Qetsor FerunajHera e dytë baba, dhe një emër hyjneshe për vajzën e tij të sapoardhur në jetë, Hera. Qetsor Ferunaj fituesi i “Big Brother 2” ia beh me plane të qarta për të ardhmen e tij. Në këtë intervistë për “Panorama Plus” ai flet për ndryshimet në jetën e tij pas famës, dhe ambiciet në politikë për të qenë tani e tutje pjesë e Partisë Demokratike. Si dhe arsyeja pse refuzoi për t’u marrë me spektakël.

Sapo je bërë baba për herë të dytë. Çfarë dimensioni i ka dhënë jetës tënde ky fëmijë për të cilën u fol shumë gjatë qëndrimit në “Big Brother 2”?

Ndihem i emocionuar, që nga data 28 Shtator kur vajza ime erdhi në jetë në maternitetin e Vlorës, në kujdesin e mjekëve të mrekullueshëm, që asistuan gjatë lindjes. Vajza, të cilën besoj që dhe publiku e ka pritur, pasi bashkë me mua panë rezultatin e ekos direkt në ekran, (surpriza që stafi i “Big Brother 2” më kishte rezervuar në një nga netët e spektaklit), erdhi në jetë me peshë 3 kg e 300 gr dhe për fat e shëndetshme.

Deri tani ishe babai i djalit 2 vjeçar, si ndihesh si baba i një vajze?

Nuk di ta përshkruaj ndjesinë, ose më saktë ende nuk jam në gjendje. Por isha mësuar dhe përgatitur për të qenë baba djemsh. (qesh) Tani që u bëra me vajzë se si më duket, megjithatë në të ardhmen do të më duhet të mendoj më shumë për këtë. Për momentin mund të them se ndihem baba dyfish, e nëse do e mendoja të rritur vajzën time, do të dëshiroja të ishte e zgjuar dhe e bukur, një ndërthurje vërtet interesante tek një femër apo jo?!

Patjetër. Si e quajtët vajzën dhe kush mendoi për emrin?

Në fakt meqenëse unë kisha vendosur emrin e djalit Merko (ringjallje e emrit të babait tim që nuk jeton më), kishim menduar që emrin e vajzës ta vendoste bashkëshortja, Lili. Por unë gjatë qëndrimit tim në “Big Brother” i premtova publikut për emrin, dhe duhet ta mbaja këtë premtim. Zgjedhja ime ishte emri Era, ndërsa bashkëshortja më kërkoi që të shtonte një gërmë dhe vendosëm përfundimisht emrin Hera, emër hyjnie.

Ke marrë urime nga organizatorët e BB në “Top Channel”, apo nga ish-banorët?

Jo, organizatorët nuk më kanë uruar dhe kështu mendoj se më kanë harruar. Gjithsesi falënderoj disa nga ish- banorët që më kanë uruar për ardhjen në jetë të vajzës sime. E para ka qenë Anjeza, Bjordi, Adela, Zhuljeta, Pavlini, e miq të tjerë.

Do të organizosh ndonjë festë për vajzën, kush do të jenë të ftuarit?

Patjetër kam menduar të organizoj një festë të madhe në Orikum ku të ftoj gjithë miqtë e mi, dhe shumë nga ish-banorët e “Big Brother”. Do të ishte rast i mirë për t’u ri takuar me ta, gjithnjë nëse ata do të vijnë deri këtu në Orikum.

Me ta ti ndave një garë dhe fitove, tani e tutje për çfarë fitoreje do luftosh në jetë?

Po patjetër që do vazhdoj. Synimi im është të thellohem dhe të angazhohem tërësisht në politikë. Aktualisht jam duke nisur studimet e larta për Shkenca Politike në Universitetin privat “Pavarësia” në Vlorë. Si fillim dua të formohem politikisht.

Po angazhim më konkret nuk keni? Nga intervista e fundit për gazetën ‘Panorama” le të kuptohej se pas tërheqjes nga PDK sytë i kishe nga Partia Demokratike?

Po patjetër, edhe pse kam ende shumë për të mësuar në politikë i kam të qarta synimet e mia. Pas një jave deputeti i Partisë Demokratike i Vlorës, Ardi Kollozi do më dorëzojë teserën e anëtarësimit tim në Partinë Demokratike, që do të jetë fillimi i një angazhimi serioz politik në këtë parti.

Dhe çfarë synon fillimisht me këtë anëtarësim?

Synimi im është të filloj një punë që më përshtatet, dhe pastaj të jap kontributin tim brenda strukturave të PD-së.

Por kthehemi pak tek televizioni. Keni marrë ndonjë propozim nga “Top Channel” për të qenë pjesë e programeve të reja në këtë sezon?

Po, para një jave mora një propozim për të qenë pjesë e spektaklit “E diell” në sfidën e kërcimeve, ku garojnë ish-banorë të tjerë të BB2, por nuk e pranova. Nuk mendoj se më përshtatet kjo lloj performance, nuk di të kërcej dhe nuk më pëlqen të angazhohem në programe të tilla, që nuk janë në interesin tim. Synimi im është politika, dhe për të do investoj.

Jeta jote e përditshme cila është tani?

Jeta ime i ka hyrë normalitetit. Kam marrë një shtëpi të bukur me qira, ku po shijojmë ardhjen e pjesëtares së re në familje, ndërkohë që po lexoj literaturë politike, dhe po kuptoj që paskam shumë për të mësuar.

Ndërkohë shumë muaj larg vëmendjes së publikut. Ka qenë kjo një zgjedhje e jotja?

Po, kam idenë që kur s’ke gjë për të thënë më mirë hesht. Publiku nuk të harron përveçse të mirëpret kur del në momentin e duhur dhe me gjëra të reja.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here