Tenori kosovar Riad Ymeri, sado që i ka dhënë emocion nata e premierës në shfaqjen operistike “Flauti magjik” të Mozartit, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, e di që reprizat e kësaj shfaqjeje janë pjekuri artistike.

Ai ka rolin kryesor, atë të Taminos, në veprën e njohur të kompozitorit gjerman, e cila ka hapur sezonin e ri artistik të institucionit më të lartë operistik të Shqipërisë. Premiera është dhënë mbrëmjen e 4 tetorit, ndërsa repriza e parë ka stërmbushur sallën e Operës në kryeqytetin shqiptar.

“Premiera është gjithnjë një ndjesi e veçantë, sepse nuk e di se si do të reagojë publiku. Në premierë jemi pritur me një ngrohtësi shumë të madhe nga publiku, dhe kjo na ka dhënë kurajë më të madhe për reprizat”, ka thënë Ymeri nëpërmjet telefonit.

Ymeri, i cili është zgjedhur që të jetë protagonist i kësaj shfaqjeje, pas një audicioni të mbajtur nga Teatri i Operës dhe Baletit ka në kontratë të interpretojë edhe në katër repriza të tjera. E para është dhënë të mërkurën mbrëma.

“Atmosfera ka qenë shumë e veçantë. Kam gjetur te publiku faktin se kur u pëlqen diçka, i japin kurajën dhe ia njohim kontributin e tij në punën që ka bërë për të vënë në skenë një vepër të tillë”, ka thënë Ymeri.

Në sallën e TOB-it në Tiranë ka qenë e pranishme edhe mexosopranoja Merita Juniku, njëherësh kryetare e Këshillit Drejtues të Filarmonisë – Opera e Kosovës. Ajo ka vlerësuar lart gjithë shfaqjen, por natyrisht ka dalluar kosovarin.

“Roli i ‘Taminos’ iu besua tenorit të ri dhe shumë premtues nga Kosova, Riad Ymeri, i cili e interpretoi atë me sukses të jashtëzakonshëm”, ka thënë Juniku. “E gjithë shfaqja ishte në nivel shumë të mirë, dhe gjatë të dy akteve publiku ka pasur kënaqësi që të dëgjonte gjeneratën e re të artistëve”, ka thënë Juniku.

Faktin që Ymeri është zgjedhur të interpretojë rolin e “Taminos” në operën “Flauti magjik”, vet tenori e ka cilësuar nder të veçantë.

“Kultura gjermane e konsideron të rëndësisë së veçantë vënien në skenë të veprës ‘Flauti magjik’ të Mozartit. Për mua ka qenë nder i veçantë që të jem protagonist në ngjarjen që ka hapur sezonin në TOB”, ka thënë Ymeri.

Vepra e Mozartit trajton çështje, si sovraniteti dhe pushteti absolut, duke marrë shkas nga drama e një familjeje, ku bashkëshortët Mbretëresha e Natës dhe Sarastro, divorcohen dhe duan të fitojnë të drejtën mbi kujdestarinë e fëmijës. Lufta për pushtet mishërohet te karakteri i burrit, që injoron ndjenjat e gruas, duke e nxitur që ajo të reflektojë anët e errëta të natyrës së saj me arrogancë. Kjo operë për herë të parë është shfaqur në Vjenë në vitin 1791.

Ajo ka hapur “Ditët e Kulturës Gjermane” në Shqipëri. Ymeri me rolin e Taminos ka debutuar në skenën shqiptare të TOB-it.

Me këtë operë Mozarti ka dashur të lërë testament jetën e tij, por edhe përshkrimin për problemet që njerëzit kanë në këtë glob. Princi i bukur vazhdon aventurën e tij të udhëtojë i çarmatosur dhe gjatë saj ka përballje të ndryshme”.

Përveç Ymerit, në “Flauti magjik” interpretojnë edhe Eriona Gjyzeli në rolin e Paminas, Armando Likaj – Papageno, Sarastro e ka luajtur Vladimir Sazdovsky, Mbretëreshën e natës – Klodiana Brahimi, Tri damat – Rezarta Qevani, Sofika Kola, Lindita Kola, Papagena – Dorina Selimaj, Monostratos – Erlind Zeraliu.

Dirigjent i shfaqjes ka qenë Elias Grandy, skenografia nga Markus Meyer, ndërsa kostumet i ka bërë Regine Standfuss.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here