e kemi parë njeri-tjetrin me ndonjë sy të veçantë, ne jemi kolegë shumë të mirë, kemi punuar njëlloj dhe besoj se edhe rezultati është meritë e të treve.
Po ashtu në spektaklin “Portokalli”, të kemi parë herë pas here në role femrash. Cili është karakteri më i preferuar që ke sjellë në “Portokalli”?
Llambi. E dini, nganjëherë Brizhilda të “Klani i të divorcuarave” më dukej si gruaja e Llambit…

Si femër, si mashkull…

Si femër mendoj se meshkujt janë gomerë

Si mashkull mendoj se femrat janë shejtane

Si femër e divorcuar ëndërroj për qetësi

Si mashkull i divorcuar kam frikë nga vetmia

Si femër jo e bukur mund të ma varin vetëm në qoftë se jam e zgjuar

Si mashkull i bukur mund të më vardisen edhe nëse nuk kam para

Si femër me pushtet mund të më shfrytëzojnë për të përfituar para

Si mashkull me pushtet mund të më afrohen edhe në qoftë se jam i shëmtuar

Si femër me para mund të kem dhe karrierë

Si mashkull pa para mund të mos kem as vëmendje.

KLOTILDA HARKA  PANORAMAPLUS

Burimi: vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here