Pak orë pas finales së madhe të “The Voice of Albania”, Rina Bilurdagu  përjeton ende emocionet e fitores. Vajza 18-vjeçare nga Prizreni ka triumfuar.

Është e vetëdijshme që e pret një rrugë e gjatë drejt muzikës, por është e gatshme të bëhet pjesë e saj. “The Voice of Albania” i ka hapur shumë rrugë. Kontrata me “Universal Music” e pret. Me të zhvilloi një intervistë gazeta “Shqip”.

– Ti je kurorëzuar fituesja e edicionit të parë të “The Voice of Albania”. Pas emocioneve të finales së madhe, cilat janë përjetimet e orëve të para?

Rina: Ishte diçka e papritur, por më erdhi si shpërblimi më i mirë pas gjithë asaj pune të lodhshme. Gjithë mundi i këtyre javëve u kurorëzua me një sukses shumë të madh dhe për këtë jam shumë e lumtur. Nga fakti që ne të katërt ishim në finale mund të prisnin gjithçka, por konkurrenca ishte aq e fortë sa nuk ma merrte mendja. Prisja të ndodhte mrekullia dhe ndodhi.

-Në përballjen e fundit ishe me Marselën, konkurrente e mbështetur fort nga publiku. Sa i trembeshe kësaj gjëje?

Rina:  Marsela është një këngëtare shumë e mirë dhe kishte fituar zemrat e publikut. Kishte një stil të veçantë dhe e ndieja vazhdimisht konkurrencën. Deri në momentin që e kam kuptuar se isha unë fituesja, kam pasur dyshimet e mia dhe nuk kam mundur të jem asnjëherë e lirë për të përjetuar ato momente. Nuk e di as vetë si kam reaguar, shumë pak më kujtohet. Gjithçka më duket si në ëndërr.

– Tashmë të pret një kontratë dyvjeçare me “Universal Music”. Çdo të thotë kjo për një vajzë si ty, që pretendon të bëhet këngëtare profesioniste?

Rina: Është një mundësi shumë e madhe që “The Voice” na e jep që në fillim të karrierës. Shumë artistë kanë punuar fort për të arritur një karrierë të suksesshme dhe ne këtë e arritëm që në fillim e kjo do të thotë shumë. “The Voice of Albania” më ka hapur edhe shumë rrugë të tjera. Unë u bëra pjesë e këtij spektakli për t’u promovuar, për të marrë vlerësime prej profesionistëve dhe “The Voice” më ka bërë të kuptoj vlerat e mia.

-Si kanë qenë komentet e para?

Rina: Kam parë komente nga më të ndryshmet, por kryesisht komente që më kanë bërë të ndihem mirë dhe i falënderoj përzemërsisht ata që më kanë uruar dhe mbështetur.

-Cila ishte nxitja për t’u bërë pjesë e këtij spektakli?

Rina: Gjithmonë i kam ndjekur talent show që janë bërë jashtë vendit dhe mezi prisja të ndodhte te ne. Kisha shumë dëshirë ta shprehja atë pasion që kisha brenda vetes. Nuk do të kisha arritur këtu pa përkrahjen e shumë njerëzve, veçanërisht familjes dhe nënës sime që e kam pasur gjithmonë pranë vetes.

-Si ka qenë rrugëtimi yt në “The Voice of Albania” nga java e parë deri në të fundit?

Rina: Në momentin që na bëhet kjo pyetje ne mundohemi të mbledhim të gjitha momentet e bukura në një fjalë të vetme dhe është e pamundur. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, si një përrallë me fund të lumtur për mua. Do të mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës.

-Ti studion për piano. Pas kësaj përvoje dhe çmimit të parë do t’i përkushtohesh më shumë këngës?

Rina: Pianoja do të mbetet dashuria ime e parë. Gjithmonë studioja për shumë orë Bah, Bethoven apo kompozitorë të tjerë dhe në fund e përmbyllja me një këngë për qejfin tim. Pianoja do të mbetet profesioni im, ndërsa kënga është pasion. Do të mundohem të merrem me të dyja paralelisht.

-Alma u duk po aq e lumtur për këtë fitore. Si ka qenë marrëdhënia mes jush?

Rina: Ka qenë një marrëdhënie shumë e mirë. Po të bëja sërish audicionet e verbra, do ta zgjidhja sërish. Jemi përshtatur shumë mirë pasi edhe preferencat tona muzikore janë të ngjashme, pa anashkaluar edhe marrëdhënien shoqërore që kemi krijuar. Të gjitha e thërrisnim “mami”, sepse është kujdesur shumë gjatë gjithë kohës.

-Cilat janë rrymat ku t’i ndihesh më mirë?

Rina: Në “The Voice” ka qenë paraqitja ime e parë para një publiku të madh. Kam dashur të paraqitem me atë që mua më pëlqen dhe më shkon, kryesisht rryma soul-xhaz, por ndonjëherë duhet t’i përshtatesh edhe publikut.

-Si do të vazhdojnë ditët më pas. Cilat janë angazhimet e para që të presin?

Rina: E thashë edhe më parë që “The Voice of Albania” më ka hapur shumë rrugë dhe tani fillon gjithçka. Unë jam maturante dhe duhet të merrem me shkollën, pasi e kam lënë pas dore, veçanërisht pianon. Më pret shumë punë, por shpresoj t’ia dal mbanë.

-Ti nuk je kthyer akoma në Kosovë. Si e mendon pritjen atje?

Rina: Akoma nuk jam kthyer, por e di që do të më presin shumë mirë. Kam disa javë pa shkuar dhe më ka marrë malli për shumë gjëra.

E kam pasur përkrahjen e tyre gjithmonë, por edhe publiku shqiptar i Shqipërisë më ka pritur shumë mirë. Kjo më ka bërë të lumtur. Shqipëria është atdheu im i dytë.

-Sa e ke shijuar skenën e “The Voice”?

Rina: Çdo performancë në skenë ishte përgjegjësi e madhe, pasi nuk donim ta çonim dëm si punën time, ashtu edhe të trajneres. Konkurrenca shtohej nga java në javë, por e kam shijuar çdo moment në skenë dhe jam kënaqur. Nuk jam pishman për asgjë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here