“Kauboj Xhema”, “Në bankat shkollore”, janë vetëm disa nga hitet e dikurshme të këngëtarit të mirënjohur Remzi Jakupit.

Largimi nga Kosova, të cilin Remi e bëri gjatë luftës në Amerikë, duket se e largoi paksa nga vëmendja kosovare. Edhe pse larg vendlindjes, Remi është munduar të sjellë gjithmonë albume dhe projekte të reja, mirëpo ato shumë pak kanë gjetur mbështetjen e publikut.

Kjo, sipas Remit, ka të bëjë më ç’rregullimin e tregut që ka ndodhur pas luftës në Kosovë. “Unë kam realizuar albume pothuajse çdo vit ose më së largu një album në dy vite, por arsyet janë mungesa ime në Kosovë dhe ç’rregullimi i tregut që ka ndodhur në këtë dekadën e fundit në Kosovë. Një arsye tjetër është mosdistribuimi i mirë i albumeve nga produksionet.

Ka albume të miat që kanë dalë në Kosovë, ndërsa nuk janë shpërndarë fare në diasporë, apo e kundërta për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre dhe pastaj pësojmë ne këngëtarët”, ka thënë Remi gjatë një bisede në Prishtinë. Remi ka theksuar se asnjëherë nuk ka menduar që do të jetojë kaq vite në Amerikë, por mikpritja e amerikanëve i ka tejkaluar edhe parashikimet e tij.

“Kur jemi larguar bashkë me familje nga Kosova në vitin 1998, kemi menduar se do të rrimë vetëm për një kohë të shkurtër, mirëpo ata na pritën aq mirë sa që na bën të jetojmë për kaq vite. Pas vetëm katër muajve që kam jetuar në Amerikë, mua më është mundësuar që të regjistrohem në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike. Para se të përfundoj semestrin e fundit, tri firma të njohura amerikane më kanë ofruar punësim me një rrogë shumë të mirë.

Ne kishim nevojë për para sepse të gjitha i humbëm në luftë dhe domosdo m’u desh të pranoj, sepse jo vetëm veten atje, por na duhej të ndihmojmë edhe familjarët tanë në Kosovë”, ka treguar ai, duke thënë se aktualisht është menaxher i një firme për mirëmbajtjen e rrjetit kompjuterik në Nju-Jork.

Shpreson të “godasë” si dikur

Në vazhdim të bisedës, ai flet edhe për kthimin e tij në Kosovë. “Unë në mendjen time jam gjithmonë në Kosovë. E, pikërisht kjo është e keqja, ajo që lë prapa karrierën time, sepse kurrë nuk është e njëjtë një gjë e tillë, askush nuk mundet të këtë sukses të garantuar kur është larg vendit në të cilin ka adhurues.

Mediet kanë një ndikim shumë të madh në ngritjen dhe aktualizimin e secilit artist, unë jam larg andaj komunikimi im me mediet, produksionet dhe publikun, gjithashtu është i mangët. Kam menduar të kthehem, jo për të jetuar këtu, por për të qenë më aktiv në skenën muzikore”, ka pohuar ai.

Remi tregon se tashmë ka përfunduar këngën e tij më të re, me të cilën shpreson se do të “godasë” sërish si dikur. Muzika dhe teksti i këngës është punuar nga Ilir Berani dhe po të njëjtës këngë do t’i realizohet edhe videoklipi.

Këngëtari Remi për momentin nuk dëshiron të shpalosë më shumë detaje rreth këtij projekti, pasi preferon që ai të vijë shumë i freskët për publikun dhe simpatizuesit e muzikës së tij./zeri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here