Rrëfimi për gjakmarrjen që fitoi “Ariun e Argjendtë” për skenarin më të mirë në Festivalin e Filmit në Berlin, do të hapë edicionin e tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFilmFest”, që do të mbahet nga 24 shtatori deri më 1 tetor, në Prishtinë. 

“Falja e gjakut” do të sjellë në kryeqytet edhe regjisorin Joshua Marston, i cili bashkë me Andamion Murataj ka shkruar edhe skenarin.

Në një komunikatë për media, organizatorët e festivalit e kanë paralajmëruar edhe ardhjen e shumë yjeve të tjerë të kinematografisë botërore dhe shfaqjen e shumë filmave të njohur.

Aktori Gedeon Burkhard i njohur për rolin e tij në filmin e regjisorit Quentin Tarantino, “Inglourious Basterds”, do të jetë njëri nga ta. Në “PriFilmFest” ai do të prezantojë filmin e tij më të ri. Gjatë këtij festivali do të shfaqen edhe filmat francez të regjisorit Claude Chabrol si “La Cerimonie”, “L’Enfer”, “Betty”, “Une Affaire de Femmes” dhe “Inspecteur Lavardin”.

“Në një shfaqje të veçantë gjithashtu do të kemi ‘Potiche’ nga Francois Ozon dhe fitues i sivjetmë i ‘Ariut të Artë’, ‘Nader and Simin, a Separation’ të regjisorit iranian Asghar Farhadi”, thuhet në komunikatë.

Për drejtoreshën e këtij festivali, Vjosa Berisha, “PriFilmFest” është mundësi e madhe “për të përhapur kulturën e Kosovës, si dhe për të dhënë një tablo të ndryshme me atë që bota është mësuar të marrë prej nesh”.

“Festivali ka për qëllim t’u japë artistëve dhe filmbërësve tanë një mundësi për t’u hapur dhe për të kontaktuar me kinematografë dhe kineastë nga bota, duke marrë parasysh mundësitë e kufizuara për të udhëtuar në vende dhe festivale të ndryshme në botë, për shkak se Kosova nuk është e njohur ende nga të gjithë”, ka thënë Berisha.

Në edicionin e tretë të festivalit, që do të mbahet nga data 24 shtator deri më 1 tetor, do të shfaqen filma të ndryshëm në konkurrencë që vijnë nga Danimarka, Shqipëria, Polonia, Franca, Maqedonia, Rumania dhe Bosnja. Organizatorët këtë vit janë përkujdesur që të “shtendosin” marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes filmit.

“Dy filma serbë dhe dy kineastë që do të jenë të pranishëm në ‘PriFilmFest’ pavarësisht tensioneve politike mes dy vendeve, përbën një risi këtë vit, duke marrë pjesë në programin ‘Blood and Honey’“, thuhet në komunikatë. Ky program ani pse nuk është garues, rrëfen për kinemanë e re të Ballkanit dhe sipas organizatorëve do të paraqesë gjithashtu premierën e filmit “Mothers” nga regjisori maqedonas Milcho Manchevski që në vitin 1994 kishte fituar çmimin “Luani i Artë” në Festivalin e filmit në Venecia.

Edhe sivjet për herë të dytë në “PriFilmFest” do të mbahet edhe forumi dyditor i kooproduksionit, që do të bëjë bashkë producentët dhe regjisorët e vendeve fqinje. Tema kryesore e këtij viti përveç koproduksionit është ajo e distribuimit dhe shitjes dhe përpos kësaj drejtori i programit të Festivalit të Filmit të Sarajevës, Elma Tataragiq, do të ndajë përvojën e vendit të saj në industrinë e filmit, ku Bosnja gjendet në krye të listës ballkanike me fitues të çmimit “Oscar”. Festivali do të mbyllet më 1 tetor, ku do të ndahen 6 çmime për aktorin dhe aktoren më të mirë, regjisori më i mirë, filmin më të mirë dhe filmin më të mirë të metrazhit të mesëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here