Ka mbetur trashëgimtari i vetëm për fronin mbretëror shqiptar. Ashtu si edhe babai i tij, Leka I, që ndërroi jetë disa javë më parë, edhe Leka II është në rolin e pretendentit.

Por edhe në rolin ku kudo është i parë tashmë. Si i tillë, ai nuk mund të mungonte në jubileun e televizionit “Top Channel”.

I shoqëruar nga e fejuara e tij, Elia Zaharia, kjo ishte dalja e parë publike e çiftit pas zisë 6-javore në Pallatin Mbretëror. Dalje sa u përket festave, pasi për ceremoni të tjera Leka II u shfaq në publik ende pa u mbushur 24 orë nga varrimi i babait. Një sjellje që u vlerësua në fakt, pasi bëhej fjalë për homazhet e shkrimtarit dhe politikanit Sabri Godo.

Vdekja e të atit duket se ka prishur edhe planet e martesës së tyre. E planifikuar që ceremonia e kurorëzimit të mbahej në fund të vitit 2012, dasma tashmë është shtyrë me një tjetër vit. Burime pranë Pallatit Mbretëror na treguan se “pavarësisht se Leka I vuante prej kohësh, asnjë prej familjarëve dhe të afërmëve nuk e kishin pritur vdekjen e tij.

Vetë ai kishte bërë shumë plane për të birin, përfshirë edhe dasmën. Gjithçka mendohej për vitin 2012, kur ishte dhe ribashkimi i eshtrave familjare në një varrezë të përbashkët në 100-vjetorin e Pavarësisë, pra më 28 Nëntor. Direkt pas kësaj ceremonie do të vinte dasma e princ Lekës që do të përmbyllte gëzimet e kësaj familjeje.

Ishte menduar edhe se si do të organizohej, ku do të bëhej, cilët do ishin të ftuarit etj., por pas vdekjes së Lekës I, gjithçka është shtyrë për në vitin 2013”. Sa i përket Lekës II, ai vijon të mbetet princ për publikun dhe mbret për Oborrin e tij.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here