Nuk kisha qenë kurrë mes kaq bukurish, e për më tepër të përzgjedhura.

Nuk kisha dhuruar kurrë kaq me dëshirë e kënaqësi libra me poezi të miat!
Nuk kisha parë asnjëherë një numër kaq të madh vajzash, që për nga mosha ishin si vajzat e mia, ku bukuria dhe shpirti i bukur rrinin në sintoni me zgjuarsinë.

Ia pashë në sy dëshirën për të lexuar që në momentin që u afrova me libra në dorë i ftuar nga miq në atë takim me tridhjetë e një konkurrueset finaliste të Miss Shqipëria 2012. Ishin një përzgjedhje që jepte shije të këndshme që në “prekjen” e parë, një fushë me lule shumë ngjyrëshe, sistemuar me dorë mjeshtri – artist. Mjeshtri – artist ishte Petri Bozo.

Sa kohë ka ky spektakël Petri?
Ky është viti i katërmbëdhjetë i këtij spektakli, që tashmë dihet nga të gjithë që është një event shtegtar, nga njëra kala në tjetrën. Ka filluar më 1998 në Tiranë dhe më pas në vitin 2000 është spostuar në ambiente të hapura duke bërë xhiron e Shqipërisë nga Jugu në Veri. “Miss Shqipëria” është një event që në mënyrë ta padiskutueshme, mendoj, ka promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare, ka bërë një lidhje të natyrshme midis të bukurës dhe kësaj trashëgimie.
Meqenëse ky bashkëbisedim miqësor kaloi si një intervistë, përse të mos e vazhdojmë, mendoj që edhe shumë miq lexues janë të interesuar të dinë më shumë…

Pse jo, siç e sheh unë e nisa në atë formë (buzëqesh).
Unë vura re që këto bukuroshe aspirante për kurorën e Miss Shqipërisë janë edhe të edukuara, me kulturë dhe etje për dije. E ndjeva këtë në të gjitha vajzat kur i dhuroja librat e mi, dhe më pas tek i shihja që ulur në tavolina me pjata plot me “gjithë të mirat”, ato nuk hanin por lexonin poezi…Si i përzgjidhni konkurrentet?
Në fakt, që nga momenti që ne kemi filluar të organizojmë një event botëror, siç është “Miss Globe”, – pra prej 8 vitesh ne jemi edhe zotërues të patentës së eventit “Miss Globe”, një nga më të mëdhenjtë në botë, i treti për nga rëndësia – kemi filluar të kuptojmë që bukuria nuk është determinante. Është një element që ka rëndësi për një garë bukurie, por jo determinante.

Kështu prej shtatë vitesh ne bëjmë teste psikologjie dhe të botëkuptimit intelektual të të gjitha konkurrenteve, që përpara se të zgjidhen 31 finalistet e konkursit. Numri 31 nuk ka ndryshuar që prej vitit ’98, pavarësisht se kërkesat për pjesëmarrje nga bukuroshe shqiptare janë shumë të mëdha e në rritje nga viti në vit. Mendoj që bukuroshet e Miss Shqipërisë nuk janë vetëm të bukura, por edhe shumë inteligjente.

Çfarë do të thotë numri 31?
31 është një numër shansi që ne e kemi vendosur kur e filluam këtë spektakël në vitin ’98, pas vitit famëkeq e të mbrapshtë të ’97, dhe i kemi qëndruar besnik këtij numri shansi.
Një event i tillë mendoj se ka shpenzimet e veta. Si ia arrini, kush ju mbështet në një sipërmarrje të këtyre përmasave?
Ka sadisfaksion ana morale, unë e kuptoj pasionin sepse e përjetoj vetë me krijimet e mia, por natyrisht ka shumë rëndësi ana materiale sepse pa të nuk mund të realizosh asgjë.
Eventet e “Miss Shqipërisë” janë evente të vështira, evente që nuk zhvillohen në salla të mbyllura. Nuk kemi infrastrukturën që kanë salla si ajo e Pallatit të Kongreseve apo Teatri i Operas. Këto evente zhvillohen në natyrë, e siç e thashë në fillim nga një kala në tjetrën, në disa vende majë malesh, ku s’kishte as rrugë për të kaluar më parë, na është dashur ta bëjmë ne këtë, në vende që ndoshta shumë pak njerëz i njohin fatkeqësisht edhe pse janë në territorin shqiptar, por bëhen me një vullnet pozitiv i ekipit të “Deliart” dhe kemi arritur të tërheqim vëmendjen e publikut, të paktën për atë vit, drejt këtyre trashë-gimive kulturore të vendit tonë dhe çdo kala që ka qenë ambient i eventit për atë vit, ka simbol një kokë vajze nga miss-i që ka fituar të drejtën të quhet Miss i asaj kalaje. Nga pikëpamja materiale, mendoj që edhe këtu shteti shqiptar ka vendosur “një rekord”. “Miss Shqipëria” nuk është financuar asnjë vit, as nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, pavarësisht kush e ka “udhëhequr” këtë Ministri, të majtë apo të djathtë dhe as nga ndonjë institucion tjetër shtetëror.
Ju keni paraqitur projekt për këtë event pranë institucioneve, siç është dhe praktika burokratike për aprovimin e fondeve?
Ne kemi paraqitur projekte çdo fillim viti për të gjitha eventet që organizon “Deliart”-i, por pa rezultat pozitiv. Normat e burokracisë në Shqipëri janë pak të çuditshme sepse nëse “Deliart” financohet për Festivalin e Videoklipit Shqiptar nuk mund të marrë financim për një tjetër event, edhe pse njëri event nga tjetri nuk kanë asnjë lidhje mes tyre përveçse i organizon i njëjti grup. Monumentet e Kulturës na japin leje për të zhvilluar eventin në mbikëqyrje të tyre, në objekte në varësi të saj e asgjë tjetër, por ne jemi shumë të kujdesshëm dhe profesionalë, sepse arkitektët e “Deliart”-it janë përveçse profesionistë të mrekullueshëm edhe patriotë e për rrjedhim dashamirës të trashëgimisë kulturore tonën. Kemi rivitalizuar këto monumente me skenografi tonën e i kemi dhënë jetë.
Sa persona bëjnë pjesë në stafin e ekipit të “Miss Shqipëria 2012″?
Ne jemi pak njerëz, por që arrijmë të bëjnë punën e një tabori ushtarësh.

Si arrini t’i financoni këta bashkëpunëtorë?
Të gjithë ne financohemi nga donacione të vogla sepse akoma ka njerëz që e duan artin dhe duke parë ecurinë ndër vite me ndihmesën e tyre, besoj që këta njerëz nuk do mbarojnë kurrë. Kjo na bën që të kemi edhe motivacion për të bërë çdo vit një spektakël sa më të bukur. Përfitoj, pa përmendur emra të veçantë t’i falënderoj në emër të ekipit dhe bukurosheve të “Miss Shqipëria” të gjithë pa përjashtim e pa dallim për ndihmesën e tyre të vyer.
A ka ndonjë veçori konkursi gjatë këtij viti?
Kemi një avantazh që këtë vit finalja, dy netët e finales zhvillohen në Kalanë e Vil Bashtovës që është fushore sepse vjet ishim në Krujë, në një terren malor që për vetë veçoritë ishte i lodhshëm përtej pritshmërisë. Këtu kemi problem furnizimin me energji elektrike, që do të duhet ta zgjidhim me gjeneratorë. Jemi në një ambient shumë dashami-rës të popullsisë, që i falenderoj edhe për faktin sepse kjo kala është ruajtur nga këta banorë me shumë xhelozi.
Një pyetje private. Kush është Petri?
Një psikopat që nuk resht së vrapuari e që beson se akoma mund të ketë burra në këtë vend, që të mund të ringjallin një pjesë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë dhe që ka pasionin të promovojë bukuritë shqiptare në botë, jo vetëm ato fizike, natyrisht.
Petri, çfarë çmimi ka?
S’e di, s’e kam provuar ta vë veten në shitje asnjëherë. S’e di, deri më sot jo, nesër…s’e di, mbase!?
Çfarë çmimesh ka ky spektakël për konkurrueset e “Miss Shqipërisë”?
Ka një format të pandryshuar ky spektakël. Janë 12 çmime, është fituesja e kurorës së artë që është prodhuar më ’98 e që kalon nga një Miss në tjetrën me një simbolikë domethënëse, janë dy shoqërueset e Miss-it, sipas normave të të gjitha konkurrimeve të tilla, ka çmim për inteligjencë, fotozheninë, kinemanë e të tjera me radhë. Prej pesë vitesh, në bashkëpunim me një prej universiteteve më prestigjioze në Shqipëri, “Marin Barleti”, akordojmë dy bursa të plota studimi katër vjeçare për dy konkurrente, sipas testeve që zhvillojnë vetë specialistët e këtij Universiteti me konkurrueset finaliste.
Unë kam besim që edhe ky event do të ecë mbarë sepse e meriton. Unë s’po uroj atë ç’ka besoj, është një sukses i padiskutueshëm që në startim. Sinqerisht i lumtur që isha me ju, stafin e “Deliart”-it dhe bukuroshet e “Miss Shqipëria 2012″, ndjehem i nderuar.
/Gazeta Shqiptare/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here