Veshje që janë bartur dhe ruajtur me shekuj te shqiptarët, të cilat sot përbëjnë trashëgiminë kulturore, janë pasqyruar në afro dyqind faqe të katalogut “Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë”.

Si identifikim i të kaluarës së popullit, ruajtja e këtyre veshjeve është cilësuar me rëndësi edhe për lashtësinë, etnokulturën edhe për traditën kreative, pikërisht te femrat, të cilat paraqesin shumë motive në veshje.

Katalogu, i cili së fundi është ribotuar në 300 kopje, përfshin veshje të krahinave të ndryshme, mirëpo në të dominon veshja e Dukagjinit, Drenicës, Hasit dhe ajo shkodrane, si krahina në të cilat më së shumti është ruajtur dhe bartur veshja tradicionale.

“Veshje tradicionale në Kosovë”, e realizuar nga klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë, botuar në qershor të vitit të kaluar ishte shpërndarë edhe në Tiranë e Shkup.

Ideatorja e katalogut, Bora Balaj, e cila njëherësh është edhe udhëheqëse e shtëpisë së modës “Bora Fashion”, ka thënë se në realizimin e “Veshjeve tradicionale shqiptare në Kosovë” ka punuar rreth pesë vjet. Jam marrë me grumbullimin e veshjeve tradicionale në vende të ndryshme të Kosovës.

Veshjet e prezantuara në katalog janë të gjitha origjinale dhe datojnë vite më parë”, ka thënë Balaj.Tutje, ajo ka shtuar se përkundër se nuk është etnologe, e ka ndier si përgjegjësi të marrë iniciativën e realizmit të një katalogu të tillë, i cili sipas saj deri tani ka munguar në Kosovë.

Si dizajnere e kam ndier përgjegjësi të marrë iniciativën për të prezantuar veshjet e tilla që kanë një domethënie të madhe dhe janë të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore”, ka shtuar ajo.

Redaktori i katalogut “Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë”, i cili është edhe anëtar i klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Engjëll Berisha, duke dhënë detaje lidhur me punën rreth këtij katalogu ka theksuar edhe vetë qëllimin e tij.

“Katalogu paraqet jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë shqiptare të shpërndarë nëpër shumë vise, por dikurshmërinë e një familje të madhe shqiptare”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, katalogu “Veshje tradicionale shqiptare” është i pari i këtij lloji në Kosovë, përderisa fotografitë përmes së cilave pasqyrohen veshjet janë bërë nga fotografi Shkëlzen Rexha.

Megjithatë, Berisha ka shtuar se nuk ka qenë e mundur të “përthekohen” të gjitha veshjet në një katalog të vetëm. Për këtë shkak është duke u punuar edhe në vazhdimin e vëllimit të dytë të “Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë”.

Ribotimi në 300 kopje i “Veshjes tradicionale shqiptare në Kosovë” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me afro 4 mijë euro. /koha/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here