E diela do të ndryshojë ngjyrë në “Top Channel”. Ata janë gati. Nasi, polici, të burgosurit, atentatorët… Por nuk do të jenë vetëm. “Portokallia” rikthehet për më shumë humor, me personazhe të reja, me batuta me dhe pa politikanë, me probleme sociale që do ju bëjnë të qeshni, por edhe të mendoni.

Sezoni i 18 fillon këtë të diel, ora 20.45 në ekranin e “Top Channel”. E premtja dhe e shtuna u është rezervuar atyre që duan ta përjetojnë live këtë spektakël humori, pranë ish-ekspozitës “Shqipëria e Re”. Vetëm pak orë na ndajnë nga ngritja e siparit, por puna vazhdon.

Në sallën e audicioneve dhe korridoreve të “Portokallisë” ka ritëm, batuta, tension, por nuk mungojnë edhe të qeshurat. Regjisori Altin Basha premton se do të jetë një sezon i mbushur me surpriza.

“Është një sezon që do të fillojë vrullshëm me disa personazhe interesante krijuar nga aktorët tanë. Kemi një aktor të ri, i cili do të bëjë provën e parë në skenën e ‘Portokallisë’. Pas një numri të gjatë audicionesh ka ardhur në një rezultat që mendojmë se është i prezantueshëm për publikun dhe shpresojmë që t’i kënaqë. Kemi të tjerë aktorë në audicion që mund të na premtojnë personazhe, të cilët do të prezantohen në javët në vijim. Kemi disa surpriza simpatike për sa i përket strukturës dhe pikëpamjes muzikore. Jemi munduar të bëjmë diçka të re këtë sezon dhe urojmë që të gjejë pëlqimin e publikut”, tregon regjisori Altin Basha.

Në këtë sezon të ri, “Portokallia” do të ketë edhe një skenografi të re, realizuar nga Fatmir Minga. Më shumë portokalli dhe më shumë kolorit për këtë spektakël. Eneda dhe Salsano do të jenë sërish bashkë në prezantim. Një dyshe që ndoshta në fillimet e tyre u pa edhe me dyshim nga skeptikët. Për të katërtin vit ngjiten në skenën e “Portokallisë” për të prezantuar, aktruar e për “t’ia marrë nga pak këngës”. Të dy mendojnë se formula e Altin Bashës ka funksionuar për t’i bërë bashkë.

“Shpresoj që akoma të jem në ngritje dhe të kem gjëra të reja për të dhënë bashkë me kolegun tim Salasano Rrapi. Në fillim unë hyra me një besim të tepruar te vetja, por nuk më zhgënjeu, sepse kuptova që mund të ambientohesha, të mësohesha shpejt dhe të kisha ndihmën e madhe të kolegëve. Falë gjithë kësaj, prezantimi im po zgjat në ‘Portokalli’”, shprehet Eneda.

Kjo ishte një eksperiencë që shfaqi të tjera anë të këngëtares. Po ç’mendon Salsano për të? “Bën, bën”, thotë ai dhe shpërthen në të qeshurën që e karakterizon. “Kur Eneda erdhi në fillim dhe na besuan drejtimin e ‘Portokallisë’, kishte skeptikë dhe optimistë. Ishte përgjegjësi shumë e madhe, por fakti që ky është i katërti sezon që drejtojmë bashkë, do të thotë që funksionojmë. Sezonin e shkuar morëm 10 dhe 10 me yll nuk ka më. Do të mundohemi të jemi në nivelet “të lumtë dora”, thotë Salsano. Por ai nuk do të mungojë te të burgosurit apo tek atentatet. “Do të luaj sërish rolin e femrës”, thotë ai me të qeshur.

Nga ana tjetër, Flori Bino do të jetë sërish në këtë numër, që duket se do të vijë me një risi. “Nuk do të ketë vetëm filma shqiptarë, por edhe të huaj, për të plotësuar atë publik që i ndjek më shumë se filmat shqiptarë. Sezoni i verës është një galeri e madhe batutash dhe po përgatisim brumin që do e bëjmë bukë për publikun gjatë spektaklit”, thotë Flori. Nuk do ta braktisë Isufin e motit dhe as policin, që këtë radhë vjen me monologë.

Për sa u përket personazheve të reja? “Deri tani jo, por duke pasur edhe programe të reja në ‘Top Channel’ do të na japin edhe ne mundësinë që t’i sjellim në ‘Portokalli’”, thotë ai, duke iu referuar imitimeve. Nuk do të kursejnë politikanë të çdo krahu, personazhe publike e televizive, por edhe personazhe që përfaqësojnë fenomene sociale. “Politika është burim i madh humori, por ne do t’i qasemi asaj me qëndrimin tonë të paanshëm, siç ka qenë gjithmonë, edhe pse diku më të ashpër, diku më spektakolarë, por nuk do të lëmë mënjanë as problemet sociale. Sezoni që kaloi, ishte më i mirë që kemi pasur që nga themelimi i ‘Portokallisë’ dhe kjo e rrit përgjegjësinë tonë. Megjithatë puna është bërë serioze, atmosfera është pozitive dhe besoj të hapim një sezon po aq të mirë sa ai që ishte”, thekson regjisori Basha. Pas asaj që shihet në ekran, qëndron një punë e madhe, suksesi i së cilës për regjisorin qëndron te frymëzimi, klima pozitive e bashkëpunimit dhe eksperienca e aktorëve që tashmë kanë vite që dalin përballë publikut. Në këtë sezon janë vënë edhe në një sprovë më të vështirë. Do të ketë shumë monologë. Ata, përballë publikut. “Monologët janë kategoria më e vështirë në fushën e kabaretit, duan mjeshtëri të lartë në skenar, ide të vazhdueshme, duan humor fin dhe mjeshtëri të lartë aktori, por kanë një impakt jashtëzakonisht të mirë te publiku. Nuk kemi qenë të bindur për një numër monologësh që të dilnin, por është punuar shumë, eksperienca ka bërë të vetën tek aktorët, ata janë rritur mjaft profesionalisht dhe mendoj që i kanë rezervat e duhura për ta përballuar publikun vetëm. Kjo do të jetë një formë që do ta zhvillojmë më tej”, thotë Altin Basha. Kostumografia vjen sërish nga Ilirjana Loxha Basha, regjia televizive Elton Papuçiu, skenarist Jani Duro, Vangjel Kozmai, kapomaestro Arjan Gjici dhe si koreografë Ola dhe Ezdalini.

Por nuk do të harrojnë që festohet 100-vjetori i Pavarësisë. Premtojnë se do të ketë figura historike, ashtu siç nuk i keni parë dhe të tjera surpriza që do të fillojnë prej kësaj të diele. “Portokalli” ju pret!/tch/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here