JULIANDEDAKa qenë një nga intervistat më të komentuara të javës ajo e kryetarit të grupit parlamentar të Agimit të Artë, Kristos Papas. E pritur mjaft keq në Shqipëri, fjalët e tij kanë irrituar jo pak njerëz, të cilët nuk kanë kursyer fjalë ofenduese ndaj Papas dhe atyre që mendojnë si ai. Deklaratat e forta antishqiptare dhe hedhja përtokë e flamurit shqiptar ka ngjallur një indinjatë dhe deri në neveri për një njeri të tillë. Rrjetet sociale kanë qenë si rrallëherë të mbushura me statuse kundër grekëve dhe racizmit të tyre të theksuar. Reagimet kanë qenë të shumta e shumë prej tyre me një gjuhë të rëndë.

Disa nga personazhet e njohur shqiptarë, njerëz të njohur të televizionit dhe jetës artistike, kanë komentuar këtë ngjarje në profilet e tyre, ku kanë shkruar se një njeriu të tillë nuk i duhet dhënë e drejta e fjalës, apo duke ironizuar grekët për këtë përfaqësim në Parlament. Ndër ata që kanë reaguar janë këngëtarja dhe prezantuesja e njohur Eneda Tarifa, aktori Julian Deda, Çiljeta Xhilaga apo edhe disa ish-banorë të shout Big Borther, si Algen Nikolla, Alkena Dervishaj etj.

Eneda Tarifa ka shkruar se nuk i del e keqja me zotin Papas dhe me grekët dritëshkurtër, që mendojnë si ai dhe kërkojnë të nxisin konflikte mes popujve. Ajo është shprehur se është  më mirë që këtyre njerëzve të mos u jepet hapësirë mediatike, pasi nxisin vetëm dhunë.

Julian Deda: Aktori i njohur dhe i dashur i humorit, Julian Deda, nuk ka ndenjur pa i kushtuar një status kësaj ngjarjeje. Vetëm se këtë herë, ndryshe nga zakonisht dhe siç jemi mësuar ta shohim, fjalët e tij nuk kanë qenë me nota humori, por e kundërta. “Sapo pashë një intervistë të Papas te “News24”. Ai njeri duhet dënuar me burg dhe jo vetëm, për dezinformim dhe shtrembërim të fakteve historike. Mjerë Greqia që përfaqësohet nga një person diabolik si ai. E tmerrshme. Pashë në fjalët e tij një urrejtje për shqiptarët. Ajo që më acaroi më shumë ishte mënyra sesi ai injorant grek prekte flamurin tonë”, është shprehur Juli në profilin e tij.

Erion Kame: Edhe regjisori Erion Kame nuk ka ndenjur i qetë pas deklaratave të bëra nga përfaqësuesi i Agimit të Artë, ku, sipas tij, Shqipëria nuk ekziston fare, por duhet të jetë një provincë e Greqisë. Ai ka reaguar duke ironizuar këtë parti, por edhe grekët që mendojnë si ai. “Quiz. Agimi i Artë apo Perëndim i Ndryshkur!??? Gjergj Kastrioti është shqiptar apo shqiptar??? A është një grek i denjë për sufllaqe???”, ka shkruar regjisori në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa lidhur me këtë ka ndenjur në heshtje Kastro Zizo, i cili njihet si një person mjaft i ndjeshëm ndaj çështjes shqiptare apo Shqipërisë së madhe gjë të cilën e ka treguar shumë herë publikisht.. Ndryshe nga herë të tjera, Kastro këtë herë ka ndenjur i qetë, duke thënë se është e kotë t’i japësh vëmendje dikujt si ai.  Gazeta MAPO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here