Njëzet rrëfime të cilat për emërues të përbashkët kanë të drejtat e njeriut, do të pasqyrohen në ekranin e madh të kinemasë së vetme në kryeqytet.

Shtatëmbëdhjetë dokumentarë të autorëve ndërkombëtarë dhe tre të atyre vendorë përbëjnë mozaikun e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Një botë”. Edicioni i njëmbëdhjetë i këtij festivali nis rrugëtimin sot (e hënë). “Një botë” organizohet nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut.

Arian Zeka, drejtor i edicionit të sivjetmë të festivalit, ka thënë se autorët e dokumentarëve që do të garojnë për çmimet e “Një botë”, vijnë nga katër anët e botës.

“Autorët në konkurrencën zyrtare të edicionit të njëmbëdhjetë të festivalit janë nga Meksika, Çekia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Izraeli, Italia, Zimbabveja, Spanja, Belgjika, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, India dhe tre autorë vendorë”, ka thënë Zeka.

Derisa ka thënë se vitin e kaluar festivali nuk është realizuar për shkak se nuk ka arritur të sigurojë mbështetje për organizim, Zeka ka theksuar qëllimin e “Një botë”.

“Vazhdon të jetë i njëjtë promovimi i të drejtave të njeriut, rritja e vetëdijes së njerëzve për respektimin e të drejtave e të lirive të njeriut përmes shfaqjes së filmave të cilët trajtojnë shkeljet drastike të të drejtave anembanë botës”, ka thënë ai.

“E veçanta e edicionit të këtij viti është se filmat do të shfaqen edhe në Komunën e Graçanicës”.

Të gjithë filmat do të garojnë për “Çmimin e jurisë” dhe “Çmimin e organizatorit”.

Zeka ka thënë se roli i këtij festivali në promovimin e të drejtave të njeriut prej vitesh është rritur edhe më shumë.

“Duke pasur parasysh që Festivali është ndër vetmit që trajton aspektin e të drejtave të njeriut, atëherë roli i tij ka qenë jashtëzakonisht i madh. Kosova nuk bën pjesë sot në grupin e shteteve ku të drejtat e njeriut shkelen në mënyrë drastike, edhe pse ende mbetet shumë punë për t’u bërë në promovimin e mëtejmë të të drejtave e lirive të plota në përputhje me konventat dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here