Rezart Aga zbulon sekretet dhe detajet e "Big Brother 6"Autori i dy prej formateve më të suksesshme të televizionit shqiptar në ditët e sotme na tregon këtë fundverë se çfarë do të ndodhë me fillimin e sezonit të ri, dhe çfarë do të ketë mundësi të shohë publiku nga ekrani i “Top Channel”.

Rezart Aga, autori i talent show-t “The Voice of Albania” dhe i reality show-t “Big Brother” zbulon ndryshimet që do të ndodhin në këto dy produksione të rëndësishme dhe fillon me surprizat e para. Sivjet “The Voice” me personazhe që nuk na njohin vetëm me zërin, por edhe me jetën e tyre, dhe “Big Brother”, me njerëz që kapen fort pas një sekreti të madh të jetës së tyre…

Pas një viti të mbushur me punë intensive, më në fund po pushoni apo jo?
Kam bërë disa ditë me shkëputje, po jo intensivisht. Ndoshta këto ditë do nisem diku dhe do pushoj siç duhet. Ndërkohë puna vazhdon si për “The Voice of Albania” ashtu edhe për “Big Brother”.

Si vazhdon? Ku po punohet? Po bëhen audicione?
Audicionet kanë kohë që kanë filluar, por duke qenë se “The Voice” fillon më shpejt, puna më e madhe do përqendrohet fillimisht aty. Po punohet në Tiranë dhe në Prishtinë. Risia e parë e këtij sezoni është pikërisht kjo. Ne kemi menduar që të vihen disa studio regjistrimi në dispozicion të të gjithëve. Të gjithë ata që mendojnë se kanë talent, vijnë dhe provojnë veten në studiot tona sigurisht me ndihmën e instruktorëve.

Kush janë instruktorët?
Në Tiranë po punojnë këngëtarët Kamela dhe Landi, ndërsa në Prishtinë këngëtarja Teuta Kurti. Ata që kanë fituar audicionin shkojnë në këto studio për t’u stërvitur çdo ditë, ndërsa të tjerët që të provojnë veten e të ushtrohen para audicionit. Ky shërbim vjen falas sigurisht.

Çfarë ka ndryshuar tjetër në “The Voice”?
Duke marrë nga eksperienca e vitit të parë, kemi menduar të bëjmë një ndryshim në strukturë sa i përket prezantimit të konkurrentëve. Secili prej tyre vjen me një histori jetësore dhe deri tani kemi konkurrentë me histori vërtetë të bukura. Kështu do të vijnë ata edhe tek publiku, bashkë me historinë e tyre. Kjo do të bëjë që publiku të mos apasionohet vetëm pas zërit, apo pamjes, por edhe pas historisë së tyre. Ne do të shkojmë me kamerën tonë të zbulojmë jetët e secilit. Por me këtë pjesë do të njihet vetëm publiku dhe jo juria.

Në juri ka ndryshime?
Jo, nuk ka. Është një juri e konsoliduar, shumë kompakte dhe ne për asnjë moment nuk kemi menduar ta ndryshojmë. Menjëherë pas mbarimit të edicionit të parë ne e kemi shpallur të njëjtën juri edhe për edicionin e dytë. Edhe detyra e katër anëtarëve të jurisë do të vazhdojë të jetë e njëjtë. Ata do të vlerësojnë vetëm për zërin, pa qenë të informuar absolutisht mbi asgjë më shumë.

Do të jetë i njëjti prezantues, e njëjta studio?
“The Voice” do të prezantohet sërish nga Ledion Liço dhe forma e spektaklit do të jetë e njëjtë. “Top-Channel” sezonin e ri vjen me katër studio të reja shumë cilësore, në dy prej te cilave do të zhvillohet “The Voice”, sipas fazave. Faza e parë do të jetë në studion e vogël, për të kaluar më pas me fazën e dytë në një studio gjigande.

Për ju si autor, “The voice of Albania” e arriti qëllimin, duke qenë një format krejt i ri?
Për mua “The Voice” ishte sukses. U prit mjaft mirë në publik. Njerëzit u apasionuan pas garës, i vlerësuan talentet e reja. Ky është një spektakël vërtet cilësor, për të cilin punohet me shumë përkushtim dhe unë personalisht e kam përzemër.

Ju jeni autori i një tjetër show që vëmendjen e ka të garantuar, “Big Brother”. Një spektakël që të gjithë ia njohin suksesin, por sivjet është përfolur edhe për ulje shikueshmërie. Ju si mendoni?
Normalisht pas kaq vitesh çdo prodhim televiziv konsumohet vetvetiu, sepse njerëzit fillojnë e mësohen me formatin. Por, fakti që janë mësuar me “Big Brother” nuk do të thotë që nuk e ndjekin. Nuk mund të them që ka pasur ulje shikueshmërie. Kjo duke u bazuar tek një lloj analize që bëjmë ne si staf. Madje, mund të them se vitin e fundit kemi qenë në rritje. Ky lloj formati vazhdon të jetë po aq i suksesshëm, i ndjekur dhe i kërkuar.

Kanë filluar audicionet për “Big Brother”?
Aplikimet ‘on-line’ vazhdojnë gjithë vitin dhe kërkesa vijnë në çdo kohë. Po ashtu gjatë kësaj vere nëpërmjet “Summer Fest” që “Top-Channel” organizoi nëpër të gjithë Shqipërinë njerëzit kishin mundësi të aplikonin. Kjo u bë me qëllim që t’u lihej hapësirë atyre që vizitojnë Shqipërinë gjatë pushimeve. Puna intensive për “Big Brother” nuk ka filluar akoma.

Cilat do të jenë të rejat e këtij viti?
Sivjet do të kemi një “Big Brother” që nuk është parë kurrë më parë. Është një formulë krejt e re që vjen për herë të parë në historinë e këtij reality. Ky do të jetë “Big Brother” i sekreteve. Ata që do të futen në shtëpi do të kenë me vete secili nga një sekret shumë të rëndësishëm që lidhet me jetën e tyre dhe që nuk e kanë thënë kurrë më parë. Gjatë qëndrimit në shtëpi, detyrat kryesore për çdo banor do të jenë dy, të ruajnë sa më gjatë sekretin e tyre, dhe të zbulojnë sa më shpejt sekretin e tjetrit. Këto detyra do të merren seriozisht nga konkurrentët dhe do të jenë në vëmendjen e tyre gjatë gjithë kohës. Në çdo moment ata duhet të jenë të kujdesshëm në të folur apo në veprime për të mos zbuluar se çfarë fshehin, dhe njëherësh duhet të jenë vigjilentë e të studiojnë të tjerët në çdo moment që të zbulojnë sekretin e tyre. Këto detyra janë të rëndësishme, sepse prej tyre varet qëndrimi në shtëpi, dhe buxheti personal që do të mund të fitojë secili.

Pse nuk do të ketë një çmim të madh si çdo vit?
Sigurisht që një çmim do jetë, por përpos këtij çmimi banorët do të kenë mundësinë të dalin nga loja me para të fituara në bazë të zbulimeve që do të bëjnë. Zbulimi i një sekreti e penalizon konkurrentin që zbulohet, duke e përjashtuar menjëherë nga loja, dhe i jep mundësinë zbuluesit që të fitojë para ose mundësinë për të qëndruar më gjatë. Duket e komplikuar, por për këtë do të ndërtohet një formulë që do t’i shpjegohet herë pas here shikuesve në mënyrë që publiku të jetë sa më i qartë.

Publiku nuk do votojë si gjithmonë?
Kjo pjesë duhet theksuar patjetër… Padiskutim që vendimi në fund do të jetë gjithmonë në dorën e publikut. Por kjo lloj formule e re do të bëjë që të gjithë banorët të kenë një qëllim të caktuar, një mundësi përfitimi, të ndjejnë gjatë gjithë kohës rrezikun nga njëri-tjetri, dhe të përqendrohen tek një mision i caktuar.

Domethënë sivjet kush do të futet në “Big Brother” duhet të ketë patjetër një sekret?
Është shumë e rëndësishme që çdo konkurrent të ketë diçka të veçantë për të thënë, diçka që nuk e ka ndarë kurrë me njeri. Dhe për të gjetur këta njerëz nuk është e vështirë, përkundrazi. Këtë e kam kuptuar gjatë këtyre viteve pune me “Big Brother”, ku kam dëgjuar pafund histori të veçanta njerëzore. Ne jemi të hapur t’i dëgjojmë këto histori, prandaj kushdo që ka diçka për të thënë le të vijë e ta provojë. Nuk është e nevojshme ta them, sepse është e dukshme, që ky reality u jep mundësi të jashtëzakonshme atyre që i duan dhe dinë t’i shfrytëzojnë këto mundësi. Më duhet të shtoj edhe një detaj tjetër. Kjo lojë është e paparashikueshme për atë që e luan dhe për atë që e ndjek. Do të ndodhë që dikujt sekreti do t’i jepet nga “Big Brother” për një qëllim dhe afat kohor të caktuar… Sigurisht që publiku do të jetë në dijeni gjatë gjithë kohës. Gjithsesi mbetet për t’u parë. Nuk mund të zbulojmë gjithçka që tani.

Është e vërtetë që sivjet ky reality do të zgjasë pesë muaj?
Jo, nuk është e vërtetë. Do të zgjasë 100 ditë, të mbushura plot me sekrete (qesh). /bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here