Këngëtari i mirënjohur pejan, Ramadan Krasniqi, akuzohet për vjedhje të energjisë elektrike. Sipas propozim-akuzës së ngritur nga Prokuroria Komunale në Pejë, ai i ka shkaktuar KEK-ut dëm në vlerë prej 1,976.50 euro.

Në Gjykatën Komunale në Pejë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj këngëtarit të mirënjohur kosovar, Ramadan Krasniqi – Dani. Prokuroria e ka akuzuar atë për vjedhje të energjisë elektrike.

Gjatë një kontrolli të bërë nga ekipi i autorizuar i KEK-ut, në shtëpinë e tij në lagjen Fidanishte në Pejë, është vërejtur se në njehsorin e tij elektrik ka ndërhyrje. Ekipi ka konstatuar se njëra plombë është falsifikuar, kurse buloni i plombës tjetër është këputur.
Njehsori është dërguar në laboratorin e kalibrimit që gjendet në Korporatën Energjetike të Kosovës në Prishtinë për ekspertizë. Komisioni profesional i kalibrimit ka konstatuar se orëmatësi është manipuluar.

Në seancën ishin ftuar edhe dy dëshmitarë, Gëzim Gashi dhe Abdullah Shabanaj, anëtarë të ekipit kontrollues të KEK-ut. Ata dhanë dëshminë e tyre, që ishte mbështetëse e propozim-akuzës.

Sipas propozim-akuzës së ngritur nga Prokuroria Komunale në Pejë, dëmi i shkaktuar KEK-ut është vlerësuar në 1,976.50 euro.
Këngëtari, i ulur në bankën e të pandehurit, e ka mohuar kategorikisht ndërhyrjen e tij në njehsor, duke thënë se nuk ka pasur nevojë ta bëjë këtë gjë, pasi që qëndron mirë materialisht. Ai ka treguar se kur është kthyer nga Belgjika para 9 vitesh, shtëpinë e ka pasur të djegur dhe që nga ajo kohë, kur edhe e ka rinovuar atë, ka qenë pagues i rregullt i energjisë elektrike.

“Unë frikësohem ta prekë edhe poçin elektrik, por kush mund të ketë ndërhyrë në njehsorin elektrik, nuk e di”, u shpreh Dani.
Gjyqtari i çështjes, duke e shfrytëzuar mundësinë që ia lejon ligji, përkatësisht neni 392 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, aktgjykimin do ta shpallë brenda afatit ligjor.

1 Koment

  1. oo njerzt intrigasht mat mdhaj n’kosov mos u merrni me kengetar si DANI po merruni me politikana kqyrjuni atyne sa i kan borxh ok Ani si DANI kengtari ma i mir Nkosov kaloni mir aa thashethemet e soditt pfff(N)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here