Në një hotel luksoz, me të ftuar nga e gjithë bota, Princi shqiptar Leka II dhe Elia Zaharia zyrtarizuan lidhjen e tyre të dashurisë.

Fejesa zyrtare që i ngjante më shumë një dasme, por pa fustan të bardhë, u mbajt mbrëmë në Paris, ashtu siç kishte shkruar më parë ekskluzivisht gazeta “standard”. Mësohet se pritja e denjë për një fejesë mbretërore u mbajt në hotel “Lutetia” në Paris. Në sallonin “Pomepein”, më moderni i këtij hoteli, që ndodhet shumë pranë Katedrales së famshme “Notre Dame” dhe Muzeut “Orsay”, çifti i ri mori bekimin e më se 100 personaliteteve nga mbarë bota, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni solemne.

Këto të dhëna i bën të ditur zyra e shtypit pranë Familjes Mbretërore. Shërbimi për shtyp i Princit Leka në njoftim për shtypin bën të ditur se “Kurora Mbretërore e Shqipërisë ka kënaqësinë të shpallë fejesën e HRH Princi Leka II i shqiptarëve me zonjushën Elia Zaharia. Me rastin e kësaj do të ketë një koktej, që do të mbahet në hotel “Lutetia” (45, bulevardit Raspail 75006 Paris)”.

Djaloshi që shkeli për herë të parë në atdheun e tij vetëm para pak vitesh, u ingranua në jetën shqiptare duke u bërë pjesë e aktiviteteve të ndryshme dhe i preferuar nga paparacët për marrëdhëniet me femrat. Princi zgjodhi të punonte si këshilltar në Ministrinë e Jashtme dhe nuk e fshehu lidhjen e tij me aktoren dhe këngëtaren Elia Zaharia, e bija e aktores së mirënjohur shqiptare Yllka Mujo. Princ Leka ka folur për herë të parë për këtë lidhje në gazetën “standard”, duke pranuar se për një martesë të mundshme do të ndiqte të gjitha rregullat e familjes mbretërore. Ai thyen kështu traditën e babait e gjyshit të tij, Mbretit Zog, duke marrë për grua një vajzë me kombësi shqiptare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here