Doktor Flori është një nga konkurrentët e Festivalit të 50-të të Radio Televizionit Shqiptar. Bëhet fjalë për një këngë rep dhe që siç duket e ka kthyer në identitet.

E kemi parë me grupin, në bashkëpunime, kurse këtë herë do të jetë vetëm, duke dhënë një mesazh të fortë.

Gjithë materiali është punuar nga Flori dhe Edlir Begolli. Teksti flet për fasadën që krijojnë njerëzit në opinion e për idhujt që krijojnë. Biseda me këngëtarin nuk përqendrohet vetëm te muzika. Pasi ka treguar për krijimin që prezanton në festival, për bashkëpunimet që ka realizuar deri më tani dhe për ato që do të pasojnë më vonë, zbulon diçka edhe për jetën në familje.

Ai është bashkëshort dhe babai i një vajze, për të cilën tregon se ka dobësi. Rrëfen edhe që është një prind i mirë, madje ardhja në jetë e vajzës e ka realizuar si njeri.

Çfarë domethënie ka për ju pjesëmarrja në Festivalin e 50-të të Këngës në RTSH?

Është përgjegjësi, kënaqësi dhe emocion i madh. Është një eveniment që përfaqëson identitet të plotë personaliteti për çdo pjesëmarrës.

Kënga është e gjitha krijimi juaj, sa kohë keni punuar për të?

Kënga është krijim i studios time. E kam krijuar në bashkëpunim me vëllain tim Albanin dhe me Edlir Begollin me të cilët kemi ndërtuar një shtëpi produksioni. Titulli  këngës është: “Personale”

Cila është tematika? Çfarë mesazhi përcjell? Jemi mësuar të shohim tekste të forta nga ju…

Është nga ato tekstet e forta të mia. Tematika është për fasadën që shoqëron çdo njeri në jetë, e cila bëhet më dominante se vet njeriu dhe krijon një gënjeshtër për opinionin, çka është e dëmshme për shoqërinë pasi njerëzit krijojnë idhuj të gabuar.

Nëse në fillim të festivalit u fol tepër për interpretimin ‘live’ të orkestrës dhe këngëtarëve, tani po thuhet që këngëtarët do mbështeten te regjistrimi. Si do jetë në të vërtetë?

Nuk ka mundësi të ndodhë që këngëtarët të mbështeten te regjistrimi pasi udhëheqës artistik është mjeshtri Shpëtim Saraçi dhe ai nuk i toleron këto gjëra. Çdo gjë është ‘live’ dhe tingëllon shumë bukur jam i bindur që këtë vit festivali do tingëllojë shumë mirë.

Cilit zhanër i përket krijimi dhe përse e keni zgjedhur?

Kënga është “Rap” i mirëfilltë dhe e kam zgjedhur pasi gjatë kësaj kohe nuk kam bërë këngë të mirëfillta të kësaj rryme dhe më ka munguar shumë. Unë në këtë mënyrë e kam filluar. Me pak fjalë: kthim në identitet.

Pse vetëm këtë herë dhe jo me grupin?

Sepse gjerat vijnë edhe vetëm ndonjëherë.

E synoni Eurovizionin, pasi ky festival e ka këtë ekskluzivitet…

Jo nuk e synoj pasi është vet lloj i zhanrit që mendoj se nuk është shumë i përshtatshëm për Eurovizion megjithatë asnjëherë
si dihet, pasi këtë vit s’kam dëgjuar asnjë thashethem për fituesin siç ndodh rëndom. Duket çdo gjë është shumë e pastër deri tani dhe besoj kështu do shkoj deri në fund, më i miri do fitojë.

Kohet e fundit ju kemi parë në bashkëpunime interesante, më këngëtarë që nuk janë edhe aq të njohur? I keni zgjedhur apo ju kanë zgjedhur?

I kam zgjedhur pasi unë jam gjithmonë i zgjedhuri në këto raste. Kjo ka qenë arma ime më e fortë si producent pasi gjithmonë lançoj elemente të rinj në muzikë.

Pse mundoheni të lëvroni një lloj muzike që ndoshta është muzika e rrugës por që ka shumë impakt te publiku?

Për arsyen që e thatë vetë që ka shumë impakt të publiku, se një këngëtar që këndon vetëm zëre se nuk është fare.

Cili është synimi juaj në muzikë?

Muzika nuk është synim, është ndjesi, është pasion, është emocion, është ideal për të shfaqur veten të plotë.

Si autor, si i prisni kërkesat nga këngëtarët për të realizuar krijime?

Varet nga kërkesat, personi, komunikimi dhe nga qëllimi që ka, po në përgjithësi i pres shumë mirë pasi çdo gjë e marr si sfidë dhe kështu jam i motivuar vazhdimisht.

Çfarë këngësh kërkohen më tepër? Cilat janë sugjerimet më të vyera që i jepni këngëtarëve?

Duhet të njohësh karakterin e çdo këngëtari, duhet të futesh në mendjen e tij dhe t’i nxjerrësh më të mirën duke i përshtatur karakterin me tendencat e kohës.

Me cilin këngëtar do të donit të bashkëpunonit dhe që nuk e keni bërë ende?

Unë po bashkëpunoj aktualisht me Stinen, me një këngëtar që kam dashur të bashkëpunoj më parë dhe tani po bëhet realitet, ka për të qenë një surprizë shumë e bukur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here