Në sezonin e ri vij më me energji, më i karikuar, rifillimi i sezonit është një premierë për mua, të cilin e trajtoj të tillë dhe më duket sikur, në fakt, dal për herë të parë, po komunikoj për herë të parë”, – kështu e përshkruan këtë fillesë të re spikeri i njohur i lajmeve Reis Çiço.

Prej më se dy dekadash, ai na flet nga studio e lajmeve duke u bërë një nga figurat kryesore në vend në këtë drejtim.

Pasioni i tij për futbollin, si ish-lojtar i “Tiranës” dhe jo vetëm është bërë i dukshëm në emisionin “Champion Klan”, ku këtë sezon do të jetë autor dhe drejtues i tij. Në këtë intervistë për “Summer Time”, Risi na tregon më tej se….

Zoti Çico, këtë sezon të ri në Televizionin Klan, nisni “Champion Klan” jo më si i ftuar, por si autor dhe drejtues i tij. Si ndiheni?

Ky është në fakt edhe ndryshimi. “Në Champion Klan” një nga emisionet më të ndjekura, që padyshim e bën të tillë futbolli, që është një sport magjik, ndryshimi është se nuk jam i ftuar, por drejtoj, ideoj dhe bëj skenarin e “Champion”. Skema është e njëjtë, kemi përsëri dy të ftuar, dhe për rreth një vit kjo është e reja që më ka ndodhur mua në këtë televizion dhe në këtë emision.

Dhe si është të kalosh nga një pozicion në tjetrin, jo më i ftuar, por me më shumë impenjim?

Ndoshta një njeriu pa një eksperiencë televizive i bën përshtypje, nuk është një hov cilësor, është një kalim që lë gjurmët e veta, ndërsa mua nuk më ka bërë ndonjë përshtypje të veçantë, pasi unë gjatë karrierës sime televizive kam bërë emisione sportive, kam qenë i ftuar, kam drejtuar kështu që e quaj një kalim organik.

Kjo edhe për faktin se ju e dashuroni futbollin, jeni një tifoz i zjarrtë…?

Kjo sigurisht ka të bëjë me pasionin, por edhe me faktin që brezi i ri ndoshta nuk e di që unë kam luajtur futboll me “Tiranën”, kështu që lidhja ime me futbollin është shumë organike. Unë e kam luajtur, e ndjek, ndjek shtypin, ndjek analizat, ndjek ngjarjet, unë jam brenda futbollit dhe futbolli është brenda meje.

Beson se do ta konkurrosh Shakohoxhën me emisionin e tij?

Shakohoxha është i pakonkurrueshëm në talentin e tij si komentator.

Po si drejtues? Atëherë beson se do ta sfidosh?

Jo, nuk është aty problemi.

Përtej humorit, secili ka individualitetin e tij.

Po lidhjen tuaj me studion e lajmeve si do ta komentonit?

Sigurisht, studioja e lajmeve është nisja e karrierës sime televizive dhe aty do të mbarojë, por kalimi në dhoma të tjera, – nëse do t’i quanim kështu emisionet televizive, në këtë rast atë sportive, për mua është një akt shumë natyral, i ndjerë kështu që më jep një relaks dhe një kënaqësi të madhe.

Cila është ndjeshmëria juaj ndaj lajmeve, a ka nga ata që ju ndikojnë dhe lëndojnë emocionalisht? Apo i përballon lehtësisht ato?

Jo, natyrisht që edhe unë jam natyrë njerëzore me ndjeshmëri të lartë. Më prekin fëmijët kur përdhunohen, më prekin vajzat që trafikohen, janë lajme që ndonjëherë më duket se më ikën zëri dhe më dridhet nga emocionet. Sigurisht më prekin vrasjet, që fatkeqësisht i shohim që ndodhin çdo dy ditë. Por më besoni, lajmet e rënda nuk do të doja kurrë t’i lexoja, por ja që jeta është e tillë. Gjithashtu, në edicionin e fundit të lajmeve lexoni edhe titujt kryesorë të gazetës “Koha Jonë”, mes të cilëve edhe ata të suplementit “Summer Time”.

Shpesh ju kemi parë që bëni komente dhe nuk e fshihni habinë që tregoni kur lexoni këta tituj. Cili është reagimi, ndjeshmëria juaj ndaj faqeve rozë të shtypit?

Ndjesia është nga më të ndryshmet. Për shembull, po ju tregoj rastin e fundit kur lexova në suplementin “Summer Time”, që Enkel Demi do të niste punë si DJ, më plasi e qeshura direkt në “live”, mirëpo edhe unë e ndjeva, dhe ma thanë edhe të tjerët që ishte gjë kaq e bukur, pasi unë vërtet u çudita kur lexova titullin dhe i kërkova regjisë që ta shfaqte edhe njëherë gazetën se ndoshta bëra ndonjë gabim. Dhe verifikova që Enkel Demi ishte DJ. Pra, lajmet e kësaj natyre, apo rozë, siç quhen, ndikojnë edhe emocionalisht tek unë, pasi edhe unë befasohem, pasi në atë moment i lexoj për herë të parë.

Cili është veprimi që bëtë më pas, morët në telefon Enkelin?

Sigurisht, pastaj nisin telefonatat, fillon komunikimi, fillon humori, por është vërtet gjë e bukur nëse u jep një informacion të parë gjithë lexuesve të gazetës “Koha Jonë” me titujt kryesorë që ofron ajo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here