Dosja penale që ka për objekt zënkat mes dy këngëtareve, tashmë ka marrë rrugën ligjore, ndërkohë që prokuroria pohoi se ditën e sotme do të marrë në pyetje edhe Rozana Radin, protagonisten tjetër të sherrit.
E veshur me një pallto të bardhë dhe një kapuç të zi, rreth orës 13:30, Rezarta Shkurta ka mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës, rreth 30 minuta me vonesë.
Ajo ishte thirrur në ora 13:00 për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes, në katin e pestë të prokurorisë. Për rreth dy orë, Rezarta Shkurta ka dhënë shpjegimet e saj për përleshjen fizike me Rozana Radin, ngjarje e ndodhur më 5 dhjetor pas mesnate.

Burime të prokurorisë u treguan të rezervuara në lidhje me deklarimet e dhëna prej këngëtares Rezarta Shkurta, e cila mësohet se ka pranuar konfliktin me Rozana Radin.

Po kështu, në dëshminë e saj, Rezarta Shkurta ka pohuar se ngjarjet që sollën përleshjen fizike kanë qenë deklaratat e Rozana Radit, sipas të cilave pajtimi mes tyre kishte ndodhur pasi Rezarta ka kërkuar ndjesë lidhur me konfliktin e nisur në spektaklin “Vip Shpija” në Kosovë.

Më tej, sipas dëshmisë së Rezarta Shkurtës, ajo është përpjekur të kontaktojë me Rozana Radin. “Pas deklaratës në ‘Zonë e Lirë’, i shkrova në Facebook dhe i thashë se gënjeu kur tha se i kisha kërkuar ndjesë”, ka thënë Rezarta. Sipas saj, reagimi i Rozana Radit ishte i dhunshëm.

Këngëtarja Shkurta ka thënë në prokurori dje, se pas komunikimit me Rozanën, ishte kjo e fundit që në formë sfide i kishte thënë “hajde të të takoj dhe do të shohësh që do të të zhgarravis”. Pas mesnatës së 5 dhjetorit 2010, Rezarta Shkurta pohon në dëshminë e saj se është nisur me gjithë të shoqin, Ermalin, për të takuar Rozana Radin, duke qenë se ishte orë e vonë.

Takimi, i cili u kthye më pas në përplasje me grushte, është kryer tek zona e Liqenit Artificial në Tiranë, pranë një kompleksi të njohur në kryeqytet. “Sapo jemi takuar, pashë që Rozana ishte në gjendje të rënduar psikologjike, ishte e pamundur të flisje me të”, ka thënë Rezarta Shkurta në prokurori.

Sipas saj, për këtë shkak, ajo është ndodhur nën goditjet e Rozana Radit dhe më pas është kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje derisa policia dhe bashkëshorti i saj, Ermali, kanë ndërhyrë për të ndarë sherrin. Rrezarta Shkurta ka shpjeguar më tej, se pas sherrit, i është drejtuar policisë me kallëzim penal

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here