Janë kundërshtarë në skenë, por partnerë surprizë jashtë skenës. Aktorja Olta Gixhari dhe personazhi më i spikatur i dalë nga një një “reality show” si “Big Brother”, Olsi Mingomataj, janë takuar si kundërshtarë në “Dancing with the stars”, dhe me sa duket, në festat pas spektaklit kanë krijuar më shumë afrimitet me njëri-tjetrin.

Në fakt, sinjali i parë i fillimit të historisë mes tyre erdhi pas publikimit të disa fotove në faqet rozë të shtypit, dhe të komentuara se mes tyre ka nisur një lidhje intime. Por, pas kësaj ishte Arian Çani, që i hodhi benzinë zjarrit, pasi në natën e spektaklit të fundit të “Dancing with the stars”, i bëri Olsit pyetjen direkte nëse ia kishte hedhur grepat një vajze bionde, shumë simpatike të kësaj gare, duke aluduar për Oltën.

 

Me sportivitetin e tij, Olsi iu përgjigj; “Pse jo?!” Gjithsesi, miq të tyre kanë pohuar se ata janë parë shpesh gjatë javës së bashku nëpër Tiranë, jashtë kohës së provave. Madje, ata janë parë të dy vetëm në Vlorë,  në një udhëtim që kishin bërë. Nuk e dimë ende si do të vazhdojë kjo lidhje  javët në vazhdim, ndërkohë që ata i bën të përfshihen edhe më shumë në një intrigë dashurie, fakti që janë rivalë në një garë kërcimi. Për sa i përket jetës së tyre private, Olta nuk ka pohuar ndonjëherë në shtyp ndonjë lidhje që ka pasur në jetë, ndërsa Olsi përveç lidhjes së shumë komentuar në media me Noçen e “Big Brother”, është fotografuar shpeshnga paparaci ynë duke flirtuar me shumë vajza. Ndërkohë që Olsi dhe Olta janë të dy persona karizmatikë e të suksesshëm në jetën e tyre,  nuk e dimë nëse kjo gjë do i ndihmojë për të krijuar një lidhje të gjatë stabël me njëri-tjetrin, apo nëse do të fillojnë xhelozitë. Sipas pohimeve të miqve të tyre, karakterin prej xhelozeje e ka shfaqur tashmë Olta, e cila nuk toleron aspak  hallakatjen e Olsit me vajza të tjera që i afrohen në klube, ashtu siç kanë bërë më parë.

Olsi: Për lidhjen me Oltën do të flas, kur të vijë koha

I ka shpëtuar për mrekulli eleminimit në “Dance off” parmbrëmë, Olsi Mingomata duke pasur kërshtu mundësi të vazhdojë garën, ndërkohë që ka humbur këtë shans Arjan Konomi, gazetari dhe opinionisti i njohur. Ja çfarë na rrëfen vetë Olsi për këtë moment, por jo vetëm për atë…

Sa emocione provove në momentin që dole në “Dance off”?
Shumë, ishin me të vërtetë emocione shumë të forta, m’u kujtua koha kur isha në “Big Brother”, pasi momenti i nominimit, me “Dance off” ngjajnë shumë. Por të jem i sinqertë, edhe e prisja që të dilja aty, ishte një renditje e merituar, pasi unë jam koshient që nuk kisha dhënë maksimumin tim. Po i thoja vetes në ato momente që vetëm të më jepej edhe një herë shansi dhe do bëja namin. Ndihem shumë i vlerësuar që jam ende në garë.

Tani t’u dha shansi, çfarë do të bësh?
Po punoj shumë dhe do të dhuroj akoma më shumë spektakël.

Deri tani a ke arritur të kërcesh një gjini që me të vërtet të pëlqen?
Ende jo, sepse unë jam natyrë e qetë dhe pëlqej kërcimet e qeta, si tango apo vals. Dhe shpresoj shumë që të jem pjesë e spektaklit, derisa të arrij t’i kërcej këto dy gjini.

Me Jonidën, balerinën si i ke marrdhëniet?
Shumë të mira, në fillim ishte problemi se nuk e njihnim mirë njëri-tjetrin. Por me kalimin e kohës mësuam më shumë mbi specifikat e gjithsecilit, kështu që normalisht edhe puna bëhet më mirë. Ajo është shumë kërkuese dhe kjo gjë më pëlqen.

Më lart, ti the që provove të njëjtat emocione si në “Big Brother”. Tani që je pjesë e këtij kompeticioni, çfarë ngjashmërish të tjera vëren me atë format televiziv?
Komuniteti është ngjashmëria, disa njerëz që përjetojnë të njëjtën eksperiencë, të gjithë me ambicie për të fituar çmimin e madh, por në ndryshim nga “Big Brother”, ne nuk rrimë gjithë kohën me njëri-tjetrin, sepse këtu gjithsecili ka axhendën e tij. Pastaj, këtu kemi të bëjmë me personazhe VIP, kështu që edhe mënyra e tyre e të garuarit është disi më diplomatike.

Meqë folëm për ngjashmëritë, “Big Brother” është një format që prodhon shumë gossip, po “Dancing with the stars”?
Jo edhe aq, sepse përveç after party, ku jemi të gjithë bashkë, në përgjithësi nuk para takohemi me njëri-tjetrin, nuk afrohemi, prandaj ka pak gjasa që të dëgjoni shumë gossip nga ky format.

Mendojmë që gabohesh, pasi siç thuhet njerëzit e bëjnë një format dhe jo e kundërta, e meqë Olsi është po ai në çdo program, ne kemi mësuar se ti ke krijuar edhe këtu një lidhje dashurie me aktoren Olta Gixharin. Çfarë mund të na thuash?
Tani unë kam katër vite që jam bërë qendra e lajmeve rozë në gazetat tuaja dhe nuk e vë në dyshim se ju gazetarët më njihni mirë dhe duke më njohur, e dini që fjalët nuk dalin kot.

Pra, është e vërtetë?
Nuk dua të flas më shumë.

Pak ditë më parë ti dhe Olta Gixhari jeni parë në Vlorë dhe jo si dy miq, por si dy të dashur; Mund të na thuash diçka më shumë?
Kur të vijë koha.

Ok, kalojmë tek kërcimi, e ëndërron fitoren?
Natyrisht që ëndërroj, por të them të drejtën, aty ka konkurrentë shumë të fortë dhe mendoj se sa më gjatë të shkoj, aq më mirë, por për çmim nuk pretendoj. Duhet të jem realist.

 

Olta: Jam gati për martesë

Janer Veranes, partneri kubanez me ngjyrë i Olta Gixharit në “Dancing with the stars”, për çdo javë i vendos nga një emër të ri asaj për ta ftuar në vallëzim. Herë e quan mami, herë mango e shpesh amore. Në fillim kanë kërcyer një tango pasionante ndërsa nuk flisnin, por tani janë bërë miq shumë të mirë, aq sa duket si çifti më perfekt në skenë. Jo pa qëllim producentja Olta Dulaku dhe regjisorja Vera Grabocka kanë menduar të kenë një aktore sa kapricioze, po aq dhe energjike si Olta, për t’i dhënë edhe më shumë ritëm spektaklit. Dhe Olta Gixhari, e cila për herë të parë provoi skenën e teatrit kur ishte 20 vjeç, tregon për këtë famë të re që po provon tani që është 25 vjeç. Madje e ndien veten aq të rritur, sa është gati të krijojë familjen e saj:

Olta, para daljes në skenën e “Dancing with the stars”, cila është fobia jote, a ke frikë?
Mezi pres të kërcej, kjo është fobia ime. Bëj ndonjë vrap të lehtë, sillem vërdallë.

E kishe ëndërruar një garë të tillë, je tip që pëlqen konkurrencat?
Patjetër, pata ftesë vjet, por s’mora dot pjesë, pasi kisha disa angazhime. Kështu, i premtova vetes dhe produksionit që të merrja pjesë këtë vit, duke parë edhe sezonin e kaluar që ishte një mrekulli. Për sa i përket konkurrencës, për mua kjo është hera e parë  që marr pjesë në një kompeticion, aq më tepër në një zhanër që nuk është profili im e të mund të ndihem e sigurt. Por kam biseduar me veten, para se të hyja në show dhe i kam dhënë vetes dy mundësi, ose ta nis këtë garë me emocione se konkurrentja e kujt jam dhe kush do ta fitojë, dhe kjo do më bënte që të mos e shijoj spektaklin e bukur, orët e provave dhe veshjet. Ose do e marr me sportivivitet, siç duhet marrë një kompeticion për të shijuar provat, veshjet, dritat dhe famën që të jep ky show. Zgjodha këtë të dytën, ndaj ndihem shumë mirë, e lumtur, e çliruar nga të gjitha këto komplekse, evoloj çdo javë dhe po e shijoj pa fund.

Cili prej konkurrentëve të pëlqen kur e sheh në skenë,  që i shkon vërtet kërcimi?
Të gjithë kanë veçantinë e tyre. Ngaqë po kërcejmë zhanre të ndryshme kërcimesh, një ditë mund të më pëlqejë Olsi, pastaj Petrovci në një zhanër tjetër dhe të tjerë. Secili ka veçantinë e vet.

Ti dhe partneri, ngjisni ju të dy, është ai partneri yt i dëshiruar?
Në fillim kemi pasur probleme të them të drejtën, shumë probleme, gati s’flisnim fare as për punën dhe ishte një problem shumë i madh. Pastaj u mendova gjatë dhe thashë që nëse do vazhdoj kështu, do prish punën time, u përpoqa t’i shikoja anët pozitive dhe tani jemi miq të mirë.

Kur të thanë që ke partner një balerin me ngjyrë, të pëlqeu apo jo?

M’u duk interesante dhe u thashë duke qeshur se dua një partner që të kërcej, jo për natën apo ditën. Më pëlqeu shumë ideja që ishte me ngjyrë, se është interesant dhe për show.
U vendose para ndonjë dileme artistike?
I lashë të gjitha. Kisha «Romeo dhe Zhuljeta» të regjisorit Kiço Londo, edhe për faktin e shtyrjes së datave, sepse kisha firmosur kontratën e «Dancing…»

Mund t’i rendisësh karakteristikat e tua pozitive dhe negative që të prishin punë?
Unë jam kapricioze dhe kjo është pozitive e negative njëherazi. Tani jam rritur, dhe kam ndryshuar që nga dalja ime e parë në skenë kur isha 20 vjeç.

Meqë fole për talentin, çfarë talentesh të tjera ke?
Notin e kam talent, që edhe pse jam durrsake, në fakt e mësuar në Pogradec. Jam notare shumë e mirë, më pëlqen të gjuaj peshk, më pëlqejnë sportet ekstreme, pavarësisht se nuk i kam provuar. Nuk do të thotë që ke hobi dhe e bën, e rëndësishme është që kam diçka në mendje dhe patjetër do e bëj.

Ku ndryshon një partner në skenë nga një partner në vallëzim?
Është totalisht ndryshe. Me një partner në skenë nuk ka gjasa të luash po s’e deshe, jo po s’u dashurove por ta pranosh si individ, është e pamundur në thonjëza, domethënë nuk del diçka shumë e mirë nëse s’ke marrdhënie korrekte, pasi bëhet puna e pamundur. Kurse në kërcim po vë re dicka. Me Janerin kemi pasur probleme, por arrija të kërceja, deri natën e parë që kam pasur tangon, sinonim  pasioni, por juria nuk e vuri re fare që unë me të nuk flisja.

Çfarë të bën të ndihesh e mërzitur?
Padrejtësitë më rebelojnë, më nxehin dhe mefshtësia, njerëzit e avashtë që nuk kuptojnë, i urrej. Jam shumë energjike dhe kur kam njerëz të avashtë në tavolinë, merzitem dhe iki, s’i takoj më kurrë.

Je shumë energjike, a të ndjekin dot meshkujt?
Mendoj se një njeri që të do, që do të të ketë pranë, për ty ai bën gjithcçka. Të më ndjekë është më e pakta që mund të bëjë.

E ka bërë ndonjë mashkull këtë me ty?
Patjetër që e ka bërë, se s‘kam qenë single, kam dhe unë historinë time.

Kur e sheh veten çift përfundimisht?
Në çfarëdo moshe. Unë jam gati, nuk jam ajo vajza që s’kapem. Mua s’më tremb fare fakti të krijoj një familje, ndihem gati, pasi kam 6 vite që jetoj vetëm. Unë ndihem e rritur dhe jam gati./KLOTILDA HARKA/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here