Në dritaren e zyrës ku qëndron, bie dielli. Me një gotë lëng portokall përpara, punon në kompjuter, flet në telefon, shkëmben mesazhe, edhe pse është e shtunë.

Është e veshur me ngjyrat e tokës, së cilës i shkojnë përshtat dhe e tregojnë më natyrale. E takojmë në vendin e saj të punës pranë “City Park”.

Valbona Selimllari është emër i njohur i bukurisë shqiptare. Së fundi e pamë në një format të veçantë televiziv, në emisionin e quajtur “Nga e para”, transmetuar në “Vizion Plus”.

Ajo vinte çdo të mërkurë në mbrëmje, por jo vetëm, ishte së bashku me një super staf, të cilët kishin marrë përsipër të sillnin diçka ndryshe në ekranin e vogël. Një familje do ta bënin me shtëpi të re brenda katër ditëve. Dhe kështu vepruan. 12 javë me radhë ringritën 12 shtëpi dhe gëzuan po kaq familje. E gjitha kjo ka pasur një kosto financiare, por nuk është asgjë përballë kënaqësisë që ka marrë ky staf. Në një bisedë me Selimllarin për këtë emision, mësuam nëse do të rinisë sërish dhe çfarë ka ndryshuar tek ajo kjo ekperienc e diçka më shumë për bukuroshen Bona Selimllari.

 

Sapo keni përfunduar një emision me në fokus problemet sociale. Duhet t’i “dhuronit” një familjeje shtëpinë. Si lindi ideja për të ndërmarrë këtë nismë?

Nuk i jep Bona shtëpitë, i japin sponsorët. Pa ‘Anima Picture’ që e pati këtë ide, as ne nuk do të ishim. Merita është e tyre. Pastaj, ajo që unë u jap njerëzve, ka të bëjë me mua. Pra, marrëdhënia e Bonës me njerëzit është tjetër gjë. Ndërsa shtëpitë i bëjnë sponsorët, sepse bëhet fjalë për shumë para.

 

Përse ata jua lanë në dorë prezantimin e këtij emisioni?

Për të mirën e të dyja palëve. Le të themi që e kanë vënë re komunikimin që kam me njerëzit, që ata më duan. Nuk duhet t’i jap unë përgjigje kësaj pyetjeje. Në atë emision, mbi gjithçka që ju shihni, është po Bona. Fakti që njerëzit me duan, më kënaq pa masë. Mendoj se futem tek njerëzit e mirë.

 

Me këtë abuzohet shumë, ç’do të kuptojmë me njeri të mirë?

Unë nuk kam nevojë të abuzoj. Ata që më njohin, e dinë. Nga eksperiencat që kam deri më sot në jetë, rezulton që Bona të jetë më shumë e mirë sesa e keqe.

 

Sa keni arritur të ndihmoni?

Kam disa eksperienca me njerëz që më kanë ardhur në zyrë, që kanë pasur nevoja, prindër me një fëmijë të sëmurë, njerëz pa punë, që kanë pasur nevojë të bëjnë operacion. Sigurisht që nuk kam mundur t’i ndihmoj të gjithë. Kur më është dhënë mundësia, e kam bërë, por nuk kam shkuar t’i kërkoj. Po të kisha shkuar t’i kërkoja, do të kisha marrë një identitet tjetër e nuk do të isha këtu ku jam tani.

 

Si keni arritur deri te përzgjedhja e familjeve?

Le të themi që fillimi ishte shumë i vështirë, sepse duke qenë në transmetim emisioni njerëzit nuk kishin shumë informacion. Na u desh t’i gjenim nëpërmjet fondacioneve. Në fillim i kërkuam dhe më pas, kur filloi transmetimi në televizion, nuk ishte më nevoja t’i kërkonim, sepse vërshuan kërkesat.

 

Mbi ç’kritere u përzgjodhën?

Që të jem e sinqertë, nuk merrem unë me përzgjedhjen e shtëpive, por “Anima Picture”. Ata kanë personin e tyre që shkon viziton shtëpitë, shikon teknikisht nëse është e mundur apo jo, se mund të ketë shtëpi shumë të dëmtuara, por që nuk ndërhyn dot brenda katër ditëve. Dhe nëse shtëpia është mbi katin e dytë, nuk bëhet rikonstruksioni, pasi ka shumë gjëra që na i vështirësojnë punën.

 

Janë shumë kërkues njerëzit, deri në bezdisje…?

Le të them që nuk na ka rastisur. Ka ndodhur vetëm me një familje. Patëm një eksperiencë të keqe me të sepse, përveçse nuk e vlerësoi atë që u bë, kam përshtypje që edhe abuzojnë pak.

 

Një femër familjare çfarë kërkon?

Mbi gjithçka janë fëmijët, të sigurohet ambienti për ta, të kenë ata mundësi më shumë, të ndihen më mirë, të kenë këndin ku të mësojnë, një krevat që të flenë rehat. Pastaj një gjë tjetër kryesore është edhe kuzhina.

 

Si u ndjetë brenda këtyre familjeve?

Duhet të jesh aty ta përjetosh, se me fjalë nuk përshkruhet. Është një dhimbje kaq e madhe… Është e çuditshme sepse sa herë që shkoja aty, më plaste shpirti dhe një javë nuk flija. Por ndryshimi që ne bëjmë, më gëzon shumë e ma heq trishtimin. Kur mendoj që në 2012-n ekzistojnë njerëz që nuk kanë asnjë prikë për të gatuar e nuk kanë një banjë për të kryer nevojat, pastaj për të tjera nuk diskutohet.

 

I bëni dhuratë një shtëpi familjeve. A merrni një emocion të pastër në këmbim? Çfarë bën pjesë në shfaqje?

Sigurisht që është një shfaqje mbi të gjitha. Unë nuk di nëse duhet ta them, por nuk kam luajtur asnjë sekondë në të gjitha pjesët që kam bërë. Sigurisht, kemi pasur shpeshherë probleme me këtë aspekt, pasi kur një gjë nuk më pëlqente, duhej të mos e thosha, por e kisha të pamundur. Jam njeri që reagon hapur, lexohem, më pëlqen apo nuk më pëlqen, një gjë e kam shumë të vështirë ta fsheh. Ajo që kërkova dhe atyre u shkonte përshtat është “të qenit vetvetja”. Nuk bëhem dot dikush tjetër, e kam të vështirë të shtirem. Në televizion, po ta keni venë re, e kam pasur problem me të prezantimin përmendësh. Në këtë emision kam qenë sinqerisht unë.

 

Këtu keni testuar edhe një vlerë njerëzore, mirënjohjen… Ndonjëherë, nën presionin e problemeve, njerëzit e lënë mënjanë këtë vlerë, që mbush edhe shpirtin e atij që e ka…

Për hir të së vërtetës, mund të jenë mirënjohës, por nuk duket hapur. Ne duhet ta marrim me mend. Ndonjëherë nuk e kemi marrë kënaqësinë aq sa duhet, apo aq sa meritonte ky emision ta merrte. E kemi marrë nga njerëz në rrugë. Duhet ta pranojmë që nuk është se nuk kënaqen, por është kjo që thoni ju, rutina e halleve i bën aq të ftohtë sa kanë harruar të gëzojnë. Unë ua kuptoj se jam më afër tyre.

 

Ju shqetësonte kur transmetohej emisioni?

Nuk kam vrarë shumë mendjen për këtë, pasi kam qenë e lumtur që atyre u është ndryshuar diçka në jetë. Pavarësisht se produksioni e donte këtë gjë. E donte pasi duhej përcillej tek të tjerët.

 

Çfarë kishte ky emision të veçantë?

Them ndonjëherë që në këtë botë të ftohtë fatkeqësisht idealizmi merret për budallallëk. Gjithçka është si kur..! Kujtoj në një moment që për një nga familjet derdha lot. M’u duk sikur njerëzit do qeshnin me këtë gjë, kështu që ndonjëherë nuk di se si të sillesh. Por duhet të jesh e kujdesshme. Nuk besojnë te njeriu i mirë, nuk besojnë tek ata që ndihmojnë, mendojnë që gjithçka është fasadë e bëhet për interes. Sigurisht, nuk ia vlen t’i futesh një debati për këtë gjë, sepse përjetimet janë personale. Mua nuk më intereson nëse dikush e beson apo jo, por të vjen keq kur shikon që në këtë botë kanë filluar të ikin vlerat njerëzore.

I urrej njerëzit e këqij, më ngjallin krupën dhe po të kem mundësi bëhem agresive. Sa më lejon edukata sigurisht… kam edhe unë kufijtë e mi.

 

Do të vazhdojë sezoni i dytë “Nga e para”?

Do të vazhdojë, mezi presim. Sigurisht jemi ende në tratativa për të gjetur sponsorët se ata janë pjesë më e vështirë e do të rifillojmë sërish.

 

Ka kushtuar në tërësi si emision?

Ka kushtuar. Na shkon një shtëpi në vlerën e 25-30 mijë euro për mos të llogaritur burimet njerëzore.

 

Deri tani keni qenë e përqendruar në Tiranë. Do shpërndaheni në rrethe?

Nuk kemi fuqi. Është e pamundur të bëhet, shpenzimet janë të dyfishta.

 

Është menduar ndonjë riformatim… Ndoshta ndonjë modifikim mbi  kriteret përzgjedhëse?

Do të ndihmohen ato familje që janë në nevojë. Jemi të predispozuar më shumë për familjet që kanë fëmijë. Këtë sezon kam përshtypjen që do të merremi pak me Shtëpinë e Fëmijës dhe me azilin e pleqve.

 

A ju ka ndihmuar të qenit e bukur?

Më ka bezdisur herë pas here. Por nuk ndodh më. Kanë kaluar shumë vite dhe njerëzit me njohin dhe kanë krijuar një tjetër imazh për mua. Atë që më njohin mirë, nuk mendojnë se Bona është vetëm Bona e bukur. Ka femra të bukura pa fund, por njeriu formohet, ka personalitet.

 

Keni kohë të lirë? Sot është e shtunë dhe ju jeni në zyrë…

Kam dhe kohë të lirë, por sot e kam zgjedhur të jem në zyrë për shkak të disa angazhimeve që i kam lënë pezull nga viti i kaluar.

 

Jeni njëri që lëvizni nga një vend pune?

Jam njeri shumë i qëndrueshëm në përgjithësi, nuk më pëlqen të lëviz nga gjërat. Kam qenë stabël në punë, në shoqëri. Ashtu si nuk më pëlqen të ndryshoj lukun, nuk më pëlqen të ndryshoj edhe në anë të tjera.

 

Keni frikë nga thinjat?

Jo, absolutisht. Është abuzuar edhe me këtë punën e thinjave. Pjekuri thonë, por kam miq të mi që janë thinjur që 20 vjeç. Është gjenetike.

 

Ju ka bërë njeri të mirë ky emision?

Jo, mua më kanë bërë njeri të mirë prindërit e mi. Mënyra se si më kanë rritur, edukuar. Ne jemi katër fëmijë, po të pyesësh njerëzit që na njohin, flasin për të tërë njëlloj, kështu që nuk është Bona e veçanta.

 

Ngjani me njëri-tjetrin?

Ngjajmë shumë.

 

Nga karakteri nga cili prej prindërve keni marrë më shumë?

Nga mami, është aq e fortë, sa edhe e brishtë.

 

Si e kuroni imazhin?

E kam dhe pak gjenetike, nuk është se ha shumë, por nuk jam e fiksuar. Nuk jam e kujdesshme dhe nuk është se kam orare./shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here