Tashmë mund t’i shohim përsëri të tre bashkë. Juli dhe Genti nuk do të jenë më vetëm, por me ta do të bashkohet edhe ‘ortaku’ i vjetër, Ermali në një projekt të madh televiziv.

Ky i fundit do të mbajë firmën e pjesëtarit të grupit ‘Produkt 28’, Turit, këtë herë në rolin e producentit. Puna për show-n e madh televiziv ka nisur prej kohësh, ndërsa tashmë po bëhen edhe përgatitjet e fundit.

Dhe ne në ‘Bluetooth’ po ju përcjellim disa informacione të fundit rreth tyre përmes këtyre intervistave…


Turi, çfarë mund të na zbulosh nga surpriza apo projekti që po përgatitet?
Ky është një projekt gjigant, i cili është investim i ‘Tring Digital’ dhe ‘Vizion Plus’. Projekti titullohet ‘Apartamenti 2xL’. Është një apartament, i cili është aq i gjerë, sa mund të përfshijë gjithë shqiptarët.

E gjete treshen e mirënjohur, apo të gjetën ata ty? Si lindi ideja për të bashkëpunuar?
Gjetëm njëri-tjetrin më saktë. Unë e kisha në kokë prej kohësh projektin dhe po mendoja si ta realizoja. Kur gjithçka u hodh në letër, ia propozova djemve, të cilët pranuan menjëherë. Që nga ajo ditë mendojmë vetëm për ‘Apartamentin 2xL’
Të shohim këtë herë ndryshe. Diçka rreth ndryshimit të ritmit tënd të punës. Sa kohë të merr ky projekt?
Ritmi i punës tashmë është bërë i frikshëm. Të jesh në krye të një projekti të tillë është goxha impenjuese, por unë mendoj që të kesh një staf të kualifikuar me të cilin të bashkëpunosh, gjithçka bëhet më e thjeshtë. Dua të përmend gjithashtu dhe regjisorin skenik, Genc Fuga, Lisa Kujofsa, Bledar Linzën dhe gjithë të tjerët që bëjnë të mundur këtë show…

Si po ecën puna me Julin, Gentin dhe Ermalin?
Është goxha e bukur, pasi ata kanë shumë energji dhe mbi të gjitha janë profesionistë. Sigurisht që puna ka vështirësi, por në fund rezultati është gjithmonë pozitiv.

Si mund të na i përkufizosh në punë me dy fjalë secilin prej tyre?
Juli- Energji pozitive, kokëfortësi.
Ermali – Spontan, inteligjent.
Genti – I urti, i pjekuri.

Më mirë kënga, apo profesioni i producentit?
Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, të cilat ndihmojnë njëra- tjetrën. ‘Produkt 28’ dhe muzika janë çelësi që më hapi portën e artit dhe mbi të gjitha është një dashuri e madhe. Televizioni tashmë është profesioni im./
Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here