Ka kohë që Liberta Spahiu i ka munguar sfilatave dhe revyve të ndryshme. Ajo tani është e përcaktuar vetëm me punën në televizion, ndërsa nga modelimi thotë se është shkëputur.

Mirëpo, kthimin e saj në modelim thotë se do ta bënte vetëm në ditën kur do ta veshte fustanin e nusërisë. Puna në televizion thotë se po i shkon shumë mirë, ndërsa sa i përket jetës private, mendon se ende është herët të flasë për të. Më shumë rreth punës dhe çdo gjë tjetër flet ajo për “Zëri”.

Kohëve të fundit nuk jeni shumë aktive në profesionin e modeles, cilat janë shkaqet?

Kam humbur dëshirën që të jem modele. Mund të jem vetëm spektatore e mirë dhe kryetare jurie, sepse nuk kam asnjë ambicie të jem defiluese përveç nëse është diçka e veçantë, ama shumë e veçantë. Televizioni është pjesa e tashme e profesionit, po mundohem që në emisionin tim të jem ajo që e ka ekskluzivitetin. Nuk pretendoj që të jem e para, por dua të bëj punën ashtu që të tjerët ta shikojnë “Prive-n” si emisionin numër një.

Cila është përvoja juaj në TV, sa po arrin t’i gëzoheni këtij profesioni?

Po shumë, po e përjetoj punën, kur e dëshiron punën e do qartë edhe vendin ku punon. Aty ku ka kënaqësi me stafin ka edhe dëshirë për të krijuar diçka të mirë dhe besoj se po e bëjmë mirë.

Keni menduar më parë se mund të bëheni imazh i ekranit televiziv fillimisht duke prezantuar parashikimin e motit e më pas edhe me emisionin “Prive”?

‘Parashikimi motit’ ka qenë imazh fillimi. Imazhi ka qenë nevojë për ta krijuar kontaktin me njerëzit, familjet. Tash kam tejkaluar momentin për të qenë vetëm imazh. Bashkë me Dinin, Sarën, Irmën dhe Kaltrinën po bëjmë atë që duhet. Ndikimin tonë në familje dhe në shoqërinë, pra në jetën e njerëzve, përmes rrëfimeve për personat publik.

Thatë që e keni ndërprerë modelimin, me përjashtim të ndonjë evenimenti të rëndësishëm, atëherë cili do të ishte ai eveniment?

Ju thash që modelimi është e kaluar, mirëpo do të kisha pranuar ndonjë ofertë vetëm nëse më thërret disenjatori Valdrin Sahiti dhe për askënd tjetër, ose në ditën kur ta vesh fustanin e nusërisë, nëse ndonjëherë e bëj fare.

Jeni ndjerë keq ndonjëherë gjatë realizimit të fotove?

Jo asnjëherë. Fotoja ka qenë qëllim dhe dëshirë. Njëlloj komunikim me publikun që fare nuk hezitoj.

Do të kishit pozuar nudo nëse do të të jepej mundësia?

Mundësia të jepet shpesh, por nuk e kam më të voglën dëshirë ta bëj. Nuk jam as refuzuese, por thjesht s’ kam dëshirë tani.

Si kalon një ditë e rëndomtë e juaja?

Dita më kalon në punë, në shtëpi, në ndonjë ndejë me miqtë e mi.

A po përjetoni tani një dashuri. Keni momentalisht një djalë pranë, me të cilin jeni e dashuruar?

Ua them kur duhet, tani po e lë të qetë veten duke heshtur.

Sigurisht që keni ndonjë plan për këtë vit, atëherë për çfarë do të na tregosh?

Planet që i kam për të ardhmen janë të lidhura vetëm me punën time të përditshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here