Anëtarësimi 4-vjeçar në Partinë Demokratike dhe koha e impenjimit në Forumin Rinor. Njohja me Berishën dhe shembulli që sheh për të ndjekur tek kryeministri shqiptar. Ambicjet në politikë të Greta Koçit dhe ruajtja e lidhjeve me muzikën.

Nuk është e lehtë t’i gjesh një ditë të lirë këto kohë Greta Koçit. Nëse deri disa muaj të shkuar në telefonin e saj përgjigjej ekskluzivisht e ëma, e cila dihet që është edhe menaxherja e saj, tani gjërat kanë ndryshuar.

Por kjo nuk do të thotë se, pas përgjigjes së sjellshme të përtej telefonit, zërit të ëmbël të Gretës, që pas “alo”-së së parë shndërrohet në miqësor – pas një kohe të gjatë pa folur – mund të sigurosh një takim me të parën. “Jam rrugës së kthimit nga Roskoveci”, thotë. “Flasim sërish sapo të jem në Tiranë për të vendosur një ditë dhe orë takimi”.

Nuk është e lehtë t’i gjesh një ditë të lirë këto kohë Greta Koçit. Nëse deri disa muaj të shkuar në telefonin e saj përgjigjej ekskluzivisht e ëma, e cila dihet që është edhe menaxherja e saj, tani gjërat kanë ndryshuar. Por kjo nuk do të thotë se, pas përgjigjes së sjellshme të përtej telefonit, zërit të ëmbël të Gretës, që pas “alo”-së së parë shndërrohet në miqësor – pas një kohe të gjatë pa folur – mund të sigurosh një takim me të parën. “Jam rrugës së kthimit nga Roskoveci”, thotë. “Flasim sërish sapo të jem në Tiranë për të vendosur një ditë dhe orë takimi”.

y është një nga udhëtimet e zakonshme, sidomos që nga tetori i vitit të kaluar dhe këtej. Dhe nuk bëhet fjalë për koncerte apo ftesa që kanë lidhje me artin dhe këngën. Greta është përqëndruar e gjitha në një tur të gjatë prezantimi dhe njohjeje me strukturat e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, anë e kënd Shqipërisë. Ka një qëllim të mirëmenduar në kokë: shtimin e numrit të anëtarëve të rinj në FRPD. Po flasim për nënkryetaren e re të këtij forumi, dhe ajo është një këngëtare për të cilën është shkruar dhe folur shpesh si e tillë. Greta numëron shumë takime të ngjashme me këtë të Roskovecit dhe po t’i ndjekësh këto evente të xhiruara, shumica e të cilave lehtësisht të gjetshme edhe në internet, mund të kuptosh fort mirë kuptimin e emërimit të saj në këtë post dhe efektin që shkakton prania e saj në takimet me të rinjtë.

Nuk janë vetëm mbledhje rutinë të anëtarëve të kryesisë. Pamjet shfaqin turma që ndjekin Gretën nga pas me dëshirën për t’i shtrënguar dorën dhe përshëndetur. Mes tyre dallohet 20 vjeçarja që me vështirësi mundohet t’ua bëjë qejfin të gjithëve. E mësuar me të tillë vëmendje rreth saj, famën që gëzon ndër moshatarë dhe jo vetëm, Greta duket e zonja edhe me këtë kostum të ri që i ka veshur vetes dhe që destinacion ka një të vetëm: politikën e madhe. Prandaj pranon të rrëfehet edhe si e tillë: nënkryetare e FRPD-së, studente e shkencave politike, një fytyrë jo edhe aq e re për ambjentet e selisë së partisë në pushtet dhe njëherësh edhe këngëtare që nuk lë pas dorë edhe këngët e reja. Tregon se asgjë nuk i ka ndodhur rastësisht. Është e kujdesshme në çdo përgjigje, në të cilat kryefjalë është kontributi për vendin, përkushtimi serioz, besimi në programin e PD-së dhe sidomos te lideri i saj, idhull për Gretën, anëtare 4-vjeçare e partisë së Berishës, i cili duket të ketë qenë kryesori në votën që vulosi vendimin e emërimit të saj në postin që mban sot.

Nuk i duket vetja as e vogël për atë çfarë po bën në këta muajt e fundit. Greta e vogël, ajo 14 vjeçarja e dikurshme që fshehu moshën kur u shfaq në të parin duet me Erjon Korinin, është rritur. “Mendoj se mosha ime është mosha më e favorshme për të startuar në rrugën e politikës”, thotë ajo duke shtuar se kështu kanë bërë edhe të tjerë para saj. Ka plot shembuj protagonistësh në politikë që e kanë nisur nga Forumi Rinor dhe që sot janë deputetë, ministra dhe po aq eksponentë të rëndësishëm në radhët e së djathtës. Në gjurmë të tyre është vënë edhe Greta, e cila rrëfen për një ambicje të madhe në krah të forcës blu, por të ndjekur me radhë dhe sipas etapave që i duhet një 20 vjeçareje për të arritur deri në majë.

“Po përjetoj një periudhë tepër të bukur. Sigurisht tashmë ditët e mia kanë ndryshuar për shkak të detyrës sime të re dhe angazhimit tim tepër serioz në politikë. Në gjykimin tim, të hysh në politikë do të thotë t’i vendosësh detyrë vetes të kontribuosh për vendin tënd, të japësh maksimumin e mundësive të tua intelektuale e morale. Të merresh me politikë, pikë së pari, do të thotë ta duash atë që bën; do të thotë të jesh tepër e përkushtuar dhe serioze në pikësynimet, të cilat ti i vendos vetes”, thotë ajo.

Idealiste në një ambjent politik ku vetëm idealja nuk ekziston? Sigurisht që duhet filluar me kontribute dhe idealin e një jete më të mirë në vendin mëmë, paçka se në rastin e saj përfitimi është i dyfishtë: Greta merr nga PD-ja kënaqësinë e një pune në të cilën beson, ndërsa kjo e fundit merr nga fama e saj dhe vend më të mirë se ku mund të përqendrohej kjo famë, sesa tek FRPDSH-ja, vështirë të gjendej. Megjithatë Greta, siç thotë, i sheh veç anën e mirë kësaj pune. “Besoj tek programi i PD-së, tek mënyra e qeverisjes dhe e zhvillimit të madh të vendit që i ka dhënë kjo forcë politike”. Beson shumë edhe tek forcat e veta ama. Që nga 15 tetori, dita kur u emërua nënkryetare e Forumit Rinor – “një tjetër kënaqësi e imja e veçantë, për faktin se startimi im zyrtar në politikë, ka përkuar me ditëlindjen e Kryeministrit Berisha!” – Greta ka njohur vetëm anën e mirë të politikës.

Rrëfen për një ambjent të ri pune në të cilin thotë se ndihet komode, për bashkëpunime me njerëz dashamirës dhe sidomos për takime masive me njerëz që e duan. Një fillim i mirë me pak fjalë. I tillë sa për të besuar se jo vetëm që mund t’ia dalë mbanë, por edhe të jetë një drejtuese e mirë dhe e suksesshme siç ia do posti që mban. “Po balancoj profesionin tim teorik me atë praktik”, thotë ajo. “Kam filluar të kem bindjen se mund të jem një drejtuese e mirë. Më pëlqen puna me rininë. Njoh shumë mirë strukturat e organizimit dhe të funksionimit. Konstatoj se në rrugëtimin tim në politikë kam një mbështetje në rritje nga populli”.

Këto muaj të paktën, kështu ka ndodhur. Megjithatë në rastin e saj, shfaqja në një nga podiumet e ngritura nga PD-ja, me një status që për shumëkënd ishte i papritur, u përfol si çudi dhe katapultim i shpejtë i Gretës në qarqet politike, qofshin edhe ato rinore. Mediat me të shpejtë filluan krahasimet mes saj dhe një tjetër kolegeje të Gretës, e shfaqur hapur sidomos nëpër koncertet e organizuara nga PD-ja: Çiljeta Xhilaga. Nëse Çiljeta do të kishte marrë një detyrë në PD me siguri askush nuk do të ishte çuditur meqë ajo nuk i ka fshehur kurrë as bindjet dhe as impenjimet e saj me këtë forcë. Ndërsa Greta dukej rast i ndryshëm, përderisa, deri ditën kur u shpall si më e votuara për postin në Forumin Rinor, nuk kishte rënë ndonjëherë në sy si anëtare dhe me ambicje në të djathtën shqiptare. Por gjërat rrodhën ndryshe. Pavarësisht se Çiljeta ka arritur deri në Këshillin Kombëtar të kësaj partie, si anëtare e tij, Greta pas emërimit në postin e nënkryetares premtonte fillimin e një karriere që shumë vite më vonë mund të përkthehet fare mirë me një status të plotë ndër ata që sot vendosin fatet e vendit.

Duke lënë mënjanë krahasimet me Çiljetën, për të cilën Greta e ka thënë fjalën e vet tashmë- jemi mikesha të mira dhe aspak rivale – rreket të dëshmojë se në fakt nuk ka qenë aspak rastësor ky rrugëtim i saj. Përkundrazi. Për të arritur deri tek FRPDSH-ja i është dashur një angazhim i plotë në aktivitetet masive kulturore dhe politike të PD-së në vend. Pas tyre numëron disa takime që ka pasur me Berishën, “një burrë i madh shteti, një njeri me karakter të fortë dhe me një energji të jashtëzakonshme”.

“E kujtoj fare mirë ditën e parë kur e kam takuar Z.Berisha dhe më ka bërë përshtypje dashamirësia dhe fisnikëria e tij në çdo moment kur ai fliste”, thotë ajo. Pastaj erdhi rasti i Forumit Rinor. Vendi bosh i nënkryetarit u zu nga Greta, pas një votimi të anëtarëve të tij, por sidomos pas simpatisë, me siguri, që këngëtarja kishte injektuar tek numri Një i të djathtës. Paskëtaj, takimet me Berishën dhe jo vetëm, por edhe me anëtarë të tjerë të lartë të partisë dhe qeverisë janë shndërruar në takime rutinë dhe të zakonshme sa herë ia ka dashur puna. “Kam rreth 4 vite që kam aktivizime intensive me Partinë Demokratike. Lidhjet e mia me këtë forcë politike kanë ardhur gradualisht me edukimin tim. Aktualisht jam në përmbyllje të një turi takimesh prezantimi dhe njohje me strukturat e FRPD në të gjithë Shqipërinë, ku synimi bazë është shtimi i anëtarësimeve të reja në këtë forum”, thotë ajo. Kështu kanë rrjedhur ngjarjet dhe karriera e saj e re politike deri tani. Mjaftueshëm të mbara sa për të menduar projekte të tjera më pas, akoma më të mëdha. “Sigurisht që çdo njeri ka ambicjen dhe synimet e tij. Unë aktualisht jam një ndër drejtueset kryesore të Forumit Rinor të PD dhe synimet tona jane të qarta: Konsolidimi i strukturave të FRPD në çdo cep të Shqipërisë dhe jashtë saj, aty ku jetojnë e punojnë emigrantët shqipetar; shtimi i rradhëve të anëtaresimeve dhe realizimin e fitores së madhe, atë të vitit 2013. Mendoj se përfshirja në politikën e madhe vjen në përputhje me arritjet e tua”. E meqë jemi tek kjo e fundit: “Ndihem shumë e shqetësuar për mënyrën se si mbahet peng zhvillimi i vendit nga keqdashja e opozitës, mungesa e dëshirës së bashkëpunimit për qëllimin e vetëm atë të vendit kandidat në BE”, shton Greta. “Nuk mund të imagjinoj që ekzistenca në politikë të të japë akses të konsiderosh kundërshtarin politik si armik, deri në atë masë sa të dëmtosh imazhin dhe prespektivën e zhvillimit të vendit tënd”. Nuk ka dyshime pra që i ka hyrë seriozisht politikës Greta Koçi. E motivuar në krye të herës prej liderit të partisë ku aderon: Sali Berishës. “Tani që jam edhe në një funksion politik dhe në dinamikën e punës së përditshme, konstatoj dhe forcoj bindjen se shembulli më i mirë për të qenë një politikan i sukseshëm është z.Berisha”, e përmbyll ajo. Ai është idhulli i saj, por edhe njeriu që i ka shtrirë dorën për të ëndërruar më shumë. Greta i ka hyrë punës në momentin e duhur. Frytet pret me durim t’ia vjelë një e nga një.

Art dhe politikë

Që kur është zgjedhur nënkryetare e Forumit Rinor të PD-së, Greta Koçi u përgjigjet vetë telefonatave, por edhe kërkesave për intervista. Më të ëmën, Afërditën, ka punë vetëm kur flitet për art. Ajo vazhdon të jetë menaxherja që i koordinon aktivitetet artistike dhe ftesat për koncerte apo bashkëpunime të reja. Sepse edhe pse me politikë, Greta nuk i ka shkëputur lidhjet nga ajo që e bëri të njohur tek e fundit dhe që në një farë mënyre i duhet të jetë mirënjohëse për atë që është sot: kënga. Sapo i ka dhënë dorën e fundit klipit të këngës së re “Çdo hap është një peng” dhe së shpejti premton të shfaqet në të gjitha ekranet muzikore. “Njëkohësisht jam duke punuar edhe për materiale të tjera, të cilat do të publikohen me kalimin e kohës”, thotë duke shtuar se kështu ka zgjedhur të mesmen e artë: T’i bëjë të gjitha. “Mbajtja njëkohësisht e këtyre dy profesioneve, mendoj se ka një sukses të padiskutueshëm në karrierën politike. Një artist i mirë mund të jetë fare mirë një politikan i suksesshëm, sepse artistët kanë një botë të madhe shpirtërore; kanë një mundësi të madhe të depërtojnë shumë shpejt tek njerëzit nëpërmjet artit te tyre. Kemi mjaft shembuj të artistëve që na vërtetojnë suksesin e tyre në politikë”. Kështu beson Greta dhe deri kur politika t’ia marrë të gjithë kohën, premton se kështu do të jetë.
/Klan/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here