Pagarusha: Do të jemi në UNESCO sepse aty e kemi vendinE quajtën, e madhja e zërit shqip, Ema Sumak shqiptare, Fyti i kristaltë, bilbili i Kosovës, dhe janë këto vetëm disa prej epiteteve që iu dhanë gjatë karrierës, Nexhmije Pagarushës.

Pas një kohe të gjatë, me 82 vitet e jetës së saj në supe, Nexhmija vendosi të flasë në emisionin e natës ‘Top Folk’ të Radio Dukagjinit, vetëm disa orë para vendimit për Kosovën drejt UNESCO-së.

“Na takon të jemi në UNESCO, Jemi komb i pastër. Kemi kulturë të gjerë dhe shtrirje të pastër”, tha Nexhmija për Radio Dukagjinin.

Më tej, këngëtarja që njihet si institucion në vete, shprehu bindjen e plotë se Kosova do t’i marrë votat e mjaftueshme për anëtarësim.
“Unë do të kujtoja një thënie të mençur të Niçes: ‘Çdo e arritur kulturore është një barrikadë kundër agresorëve dhe luftës’, andaj këtë e kanë të qartë edhe miqtë edhe armiqtë e Kosovës. Kosova do të bëhet Unesco, sepse kultura dhe muzika shqiptare janë UNESCO”, deklaroi Nexhmije Pagarusha.

Ajo ka folur edhe për prezantimet e saja gjatë karrierës anekënd rruzullit tokësor e ku, siç dihet, ngado që debutoi u vlerësua në superlativ. Nexhmija në ‘Top Folk’ krahas krijimtarisë së saj muzikore siç është ‘Baresha’ vend të posaçëm tha se meritojnë edhe Hafsa Zyberi, Vaqe Zela, Ibrahim Tukiqi e disa të tjerë me këngët e tyre.

Emisioni ‘Top Folk’ i Radio Dukagjinit që drejtohet nga Fitim Behluli, tani e 15 vite përmbyllet me këngën ‘Baresha’ të Nexhmijes që tashmë e këto vite është kthyer edhe në himn të këtij emisioni.

Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës në Kosovë. Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Butterfly, Fyti i Kristalte, etj. Mori shumë çmime, ndër të tjera “Këngëtare e Shekullit”.

Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë. Jeton në Prishtinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here