Shtëpia filmike “Labia FILM” ka njoftuar të premten se të dielen do ta vazhdojë xhirimin e filmit “Kodi i jetës”, sipas skenarit dhe regjisë së Ekrem Kryeziut. Xhirimet do të nisin në lokacionet e stacionit të trenit në Vushtrri.

KosovaLive njofton se skena e cila do të xhirohet ka të bëjë me dëbimin me dhunë të popullsisë civile nga vatrat e tyre familjare.

Në këtë skenë planifikohet që pos aktorëve Hadi Shehu, Mentor Zymberaj, Fatime Sefaj, Ilir Tafa të marrin pjesë edhe mbi 400 statistë. Ky dëbim biblik i popullit shqiptar të Kosovës është një ndër skenat më me rëndësi të filmit “Kodi i jetës”.

Të rikujtojmë se filmi “Kodi i jetës” është një histori e dhembshme e Lan Druvarit, të shpëtuarit gjallë nga pushkatimi i tij bashkë me meshkujt e fshatit, në luftën e fundit në Kosovë, i Maries, vajzës së dhunuar që s’ flet më dhe, një fëmije i cili, ende pa i mbushur një vjet, kishte ngelur pa prind dhe për të cilin do të përkujdesët Lani.

Filmi nis me pamje nga katedralja katolike ku na zbulohet Dila e ëma e Maries, e cila, në kërkim të familjes së saj do të vdes në një fushë të minuar. Lani, nuk e ka fatin e saj. Ai pasi që shpëton gjallë pas pushkatimit niset ta kërkojë familjen e tij të cilën nuk arrin ta gjejë as të gjallë as të vdekur.

Maria, një vajzë e dhunuar dhe e sakatosur ikë nga kamioni që transportonte të vrarët në ndonjë vend të panjohur. Ajo kërcen nga kamioni dhe ashtu gjysmëlakuriqe kërkon ndihmë te në shtëpi që del se është shtëpi serbe. E zonja e shtëpisë Savka, të cilës ia kishin mobilizuar burrin dhe djalin i ndihmon me ushqim dhe të mbathura por nuk guxon ta strehojë më gjatë nga frika se paramilitarët do ta ndëshkojnë edhe atë.

Maria, gjatë natës, duke kërkuar strehim në shtëpia të boshatisura të një fshati, në mëngjes e zbulon një grua të vrarë dhe të dhunuar dhe pak më larg saj një foshnje të cilën ajo do ta marr dhe do të kujdeset për të deri në fund të filmit.

Lani, gjatë rrugëtimit të tij plot dhembje, një natë do të takohet edhe me Marijen dhe foshnjën, të cilën ajo e sjell me vete, dhe bashkërisht do të “udhëtojnë” deri në fund të filmit.

Ngjarja e filmit shtrihet në tri rrjedha dramaturgjike të cilat gërshetohen njëra me tjetrën deri në shthurjen e tyre në fund të filmit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here