Ngushtohet rrethi i pretendentëve për çmimet “Oskar” në kategorinë e filmave të huaj. Academy of Motion Picture Arts and Sciences ka bërë përzgjedhjen e nëntë filmave që mbeten kandidatë të mundshëm e mundshëm.

Nga 63 filma, sa garonin në këtë kategori, vetëm 9 janë klasifikuar në “gjysmëfinale”, por vetëm 3 ose 4 syresh do shkojnë në natën e madhe të ndarjes së çmimeve, për të nxjerrë një fitues.

Duke parë listën e publikuar, të bie në sy shpërndarja gjeografike: janë dy filma nga Lindja e Mesme, nga Irani e Izraeli, për të kaluar pak më poshtë, në Marok e ca më tej në Lindjen e Largët, në Tajvan, nga vjen një film epik historik, i ngjashëm me “Avatarin”. Katër filma vijnë nga Evropa (Belgjikë, Gjermani, Poloni e Danimarkë) dhe një nga Kanadaja. Filmi që vjen nga Irani tashmë e ka kaluar një sprovë.

“A separation” u nderua me “Golden Globe” në ceremoninë e 15 janarit, si filmi i huaj më i mirë. Në listën prej 63 kandidatëve fillestarë ishte edhe Shqipëria me filmin “Amnistia”.

Fatkeqësisht, filmi nuk arriti të hyje në mesin e 9 të përzgjedhurve, por ajo që duhet të shqetësojë më shumë nuk është fakti që nuk u futëm në listën e shkurtër (edhe pse kjo do kishte qenë një arritje shumë e madhe për kinematografinë e vogël shqiptare), por që në të gjitha rastet kur përmendet Shqipëria, përsëritet precedenti i zgjedhjes së kandidaturës së parë (“Falja e gjakut”) dhe rrëzimi i saj e zëvendësimi me “Amnistinë”, falë një letre dërguar pranë Akademisë së çmimeve. Në vend që të flitej për vlera, përmendet për “letra”.

Por ndoshta kështu është më mirë, që komisioni përzgjedhës të mundohet të zgjedhë më mirë kandidaturat, duke iu përshtatur kritereve të Akademisë, që gjithsesi, prapë mbeten për t’u diskutuar, në një botë që po bëhet gjithnjë e më globale e ku nuk mund të flitet për kufij të mirëpërcaktuar, shkruan Panorama e Tiranës.

Nëntë filmat e përzgjedhur:

“Bullhead”, Michael R. Roskam, Belgjikë

“Monsieur Lazhar”, Philippe Falardeau, Kanada

“SuperClasico”, Ole Christian Madsen, Danimarkë

“Pina”, Wim Wenders, Gjermani

“A separation”, Asghar Farhadi, Iran

“Footnote”, Joseph Cedar, Izrael

“Omar Killed Me”, Roschdy Zem, Marok

“In Darkness”, Agnieszka Holand, Poloni

“Warriors of the Rainbow: Seediq Bale”, Wei Te-sheng, Taivan

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here