liliAjo është prej ikonave të muzikës së lehtë shqiptare, Liljana Kondakçi, ka qenë e ftuar këtë pasdite në programin “Rudina”, për të ndarë me publikun projektet e ardhshme muzikore, planet për dy albume të reja, por edhe për të zbuluar më shumë për familjen e saj dhe jetën si gjyshe.

Nostalgjike për jetën e festivaleve, me mall për turet muzikore nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë, Liljana ka kujtuar shumë prej kolegëve dhe mikeshave me të cilat vazhdon të ruajë shumë kujtime.

E pyetur si e kujton kohën e festivaleve, ajo tregon me shumë nostalgji: “Kemi pasur shumë artistë të talentuar, por kemi qenë edhe shokë e shoqe të dashur me njëri-tjetrin, pa xhelozi. Si në një familje. Gjëja më e bukur në ato vite ishte koha kur shkonim në turne. Bënim një program, organizonim ditën, kohën e lirë në çdo koncert dhe në çdo qytet ku shkonim. Kishe mundësi për të pasur variante të ndryshme e për të shijuar çdo gjë në vendet ku shkonim. Ishte një jetë shumë e pasur…” – tregon Liljana.

Ndërsa për bukurinë e pakohë dhe formën fizike, Liljana rrëfen me modesti se i është mirënjohëse natyrës. Grimi në atë kohë nuk ishte si në ditët tona, por edhe atëherë kishte grimierë të zotë, kryesisht në festivale apo evente: “E përditshmja ishte fare thjeshtë, ndërsa në skenë kishim grimierë që na ndihmonin të kuroheshim…” E pyetur nga Rudina për qerpikët dhe sytë e zinj, Liljana tregon se në atë kohë “ishte një kuti me bojë të zezë që shërbente për t’i lyer… Pastaj, më vonë, u krijuan kushtet edhe në festivale dhe në studiot e televizionit.”

Sot, shumë vite pas atyre turneve dhe festivaleve, edhe muzika ka ndryshuar, por Liljana është gjithmonë në formë, madje “në formë më të mirë se atëherë” thotë ajo. Prej kohësh, këngëtarja po përgatitet për dy albume: njërin me këngët e saj më të bukura në vite dhe një tjetër me këngë të reja.

Gjatë viteve, suksesin në muzikë ua dedikon edhe familjarëve të saj; bashkëshortit, i cili 4 vjet më parë është ndarë nga jeta, dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, dhe 3 nipërve. Sot, ata janë lumturia më e madhe e Liljanës. Statusi si gjyshe ia ka bërë jetën më të lumtur. Vajza, e cila jeton me familjen dhe dy djemtë në Selanik, e kërkon gjithmonë ta ketë pranë vetes dhe djemve, por Liljana ka më shumë dëshirë të jetojë në Shqipëri me djalin dhe familjen e tij: “Nuk më pëlqen të jetoj jashtë…” – tregon ajo: “Të them e lumtur, më duket pak.. “ – thotë ajo e pyetur si e ndjen veten si gjyshe. Për nipërit, si çdo gjyshe, bën shumë edhe Liljana, por “nuk e tejkaloj, me masë, sepse me shumë tolerancë, prishen fëmijët.”

Për ta përshëndetur dhe uruar mikeshën e saj për këtë rikthim, përmes një video mesazhi, ishte e ftuar në studio edhe këngëtarja Alida Hisku, e cila jeton në Gjermani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here