Adoleshenca e këngëtarit të suksesshëm në dyert e “Liceut Artistik”, këngët e liqenit, shoqëria, marrëdhënia me mësuesit, notat, për të cilat zihej me prindërit pas çdo mbledhjeje, lëndët e urryera dhe ajo që pëlqente më shumë, flokët e gjatë që i thyen notën në sjellje, marrëdhënia me vajzat, puthja e parë dhe fama që kishte në shkollë

Do flasim pak për periudhën e gjimnazit, si ka qenë kjo kohë për ju?
Ka qenë një kohë shumë e bukur, e mbushur me përjetime dhe ngjarje të veçanta. Shoqëria ka qenë shumë e sinqertë, ndryshe nga të gjitha shoqëritë që pasuan, pasi në atë kohë s’njihnim bërryla apo interesa. Madje po të më pyesësh edhe sot, i mbaj mend përmendësh emrat e të gjithë shokëve të klasës.

Gjatë gjimnazit këndova një këngë me Sejkon dedikuar viteve të shkollës dhe atëherë s’ma merrte mendja se do të ishin vërtet aq të bukura dhe të paharrueshme.
I ruani kontaktet me shokët e “Liceut”?
Me shumë prej tyre kam rënë në kontakte të rastësishme, ndërkohë që ka edhe nga ata, më të paktë në numër, që i takoj shpesh për shkak të rrugëve të përbashkëta që zgjodhëm.
Redon, në periudhën e gjimnazit ju fituat famë, apo jo?
I famshëm për publikun jam bërë në një kohë të mëvonshme, por në lice ne ishim shumë të famshëm, mbaj mend që na thërrisnin ndryshe “Beatles”-at shqiptarë.
Thatë ne, kush tjetër?
Unë, Bledar Sejko dhe Genti Gjebrea.
Ju ndihmoi fama në shkollë? Ndryshuat ju?
Ndryshime nuk pata. Sa i takon ndihmës, ajo u vu re në marrëdhëniet me mësuesit, më së shumti pasi ata na shihnin me një sy tjetër.
Keni pas mësuar shumë?
S’kam qenë shumë i dhënë pas mësimeve. Muzika ishte dashuria ime dhe lëndëve të tjera u përkushtohesha shumë pak.
Cila ka qenë lënda që ‘urrenit’ më shumë?
Lëndët shkencore kryesisht, matematika në veçanti.
Po më e preferuara?
Gjeografia.
A kanë qenë prindërit kërkues ndaj jush?
Kanë qenë shumë dhe mbaj mend që kur vinte e enjtja e takimit me prindër, plaste lufta në shtëpinë tonë. Kishte nota që unë ua fshihja, të cilat zbuloheshin në takimet me prindër çdo dy javë.
Ju kanë tërhequr vëmendjen ndonjëherë mësuesit në shkollë?
Natyrisht që më kanë tërhequr vëmendjen, si çdo djali besoj, mua madje më kanë thyer edhe notë në sjellje.
Po këtë pse?
Për shkak të flokëve të gjatë. Në rregulloren e shkollës ishte e ndaluar, por gjithsesi unë vazhdoja me timen. Që në atë kohë kam krijuar këtë stil që kam sot.
Çfarë notash merrnit zakonisht?
Nota mesatare.
Po katër, keni marrë ndonjëherë?
E kam provuar.
Keni kopjuar ndonjëherë?
Po, edhe kam kopjuar ndonjëherë.
Çfarë metodash përdornit?
Shkruanim në dorë, bankë, ose kopjonim nga fleta e shokut.
I keni pas lënë orët e mësimit?
Po, i kam lënë. Shkonim tek liqeni, nisnim të këndonim dhe harroheshim atje për orë të tëra. Kishte raste që kumbisnim gjithë ditën.
Çfarë këngësh këndonit?
Këngët e “Beatles”-ave. Ato ishin idhujt tanë në muzikë. Unë përpiqesha të krijoja ndonjë melodi me piano, ndonjë këngë, nëse mund ta quajmë kështu, po gjithsesi më shumë ishim të dhënë pas legjendave. Madje mblidheshim ndonjëherë në shtëpinë e një shokut tonë të shkollës, i cili kishte magnetofon dhe aty regjistronim këngët e “Beatles”-ave. Kasetën origjinale e kam unë sot dhe sa herë e dëgjoj më mbushen sytë.
Na tregoni pak për vajzat…Ju gjuanin apo i gjuanit?
Nuk është se unë jam shquar ndonjëherë për çun simpatik, si në atë kohë, si tani. Ndoshta jam pak më i veçantë se të tjerët. Sa i takon vajzave në klasë, ato s’na i linin djemtë më të mëdhenj se ne në moshë.
Po edhe ju u bëtë një ditë maturant?
U bëra, po s’kam qenë shumë i dhënë pas lidhjeve të krijuara në shkollë.
D.m.th ju puthjen e parë e keni dhënë…Në çfarë moshe?
Në periudhën e gjimnazit, por jo me një shoqe të shkollës. (qesh).
Si e kujtoni maturën?
Matura është viti më i bukur i gjimnazit, por edhe më i shëmtuari. Vjen koha të ndahesh nga shokët me të cilët ke kaluar 4 vite dhe nuk është e lehtë. Madje mbaj mend që pas mbrëmjes së maturës, të cilën e bëmë tek liqeni, jam ndjerë keq kur u ktheva në shtëpi. U bëra nostalgjik që atëherë. Kemi kaluar mirë dhe e thashë që gjimnazi mbetet periudha më e bukur në jetën time, ashtu siç është për të gjithë besoj.
Më pas ju vazhduat Akademinë e Arteve për…
Po, vazhdova Akademinë për muzikë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here